Tri vite pas vdekjes së Saimir Sulës në një spital në Spanjë, ministria e Drejtësisë njoftoi sot (15 korrik 2023) mbërritjen e zemrës së tij në Shqipëri.31-vjeçari Saimir Sula humbi jetën më 9 maj të vitit 2020 pasi shkoi me temperaturë në urgjencë, për të kryer një test PCR, por nuk doli më prej atij spitali.

Në njoftim tregohet dhe procedura e realizimit të procesit të riatdhesimit të zemrës, e cila është dërguar në Insitutitin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë.

"Më datë 12 korrik 2023 një grup përfaqësuesish nga Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Tiranës, Prokuroria e Përgjithshme, Instituti i Mjekësisë Ligjore, përfaqësuesi i Ambasadës Shqiptare në Madrid, kanë marrë në dorëzim nga pala spanjolle, zemrën e të ndjerit Saimir Sula dhe kanë përfunduar të gjithë procedurën e nevojshme sipas standardeve të parashikuara në aktet ndërkombëtare dhe legjislacionin procedurial – penal të të dy vendeve" thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas njoftimit transporti për në Shqipëri është kryer konform procedurës së përcaktuar dhe janë përdorur mjetet e fundit teknologjike për procedura të tilla me vështirësi teknike.Ministria sqaron se ka qenë në kordinim të vazhdueshëm me autoritetet spanjolle, por vetëm në maj 2023 u mor vendimi nga Gjykata 16 e Barcelonës për lejimin e riatdhesimit të organit (zemrës).

Sipas ministrisë, procedura e riatdhesimit të zemrës së Saimir Sulës, u bë duke mbajtur të informuar edhe familjarët e te ndjerit në respekt edhe të sekretit hetimor.

Ministria e mbyll njoftimin e saj duke thëne se nga ky moment i takon Prokurorisë së Tiranës dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore, të kryejnë të gjitha veprimet hetimore të mëtejshme, pasi në vendin tonë ka një dosje të hapur për veprën e dyshuar trafikim organesh, bazuar në kallëzimin e familjes së të riut.

Procedimi mbeti i hapur pasi mjekësia ligjore në Tiranë konstatoi mungesën e zemrës në trupin e të riut që autoritetet spanjolle i dorëzuan familjes.
Pas insistimit të familjarëve, autoritetet në Spanjë thanë se gjetën në morg zemrën e Saimir Sulës në tetor të vitit 2022, dhe këtu nisi beteja e radhës e Majlindës për ta sjellë në Shqipëri.