Zjarrfikësit në Spanjë dhe Francë vijojnë luftën me zjarret masive pyjore që kanë detyruar evakuime të paprecedenta.
Rreth 360 mijë persona janë detyruar të largohen në të dyja vendet. Pranë Bordosë, në jugperëndim të Francës, zjarri ka përshkuar një sipërfaqe katër herë më të madhe se Parisi. Sipas autoriteteve ai raportohet nën kontroll që prej orëve të natës.
Vetëm në zonën e Bordosë autoritetet kanë bërë të mundur evakuimin e të paktën 220 mijë njerëzve teksa flakët u afroheshin qytetit të Bordosë.
Në Spanjë një zjarr po përhapet në kodrat në perëndim të Madridit dhe është cilësuar më i madhi i regjistruar ndonjëherë në vend dhe raportohet jashtë kontrollit.
Autoritetet lejuan banorët e 9 nga 11 qyteteve të provincës qendrore të Toledos të ktheheshin në shtëpitë e tyre.
79 mijë njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në fshatrat në perëndim të Madridit dhe në Castellón, një provincë në bregun lindor, ndërsa 30 mijë të tjerë janë urdhëruar të qëndrojnë të mbyllur në shtëpitë e tyre, bëri të ditur qeveria.
Të dy vendet presin një valë të re të të nxehtit me temperatura 40 gradë nga e mërkura që pritet të vështirësojë punën e zjarrfikësve. Evropa, kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, ka përjetuar këtë vit valë të nxehti me temperatura rekord.
Komente







