Mbi 2,6 ton kokainë janë sekuestruar në Oqeanin Atlantik, katër persona janë arrestuar dhe është zhvilluar një hetim i koordinuar nga Drejtoria e Qarkut Antimafia e Brescias, ku u përfshinë Guardia di Finanza, si edhe autoritetet spanjolle dhe portugeze. Ky është bilanci i operacionit të madh ndërkombëtar kundër trafikut të drogës, i cili çoi në kapjen e një gomoneje oqeanike ultra të shpejtë, e përdorur për transportimin e lëndës narkotike drejt tregut evropian.

Gomonia, një mjet lundrues i tipit "go-fast", u ndalua në ujërat pranë brigjeve të Lisbonës nga Policia Detare portugeze.

Katër të arrestuarit janë dy spanjollë, një shtetas i Gjibraltarit dhe një shqiptar.

Monitorimi i gomones u krye me mjetet ajrore të Guardia di Finanza-s, të pajisura me sisteme të gjeneratës së fundit për mbikëqyrjen detare dhe të përdorura në territorin iberik në kuadër të moduleve për kontrollin e kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian. Sipas vlerësimeve të hetuesve, ngarkesa e sekuestruar do të kishte një vlerë prej rreth 78 milionë eurosh në tregun me shumicë. Nëse do të shpërndahej në tregun me pakicë, ajo mund të gjeneronte një qarkullim prej rreth 500 milionë eurosh.

Hetimet konfirmuan gjithashtu se organizatat kriminale vazhdojnë të përdorin të ashtuquajturat "go-fast", mjete lundruese me gjatësi nga 10 deri në 16 metra, të pajisura me shumë motorë të fuqishëm dhe të afta të arrijnë shpejtësi mbi 70 nyje detare. Këto mjete përdoren me teknikën e njohur si "drop off": ato marrin në det të hapur ngarkesat e drogës të hedhura nga të ashtuquajturat "anije mëmë", që vijnë nga Amerika e Jugut, dhe më pas i transportojnë drejt brigjeve evropiane./BresciaOggi