Qeveria spanjolle i ka kërkuar TikTok-ut të pezullojë funksionimin e platformës në Spanjë, derisa të largojë të gjitha përmbajtjet që lidhen me abuzimin seksual të fëmijëve. Kërkesa vjen pas publikimit të një investigimi mediatik, i cili zbuloi 1.183 postime me përmbajtje të papërshtatshme në platformë, të cilat kishin grumbulluar miliona shikime.
Ministrja e Rinisë, Sira Rego ministria e së cilës nuk ka kompetencën e drejtpërdrejtë për të ndaluar platformën në Spanjë, u ka bërë thirrje autoriteteve të prokurorisë dhe Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave që të ndërmarrin masa ndaj rrjetit social, sipas një njoftimi të ministrisë.
“Rrjetet sociale nuk mund të jenë një territor pa ligj”, theksoi Rego.
Kjo kërkesë vjen disa muaj pasi qeveria e Pedro Sánchez kërkoi nisjen e një hetimi ndaj platformave X, Meta dhe TikTok, me akuzën se ato shpërndajnë materiale që paraqesin abuzim seksual të fëmijëve, të krijuara përmes përdorimit të inteligjencës artificiale. Ndërkohë, autoritetet rregullatore evropiane po shtojnë kontrollet ndaj kompanive të mëdha të teknologjisë për përmbajtjet e dëmshme dhe të paligjshme.
TikTok nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së agjencisë Reuters për koment lidhur me këtë çështje.
Organizata jofitimprurëse spanjolle e verifikimit të fakteve, Maldita.es, publikoi dje një investigim, i cili zbuloi se videot me përmbajtje të abuzimit seksual të fëmijëve ishin parë në platformë të paktën 48 milionë herë, ndërsa më shumë se 26.000 profile kishin komentuar dhe shpërndarë këto materiale.









Komente
Komento