Një shqiptar është arrestuar në Spanjë, pasi në varkën ku ai po udhëtonte u gjetën rreth 2.100 kilogramë kokainë. Sipas mediave spanjolle, operacioni u zhvillua rreth 400 milje larg brigjeve të Galicisë, ku u arrestuan edhe tre persona të tjerë nga Argjentina, Uruguai dhe Kolumbia.
Në bordin e anijes u gjetën 70 pako me kokainë. Sipas hetuesve, shqiptari kishte rolin e një lloj “noteri” për grupet kriminale që do të merrnin drogën, duke kontrolluar nëse transporti po zhvillohej sipas planit.
Hetimet nisën në shkurt, ndërsa varka me flamur polak u vu nën vëzhgim pasi u pikas në portin e Roses, në Spanjë. Në korrik, ajo u largua nga porti me sistemin e gjurmimit të fikur. Pas bashkëpunimit me autoritetet britanike dhe amerikane, policia arriti ta gjente më 14 shtator në Atlantik.
Gjatë operacionit u arrestua edhe një shtetas kilian, i dyshuar se siguronte varka për grupet e trafikut të drogës. Autoritetet spanjolle po hetojnë persona të tjerë dhe nuk përjashtojnë arrestime të reja.
Sipas hetuesve, rrjeti përdorte varka me vela për të transportuar kokainë dhe u siguronte mjete lundrimi grupeve kriminale të Europës Lindore dhe Ballkanit. Hetimi vijon nën drejtimin e Gjykatës Kombëtare të Spanjës.






Komente
Komento