Spartak Ngjela: Pse nxin e steron sot 'moskoviti' i Tiranës, Sali Berisha?

Spartak Ngjela: Pse nxin e steron sot 'moskoviti' i Tiranës, Sali Berisha?

Ish-kryeministri Sali Berisha

Koha për Shqipërinë ka ardhur, prandaj koha nuk pret më. Dhe ja, kjo është procedura që ecën paralel në favor zhvillimit të Shqipërisë:

1. Korrupsioni i lartë shtetëror po goditet njëhetësh bashkë me grupet e vrasësve me pagesë. Këta vrasës, në grupe, dihet se janë krahu i fortë i korrupsionit të lartë shtetëror në të dy krahët e politikës. Por tani po eliminohen, dhe ky proces do të vijojë.

2. Të gjitha provat për korrupsionin e lartë shtetëror kanë ardhur në Tiranë. Por pyetja është kjo: çfarë po bën SPAK-u në këtë kohë?

3. Kur do të fillojë SPAK të godasë  me forcë krerët e korrupsionit të lartë shqiptar?

Duke u nisur nga kjo renditje, na duhet të sqarojmë se si do të vijojë me tej lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.

l.

Nën një rrjedhë arsyetimi të kësaj që shprehëm më lart na duhet të themi se: e gjithë situata kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, sipas ligjit në fuqi "për korrupsionin dhe krimin e organizuar", në Shqipëri po drejtohet nga ekspertiza juridiko-penale amerikane, por edhe nga politika amerikane.

Pikërisht, këtë fakt, analiza juridiko-penale amerikane e ka parë si përparësi në zhvillimin kombëtar, sepse, ne shqiptarët vetë, nuk kishim mundësi ta çrrënjosnim korrupsionin e pushtetit gjyqësor. Por, këtu duhet të theksojmë se, pa çrrënjosjen e korrupsionit në pushtetin gjyqësor nuk mund të luftohet korrupsioni i lartë shtetëror. 

Prandaj, në një kohë kur, në Shqipëri, korrupsioni i pushtetit gjyqësor ishte i lidhur organikisht me korrupsionin e lartë shtetëror, përveç forcës së politikës amerikane, asnjë forcë tjetër nuk mund t'ia dilte dot të krijonte legjislacionin e ri penal kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe, gjithashtu, as SPAK - un.

Dhe kjo, për vetë Shqipërinë, do të vijë e të shkruhet si fitore historike në analet e historisë së saj.

ll.

Po tani që është krijuar dhe është vënë në veprim e gjithë struktura juridiko-penale antikorrupsion, si do të vijojë ecuria në progres e kësaj reforme jetike për Shqipërinë dhe për shqiptarët?

Pikërisht këtu fillon një analizë e re,  sepse po këtu hyn edhe fakti i dalë sot në pah: Shqipëria i hapi më në fund negociatat për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.

Por, pikërisht për këto dy fakte historike, është mërzitur shumë Moska, dhe e ka humbur torruan edhe Beogradi, por na qenka mërzitur edhe Saliu.

Në të vërtetë, po të shohim me vëmendje historinë e Shqipërisë, e kap menjëherë që politika ruse deri në vitin 1918 ka qenë rreth 50 vite rresht një politikë agresiviteti kundër popullit shqiptar, sepse e dinte nga historia që e gjithë rezistenca historike kundër dyndjeve sllave në Ballkan ka qenë heroizmi i ilirëve, arbërorëve dhe shqiptarëve, në një rrjedhë historike që ecën, me të njëjtin popull, nga Iliria e deri te Shqipëria e sotme.

Por kjo politikë ruse ka nisur të jetë e tillë sërish që nga viti 2000 kur në Rusi erdhi në pushtet si president Vladimir Putin.

lll.

Po, pse është mërzitur kaq shumë sot edhe Moska, edhe Beogradi, por edhe  "moskovitët" e Tiranës me çeljen e negociatavetë Shqipërisë për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian?

Sepse, pas këtij çasti, procesi i ngritjes së Shqipërisë në funksion të politikës amerikane dhe politikës gjermane, do të vijojë me ritme shumë të shpejta. Por, na duhet të theksojmë se, "moskovitët" e Tiranës, mërziten jo për Rusinë dhe Beogradin, por i shqetëson reforma në drejtësi dhe reforma antikorrupsion që këta mendonin t'i ndalonin me forcën e politikës ruse.

Gjë kjo që, duke e parë qetësisht dhe me një sens realist, nuk kishte fare mundësi që të ndodhte.

Por, të gjitha këto janë të lidhura: Shqipëria nuk do të kishte perspektivë të qartë nëse nuk do t'i hapeshin negociatat me Bashkimin Evropian. Por, në rastin e mos çeljes së negociatave, kahu historik i zhvillimit do të ishte bashkimi kombëtar Shqipëri Kosovë dhe krijimi i një aleance shumë të fortë e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kurse tani, brenda kësaj logjike historiko-politike kuptohet që Shqipëria dhe shqiptarët po hyjnë në një periudhë te re historike.

Por, çfarë është në thelb për Shqipërinë kjo periudhë e re historike pas çeljes së negociatave me BE?

Ky është një proces që do të vijojë drejt anëtarësimit të sigurt të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, që do të ecë drejt bashkimit kombëtar, që do të konsolidohet si proces drejt krijimit të Shqipërisë si një forcë ushtarake shqiptaro-amerikane, dhe, më në fund, që gjithçka do të pasojë me investime shumë të mëdha amerikane në Shqipëri.

Prisni dhe shikoni...

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ Mbyllja e TikTok, 81% e shqiptarëve pro vendimit të qeverisë

Sondazhi/ Mbyllja e TikTok, 81% e shqiptarëve pro vendimit të qeverisë