SPECIALE/ 14 vjet pas Gërdecit, 2 nëna në pritje të drejtësisë për tragjedinë që u mori përgjithmonë të vegjlit e tyre! Lot dhe pengjet për Erisonin 7 vjeç dhe Zilien 19-vjeçare

15 marsi i vitit 2008 ishte një ditë e zakonshme për të gjithë banorët e Gërdecit.

“Unë ndodhesha në shtëpi. Çuni po luante me biçikletë me kushërinjtë. Djali i xhaxhait të vet kishte të nënën e vet tek fabrika dhe do i çonte bukë”, tha mamaja e Erisonit. 

Zelie Leti po bëhej gati të linte punën në fabrikën e demontimit dhe të shkonte në shtëpi ku e priste nëna që po shtronte tavolinën.

“Shrua, tavolinën të hamë drekë”, tha mamja e Zelies.

5 minuta pasi akrepat u bashkuan, normalitetin do ta ndryshonte shpërthimi i papritur.

“Vetëm kur ja ka dhënë shpërthimi”, tregon nëna e Zelies.

 “Data 13.3.2008. Detyrë klase. Ka bërë detyrat dhe me datë 15 nuk arriti të shkonte as në shkollë, as të jetoje. Këtë pyetje dua. Përse nuk jeton fëmija im?. Pse ”, tregon mamaja e Erisonit.

Për të marrë një përgjigje, banorët e Gërdecit i kthehen datës 15 mars 2008.

“Ka dal në këmbë në Gërdec lart. E ka gjet një kushërira e burrit dhe ka ja ka dorëzuar ushtrisë. Ka folur. Ka thënë dhe emrin. Unë e kam takuar në spital të djegie plastikës”, tregon mamaja e Erisonit, Zamira Durdaj.

“Vajza kishte 2-3 muaj që kishte filluar punë së bashku me të fejuarin e vet. Aty brenda, në krater. Kanë qenë 150 punëtor. Në momentin e shpërthimit këto kanë qenë të parët që i ka prek flaka. Të tjerëve ju dha mundësia me u largu. Punë 7-8 minutash i zu flaka. Ne që ishim këtu kemi shpëtuar këtu nën urë. Qëndruam nën urë deri sa mbaroi e gjitha”, tha babai i Zelies.

“Ne të tre nuk u takuam bashkë. Ishte vështirësi. Kam shkuar tek  miqtë dhe mendova se familja im e u shua komplet”, thotë mamaja e Zelies.

“Unë kam shtëpinë këtu. Kam pasur nusen me shtatzënë dhe një çun. Kujtova se mu vra çuni. E pash që ishte gjallë dhe e mora hyra në bodrum. O zot si kemi shpëtuar. Zjarri gjëmo, ne gjëmo”, tha një banore e zonës.

Pika e takimit u shndërrua spitali ushtarak.

“Fjala e parë që më ka thënë djali ishte falja. Kjo gjë më ka ngel pishman se çfarë kishte bërë ai për të më kërkuar falje. Djali ka jetuar 18 ditë. Ka bërë operacione. Djegia u thellua dhe i preku mushkëritë”, tregon mamaja e Erisonit.

Ndërsa familja Leti nuk po arrinte ta gjente Zelien që punonte në fabrikë.

“Qëndroi 14 ditë. Forcat e ushtrisë po kërkonin për ta gjetur”, tregon babi i Zelies.

“Humbëm vajzën 19 vjeç. Kishte 7 muaj fejesë. Për ne ishte tmerr dhe është akoma”, tregon mamaja e Zelies.

Këtu përfundoi agonia për familjarët e humbur e të plagosur rëndë e nisi ankthi i pritjes së vendosjes së drejtësisë.

Ambientet e ish-“Brigadës së tankeve” në fshatin Gërdec në Tiranë përdoreshin për çmilitarizimin dhe çmontimin e municioneve luftarake nga shoqëria “Albademil” sh.p.k. Siguria? ZERO!

“Edhe këtu kanë qenë predhat. Dy ditë kam punuar. Zëvendësova vajzën. I shkonin me hekur. Dilte zjarr. Me qeverinë kam vetëm këtë. Si ndizet zjarri këtu? Çfarë bën teneqja”, thotë banorja e zonës.

Në fushë të hapur. Teknologji nuk ka pasur fare. Babi im ka qenë punëtor. Nuk kemi parë asgjë se çfarë kemi marrë. Gratë e kishin me normë. Në armatim vendoset norma. Aq shumë sa ju kishte hyrë babëzia. Edhe gëzhojat laheshin me naftë se kishin një unazë”, shprehet mamaja e Erisonit.

“Ça pune ishte ajo. Ishte punë me ju marrë jetën. Ajo ishte punë me shuar vendin. A vendosej depoja në mes të fshatit. Ajo ishte në derë të shtëpisë. Unë kam pasur dhe djallin me dy daulle veshi të çara. Nuk ishte faji jonë”, tregon mamaja e Zelies. 

Të gjithë e dinin  por nuk donin ta besonin bashkëjetesën me rrezikun e vdekjes. Madje edhe ata që e shihnin me sy më të ftohtë, zërin ua mbyste frika.

“Për çështjen e Gërdecit institucionet shtetërore. Ministrinë e mbrojtjes, këshillin e Ministrave. Bashkinë, kryeplakun e fshatit. Mua nuk më dëgjonte njeri. Edhe pot ë flisja do më thoni ty nuk ta mban të punosh dhe na pengon ne”, tregon Zamira Durdaj.

Përballë kishin shtetin që një mesditë prag pranvere u mori jetën 26 njerëzve, 27 të tjerë u plagosën rëndë, 109  patën të lehta, 67 persona, dëmtime të parëndësishme e 61 njerëz të tjerë dëmtime të paklasifikuara. Shkatërrimet e pasurisë së paluajtshme dhe pronave shtetërore e publike u regjistruan në vlerën mbi 2.2 miliardë lekë.

31 të pandehur dërgoi prokuroria në gjykatë. Mes tyre, presidentin e shoqërisë “Albademil” Mihal Delijorgji, drejtorin e kompanisë “MEICO” Ylli Pinari,  administratorin e fabrikës, Dritan Minxholli dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

4 vite pas shpërthimit, u dhanë vendime me burg nga 1 deri 18 vite  për një pjesë të mirë të 28 të pandehurëve. Pak dolën të pafajshëm. Dënimi më i lartë, me 18 vite burg, u dha për Ylli Pinarin, drejtor i MEICO-s dhe Dritan Minxhollin, administrator i kompanisë së demontimit të armëve. Të gjithë sot janë të liruar pasi përfituan nga ulja e dënimeve.

“Drejtësia këtu tek ne nuk është. Sot një djalë të ri e kapin me drogë dhe e dënojnë me 8 vite burg. U vranë 26 vetë, nuk u vranë 26 bagëti. I dënuan 2 vjet, 3 vjet”, thotë babai i Zelies.

“Një tragjedi e filmuar, e ndodhur në mes të Tiranës, me të gjitha provat nuk zbardhet. Më duken gjëra qesharake kur dëgjoj në media”, thotë Zamira. 

Zamira ka ende një betejë të hapur ndaj atij që nuk u dënua asnjëherë, ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu.

“Unë kam 14 vjet që bëj betejë. Akoma nuk më ka ardhur një përgjigje. Shpresoj nga drejtësia e re. Kam një vit që kam paditur në SPAK. Nuk kam marrë asnjë përgjigje. Përsëri do të vazhdoj për vendosjen e drejtësisë së tim biri. Ky është motivi i jetës time”, tregon Durdaj.

Pas tragjedisë së 15 marsit, Zamirën nuk e tremb asnjë e vërtetë, sado e frikshme të duket për fqinjët e saj. Ajo kërkon zbardhjen e anës së errët të biznesit të vdekjes në Gërdec, ku humbi jetën jo vetëm djali i saj, por edhe bashkëshorti i motrës së Liri Berishës i cili punonte në fabrikë.

“Dhe ai e ka një nënë. Nuk është bërë i gjallë askush për atë. Pavarësisht se kush baxhanak ishte.  Nuk e ka një nënë, nuk e ka një motër, një fëmijë. Edhe për atë luftoj. Nuk u kujtua asnjë njeri për atë. Përse? Pse ishte ai në pushtet. Ç’më duhet mua partia”, thotë nëna e Erisonit.

Ka shumë pikpytje që nuk janë marrë për shqyrtim nga Drejtësia, mbi telefonatat që Fatmir Mediu ka zhvilluar me Shkëlzen Berishën, pas shpërthimit në Gërdec. Por edhe lidhjen e djalit të ish kryeministrit Berisha me Mihal Delijorgjin.

Drita e drejtësisë shqiptare është e venitur sot për familjarët e viktimave të Gërdecit.

“Gërdeci vërtet la 26 viktima, por kemi dhe shumë viktima mbrapa që nuk e përballuan dot. Kemi Tishe dhe Osman Kranjan që ju vdiq goca dhe të dy u helmuan. Kemi një nënë tjetër në Sukth që i vdiq bashkëshorti që në krye të vitit vdiq dhe vetë dhe la 9 fëmijë jetim. Për 5 minuta na e shkatërruan, përmbysën një jetë të tërë të ngritur”, thotë nëna e Erisonit.

Prej 14 vitesh jetojnë midis të shkuarës dhe të tashmes. Në një cep të shtëpisë, Zamira  ruan biçikletën dhe gjithçka ka mbetur përgjysmë në jetën e birit të saj atëherë vetëm 7 vjeç.

“Kemi lënë abetaren në gjysmë. Vjersha e fundit që më ka thënë është thuthuqi”, thotë Zamira.

Nëna e Zelies ruan pajën e vajzës që atë vit do ta vishte me të bardha.

“Prisja për ta bërë nuse. Nuk e vesha dot. Nuk e kam hapur kurrë pajën. Nuk kam forcë. Duhet shumë forcë për ta hapur atë”, tregon nëna e Zelies.

Sot, në strehët e banesave nuk janë mbledhur më të gjithë pjesëtarët e familjes.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • LORA: 16/03/2022 09:58

    Berja e drejtesise per krimet shteterore te 21 janarit 2011 dhe 15 marsit 2008 ne Gerdec jane guri themeltar per shtetin shqiptar te se drejtes,,,, jane prova se drejtesia e re eshte vertete per Popullin Shqiptar. Cdo prove tjeter vjen pas ketyre. TUNG.

    Përgjigju
  • karadakliu: 16/03/2022 09:44

    Pse keta VRASES, TASH IA MESYJNE MARRJES SE PUSHTETIT, KJO DEL SE ATA-VRASTARET E GERDECIT DHE 21 jANARIT, SHTETI JU DUHET PER TE SHPETUAR NGA NDESHKIMI,SIC ESHTE VEPRUAR DERI SOT.

    Përgjigju
  • Bsdj: 16/03/2022 03:25

    Si nuk doli nje avokat qe t’i ndihmoje ne gjykata nderkombetare. Keto qe kemi ketu jane hanishte, lere me te quhen gjykata.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja