Speciale/ De Biasi në stolin e
Shqipërisë një histori suksesi

Speciale/ De Biasi në stolin e<br />Shqipërisë një histori suksesi
Kur marrin fund dashuritë e mëdha nuk ka se si të mos ketë lot. Kështu ndodhi edhe me Gianni De Biasin që i dha lamtumirën Kombëtares Shqiptare dhe Shqipërisë pas 5 vitesh e gjysmë dhe një historie suksesi.
 
Trajneri të martën në konferencë tha se do të largohet në fund të këtyre eliminatoreve pra në tetor.

“Jeta është çështje cikli, ka një fillim, ka dhe një fund dhe vjen një moment kur dikush duhet të zgjedhë rrugën e tij. Nuk është çështje financiare është thjesht çështje cikli. Unë për sa kohë do të jem këto do të jap 110 për qind dhe s’ma heq askush dëshirën për të punuar dhe për t’u përfshirë në çështjen shqiptare”, tha ai.

Por duket se ndërroi mendje për 24 orë dhe të mërkurën edhe në krah të kreut te FSHF-së Duka I përlotur lexoi letrën e dorëheqjes. Italo-shqiptari në mendjen e tij është i bindur se cikli i tij tek kuqezinjtë ka përfunduar.

"Kjo eshte nje faqe e pervojes time profesionale ne Shqiperi qe kurre nuk do kisha dashur ta shkruaja! Kam menduar dhe medituar gjate dhe deshiroj t’ju informoj se duke nisur nga sot nuk do te jem me Trajneri i kombetares sone! Do te ndalem ketu sepse deshiroj te mendoj per te miren dhe rritjen e Ekipit. Besoj se e kam permbushur detyren time, e cila me ka lejuar mua per te nxjerre nga keta djem ato cilesi qe ne te kaluaren e afert kane bere te mundur te jetojme Endrren Europiane! Ate enderr e cila qe ne ndeshjen e pare ne Gjeorgji, nepermjet asaj letre te hapur kisha kerkuar te ngulitja ne koken e tyre dhe ne zemren e tyre! Eshte nje zgjedhje profesionale shume luftarake, e veshtire! Uroj qe te arrini ta kuptoni, edhe pse jo te gjithe mund ta pranojne!", tha ai.
 
Ai shtoi se duke u larguar me efekt të menjëhershëm do t’i jepet mundësia zëvendësit të tij që në katër ndeshjet e mbetura të njohë skuadrën.
 
I surprizuar nga ky vendim i De Biasit ishte edhe Presidenti Duka që e cilësoi italianin trajnerin më të mirë që ka pasur Kombëtarja por ndryshe nga De Biasi, Duka mendon se cikli I tij nuk ka përfunduar.
 
Tani Kombëtarja është pa trajner dhe Duka e thotë qartë se momentalisht nuk ka ndonjë strategji për të ardhmen, nuk i mbyll derën trajnerëve shqiptar por sqaron se Paolo Tramezzani, ish zëvendësi i De Biasit është një alternativë.
 
De Biasi bëri historinë në stolin kuqezi mbi të gjitha me kualifikimin për në Europian. Por aventura e tij do të niste më 14 dhjetor të 2011, kur pas shkarkimit të Josip Kuzhes, FSHF do të njoftonte arritjen e një marrëveshjeje 2-vjeçare me trajnerin italian, Gianni De Biasi, që kishte pranuar detyrën e trajnerit të Kombëtares Shqiptare.
 
Detyrën e nisi me miqësoren kundër Gjeorgjisë, të humbur me rezultatin 2-1, ku goli për “Kuqezinjtë” u shënua nga Edgar Çani. Më pas erdhi fushata kualifikuese për Botërorin e Brazilit ku deri ndeshjet e fundit Shqipëria ishte në garë.
 
Kualifikueset e “Franca 2016” ishin historik. Në një grup me Portugalinë e Danimarkën dhe Serbinë pak kush e mendonte se Shqipëria do arrinte fazën finale. Por fitorja me Portugalinë, lufta në Beograd me dronin e famshëm, pikët e fituara në KAS dhe tre pikët e arta në Jerevan në Armeni bën që një popull i tërë të ishte në festë, kjo padyshim edhe për meritë të De Biasit.
 
Më pas vjen Europiani, një ëndërr e bërë realitet, një super paraqitje e Kombëtares ku humbi me Zvicrën dhe Francën pavarësisht se zhvilloi ndeshje mjaft të mira por fitoi me Rumaninë dhe vetëm skema e turnout e eliminoi që në fazën e parë.
 
Pas një ecurie të tillë dihej që më e vështira për kuqezinjtë do të vinte në kualifikueset aktuale ato të “Rusi 2018”. Nga një grup ku është Spanja dhe Italia, mrekullinë s’e pret dot. Dy ndeshjet e para i fituam por më pas vjen një seri prej 5 humbjesh mes ndeshjeve zyrtare dhe miqësoreve që solli edhe periudhën më të errët të De Biasit në stolin kuqezi.
Megjithatë trajneri Italian nuk e braktisi anijen dhe ndeshjen me Izraelin e fitoi 3-0. Kjo nuk mjaftoi që ai të vazhdonte pasi thjesht e quajti ciklin e tij të përfunduar.
 
Lojtarët me të cilët ai krijoi një marrëdhënie të jashtëzakonshme pasi mësuan për largimin e tij thjesht përulen për punën e tij dhe thonë vetëm një fjalë respekt .
 
Duke nisur me Lorik Canën që në Facebook shkruan :
Faleminderit Mister për këto vite me ne!!! Faleminderit për kontributin tuaj, eksperiencën, angazhimin dhe miqësinë. Bashkë kemi arritë dhe përjetu gjëra të paharrueshme #xdd17;Me pak fjalë respekt.
 
Kapiteni aktual Ansi Agolli shkruan:
Faleminderit Mister! Në 6 vitet tuaja në drejtimin e kombëtares, na mësuat shumë, na treguat që forca e grupit mund të sjellë rezultate të pamenduara, e na bëtë të besojmë më shumë tek vetvetja. Bashkë arritëm të shkruajmë historinë e futbollit shqiptar, e emri juaj aty qëndron me shkronja kapitale. Po e lini skuadrën në një nivel më të lartë seç e gjetët para 6 vjetësh, me pretendime për rezultate më të mira e për lojë me të bukur. Për të gjitha këto, jam i bindur që shqiptarët do t'ju mirëpresin gjithmonë. Fundja, edhe ju jeni një prej nesh tashmë. Mirupafshim ne rrethana të tjera, e uroj kurrë si kundërshtarë! Ishte një nder.
 
Falenderime ka edhe Andi Lila:
Mister, sapo e lexova sms dhe nuk me vjen turp të them që më vjen për të qarë, nuk më kanë pëlqyer asnjëherë ndarjet! Të falenderoj shumë për gjithccka që ke bërë për mua, më ke ndihmuar të rritem si njeri dhe si lojtar! Realizuat ëndrrën më të madhe të fëmijërisë time, të luaja në Europian dhe të nderoja vendin tim. Do jesh gjithmonë në zemren time. Me shumë dashuri Andi Lila! Dhe shumë e shumë dedikime të tjera do vijnë nga futbollistë, tifo grupe dhe qytetare shqiptarë sepse Xhani de Biazi do të mbetet përherë njëri nga ne. Faleminderit dhe respekte mister.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

'Durrah City', Qeveria akordon 900 mijë euro për akademinë e futbollit

'Durrah City', Qeveria akordon 900 mijë euro për akademinë e futbollit