Turizmi malor në Bulqizë po merr gjithnjë e më shumë vëmendje si një nga destinacionet më të paprekura dhe autentike në verilindje të Shqipërisë. Gazetari Report TV Mahir Jangulli së bashku me fotografin Fation Plaku, Izet Shulkun dhe Luan Duriçin, të dy njohës të mirë të shtigjeve të zonës vendosën të ngjisin majën më të lartë në Bulqizë.

Mali i Dhoksit, 2021 m mbi nivelin e detit, shënon pikën më të lartë të malësisë së Martaneshit, në Krahinën Malore Qendrore. Dhoksi në fakt shënon një prej masiveve më të mëdha magmatike ultra bazike dhe është njëherësh baseni më i madh krom mbajtes në Shqipëri. Në shpatin verior të malit të Dhoksit nxirret minerali ikromit dhe aty janë ndërtuar me dhjetëra e qindra kilometra tunele nëntoksore dhe është miniera më e madhe e kromit në Shqipëri e një nga minierat më të mëdha të kromit në botë.

Ky udhëtim drejt majës së Dhoksit, zbulon Bulqizën tjetër, jo atë të kromit dhe aksidenteve në punë, por pikat turistike malore të vizitueshme në çdo stinë të vitit.

Izet Shulku i njohur ndryshe si Tarzani i Dibriës është promovues i turizmit malor nëpër Shqipëri. Por ai veçon malet e Dibrës për disa arsye.

“Këto male jo vetëm kanë bukuri natyrore, por ndryshe nga shumë të tjerë, këtu gjithçka sheh me sy, e prek edhe me dorë” shpjegon ai.

Kudo ku shkon, Izet Shulku mban në dorë flamurin shqiptar sepse për të është shumë i rëndësishëm identifikimi i majave shqiptare.

Ndërsa fototgrafi Fatjon Plaku është ndër eksploruesit më të mirë të natyrës së vendit tonë e jo vetëm. Ai ka ngjitur edhe majën e Everestit por në albumin me fototgrafi që po përgatit për publikim i mungon maja e Dhoksit.

“Gjithmonë kam kaluar në rrugën që shkoja për në Dibër por asnjëherë nuk kisha ngjitur malet e Bulqizës sidomos majën e Dhoksit dhe majën e Kreshtës që ndodhet nga krahu tjetër i qytetit të ri. Sot për herë të parë u ngjita në majën e Dhoksit, rreth 2021 m mbi nivelin e detit. Pjesa më e bukur është ngjitja e kreshtës", shprehet Plaku.

Pas 50 min udhërim me makinë, duhen edhe afro dy orë në këmbë për t’u ngjitur në pikën më të lartë të malësisë së Martaneshit.

Eksplorimi këshillohet të shoqërohet nga një njohës i mirë i këtyre shtigjeve. Malet që rrethojnë zonën, pjesë e vargmalit lindor shqiptar, krijojnë kushte ideale për ecje malore, alpinizëm dhe eksplorime në natyrë.

Gjatë stinës së verës, shtigjet mbushen me vizitorë vendas e të huaj që kërkojnë ajrin e pastër dhe qetësinë larg zhurmës urbane. Ndërsa në dimër, peizazhi shndërrohet në një tablo të bardhë, ku dëbora mbulon kreshtat dhe krijon mundësi për turizëm aventuror.

Një pasuri e veçantë janë katër liqenet akullnajore të Dhoksit, të formuara prej mijëra vitesh, që qëndrojnë si pasqyra natyrore mes maleve.

Luan Duriçi, guidë turistike për zonën, tregon se ujërat e kristaltë dhe qetësia që i rrethon i japin zonës një identitet unik, duke e bërë tërheqëse për fotografë, studiues dhe dashamirës të natyrës.

Po aq mbresëlënëse janë edhe pyjet e dendura me pisha dhe ah, që jo vetëm pasurojnë biodiversitetin, por shërbejnë edhe si mushkëri e gjelbër për gjithë rajonin.

Këto hapësira ofrojnë terren ideal për kamping, piknik dhe aktivitete familjare në natyrë.

Pas disa ndalesave të shkurtra gjatë udhëtimit, grupi eksploruesëve arrin në Majën e Dhoksit.

Toponimi “Dhoks”, krahas shumë varianteve folklorike,mendohet se vjen nga kohët e mesjetës, e do të thotë i lavdishëm(dhoksa). Një emër i tillë mendohet që vjen nga beteja e dytë e Vajkalit, që Skënderbeu pati me ushtrinë osmane të komanduar nga renegati shqiptar Ballaban Pasha. Skënderbeu shfrytëzoi pyjet e këtij mali, cilësitë e relievit të zonës si avantazhe të luftës së tij dhe korri një prej fitoreve më të mëdha në epopenë 25-vjeçare kundër turqve osmanlinj.

Me të njëjtën krenari, Izet Shulku ngre flamurin në majën e Dhoksit. Fundi i rrugës është emocionues për të gjithë grupin.

“E them me plot bindje që ne jemi me fat që kemi një vend kaq të bukur. Unë kam ngjitur majën më të lartë të botës dhe shumë male të kontineteve të tjerë, por vendi ynë është magjik. Na e ka dhuruar Zoti dhe ne duhet ta ruajmë si sytë e ballit” shprehet fotografi Fatjon Plaku.