Speciale/ Duhani, helmi që vret e të varfëron në heshtje (VIDEO)

Duhani mund të përdoret në shumë forma të ndryshme, por asnjë nga to nuk është e mirë për shëndetin tonë.

Duhanpirja ka lindur me njeriun, njihet në gjuhën shkencore me emrin “tabako” dhe ka prejardhjen nga fiset maja, të njohura si të parat që janë marrë me këtë bimë.   Duhani gjatë djegies çliron 4 mijë lëndë kimike. Perdorimi i tij dëshmohet qysh ne kohet e lashta, teksa u bë i njohur në vitet 1 800 ku e pinin me nje “cubuk”, me pas filloi ta pinin me te dredhur dhe me pas te shitura ne paketa. 

Për shkak të COVID 19, studimet e fundit mbi duhanin janë me një nivel të lartë gabueshmërie, ndërsa sipas një studimi të vitit 2017, të shtrirë në 195 vende, rezulton se nga duhani humb jetën një person çdo katër sekonda. Duhani vret më shumë se 8 milionë njerëz çdo vit. Më shumë se 7 milionë nga këto vdekje janë rezultat i përdorimit të drejtpërdrejtë të duhanit, ndërsa rreth 1.2 milionë janë rezultat i ekspozimit të joduhanpirësve ndaj tymit të dorës së dytë. Mbi 80% e 1.3 miliardë përdoruesve të duhanit në botë jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Të gjitha këto informacione i nxjerrin në të njëjtin përfundim institucionet shtetërore dhe përfaqësuesit e kujdesit shëndetësor në vend.

“Duhani sot është faktori absolutisht më i njohur si dëmtuesi i shëndetit te popullata”, tha pneumologu Arben Tanka.

“Duhani është shkaku i dytë kryesor për vdekshmërinë dhe barrën e sëmundshmërisë në Shqipëri”, tha Ketrin Zeno, drejtore në Drejtorinë e Kujdesit Parësor i Shëndetit Publik.

“Ajo ç’ka është shumë shqetësuese është prevalenca e duhanpirjes te adoleshentët, konsumi apo nisja e duhanit te fëmijët. Ndikim të madh kanë politikat fiskale”, tha pedagogu Drini Imami.

“Duhani është varësi, si të gjitha substancat, por ndryshe nga të tjerat është më e pranuar shoqërisht. Ka të njëjtin rol varësie psikologjike si alkooli, droga apo ushqimi i tepërt”, tha psikologia Enkelejda Gjoza.

Duken të dëgjuara gjithçka thanë ata që besojnë se ka një mundësi shpëtimi nga varësia e duhanit që është një nga shkaktarët kryesore të kancerit në organizëm. Ai prek mushkërinë, arteriet koronare të zemrës, strokut në tru. Cigarja rrit mundësinë 4 herë më shumë për këto dy patologji, që janë dhe shkaku kryesor për vdekjet në krahasim me ata që nuk e konsumojnë duhanin.

“Duhani rrit me 25 herë mundësinë  për kancer në mushkëri te burrat, ndërsa me 25.7 herë rrit probabilitetin tek gratë. Madje në SHBA, vdekja nga kanceri I mushkërive te gratë, ka kalua vdekjen në vit nga kanceri i gjirit. Në SHBA. Pothuajse 1/5 e vdekjeve janë të shkaktuara nga shkaqe të parandalueshme që vijnë nga duhani”, tha pneumologu Arben Tanka.

Një person që pi duhan ka 40% më shumë mundësi për të patur diabet të tipit 2 krahasuar me jo konsumatorët.

Lidhur me fertilitetin, mjekët tregojnë se shkakton probleme si tek femrat ashtu edhe tek meshkujt.

“Gratë shtatzëna që pinë duhan rrezikojnë lindje të parakohëshme, apo sindromi i vdekjes së papritur të infantit. Në duhan gjenden të vërtetura 70 kimikate, që janë kancerogjene, nga mijëra që ka vetë duhani”, tha pneumologu Arben Tanka.

“Studimet tona, por edhe të tjera tregojnë qartë që studimi i duhanit është në nivele të larta, shqetësuese. Sidomos tek meshkujt prevalenca është shumë e lartë.  Dhe si e tillë është një problem madhor sa i takon shëndetit, vdekshmërisë, por edhe nga pikëpamja ekonomike”, tha pedagogu Drini Imami.

I renditur i dyti ndër shkaqet e vdekshmërisë në vend nga sëmundjet e patransmetueshme, duhanit i është shpallur luftë nga Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet dokumenteve strategjikë.

“Strategjia kombëtare e shëndetësisë 2021-2030, programi kombëtar për parandalimin e sëmundjeve të transmetueshme, janë dokumentet kryesore mbi të cilën po bazohet kjo luftë për sëmundjet jo të transmetueshme.

Kemi politika të përhershme, të ndjekura në vijueshmëri, që nga viti 2015, por edhe më herët. Ne synojmë që përmes arritjeve dhe ndërhyrjeve si nga ana politike, por dhe në mënyra të tjera të kemi një ulje të prevalencës së duhanpirjes të kemi 10% më pak se sa sot duhanpirës”, tha Ketrin Zeno.

Si krijohet varësia nga duhani?

Motivet apo faktorët që të çojnë në duhanpirje janë të shumtë. Psikologia Enkelejda Gjoza thotë se shndrrimi në një njeri duhanpirës aktiv mund të ndikohet nga faktorë psikologjik, ose faktorët social-kulturor.

“I pranuar nga shoqëria, duket sikur nuk është një problem, por në të vërtetë është një problematikë. Në aspektin social-kulturor. Zakonisht fillohet në moshë të re, kur adoleshentët e dinë që ti përkasin një grupi është pikësynimi dhe qëndra e jetës së tyre. Si të bëhemi pjesë në një grup? Kur të gjithë shokët pijnë cigare, edhe ai/ajo, që nxitet të konsumojë duhan”, tha Enkelejda Gjoza.

“Shikojmë një rënie të duhanpirjes, sidomos tek meshkutj dhe tek femrat, por mbetet prevalenca relativisht e rritur sidomos në moshat 25-35 vjeçare.

Unë nuk mund të them shifra të sakta tani, se cila është prevalenca, pasi kemi kaluar dhe dy vite pandemi. Sëmundjet e mushkërisë janë të lidhur me pandeminë dhe s’mund të japim një shifër të saktë, pasi është vështirë të bëhet edhe diferencimi…”, tha Ketrin Zeno.

Një nga faktorët që nxit ose jo pirjen e duhanit, është modeli që ndjek. Nëse ke një prind, apo të dy prindërit duhanpirës, mundësia është shumë e më e madhe për ta nisur konsumin e duhanit. Zgjidhja që ofrojnë psikologët është terapia.

“Terapia? Absolutisht po! Terapia konportamentale, e cila fokusohet te ndryshimi i sjelljes. Është një terapi e shkurtër, me shumë sukses. Në tre apo katër muaj, një person që është i motivuar për të ndryshuar sjelljen, në këtë rast ndryshimin e sjelljes për të lënë cigaren, mund t’ja arrijë qëllimin”, tha psikologia Enkelejda Gjoza.

Një tjetër zgjidhje ofron studimi i kryer nga nga pedagogët e Universitetit Bujqësor të Tiranës. Në të nënvizohet se, rritja e akcizës së Duhanit deri në nivelin 7%, do të mund të shpëtojë deri në 33 000 jetë brenda vitit 2030, ndërkohë që konsumi i tij ndikon drejtpërdrejt në rritjen e varfërisë.

“Studimi më i fundit që kemi bërë, fokusohet tek shpenzimet për duhanin në shtresat në nevojë. Këtu flasim për shpenzimet që lidhen me konsumin, blerjen e duhanit, nga krahu tjetër me problemet shpenzime që lidhen me probleme shëndetësore që lidhen me konsumin e duhanit. Duke patur parasysh të dyja këto lloj kostosh vërejmë se rreth 13 000 familje kalojnë nën nivelin e varfërisë për shkak të këtyre shpenzimeve, përkatësisht janë 60 000 individë, nga të cilët 11 000 fëmijë.  Dhe ata që tashmë janë nën nivelin e varfërisë përjetojnë përkeqësim për shkak të  kostove”, tha Drini Imami.

Duke iu referuar edhe gjetjeve të njëjta të studimeve që janë bërë në vendet e rajonit, pedagogu Drini Imami sqaron se politikat fiskale, rritja e vazhdueshme e tatimit, akcizës në lidhje me duhanin, që përkthehet në rritje çmimi, rezulton në dekurajim të duhanpirësve të rinj dhe nga ana tjetër në uljen e konsumit të duhanit, apo prevalencën për uljen e konsumit tek duhanpirësit ekzitues.

Studimet kanë treguar se politikat e tjera me kontrollin e duhanit, siç është ndalimi i konsumit të tij në vende publike, siç janë lokalet, kanë çuar në ulje të ndjeshme të nivelit të nisjes së duhanit tek të rinjtë.

“Nga njëra anë rritja e taksës, dhe këtu duhet thënë se niveli taksave në Shqipëri është ndër më të ultat në rajon, shumë më i ulët se niveli taksave në BE. Ndaj dhe çmimi i duhanit në Shqipëri është shumë më i lirë dhe konsumi është i përballueshëm dhe sigurisht rritja e akcizës në nivele më të larta është dhe detyrim në kuadër të integrimit në BE dhe nga ana tjetër sigurisht që evidencat tregojnë qartë që do çonte në tkurrje të konsumit të duhanit sidomos në shtresat në nevojë, që kanë dhe një ndjeshmëri më të lartë lidhur me çmimin. Nga krahu tjetër duhet ndërgjegjësim më i madh, te të gjitha shtresat, sidomos te të rinjtë për dëmet që sjell konsumi i duhanit”, tha pedagogu Drini Imami.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Marash: 10/11/2022 23:26

    Kur cigarja e duhanit digjet për njeriun që e do aq shumë, atëherë edhe ky nuk duhet ta kursejë jetën për një dashuri kaq fatale.

    Përgjigju
  • Liku: 10/11/2022 21:47

    Varet nga struktura njeriut ka njerez qe e pine duhanin per 65 vjet dhe vazhdojne ta pine pa probleme shendetsore kurse nga ana ekonomike te demton.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja