Qytetarët shqiptarë konsumojnë mesatarisht 4000 ton duhan në vit ndërsa 1/3 e tregtohet në mënyrë informale. Një vëzhgim i Report Tv konfirmon se fenomeni edhe pse jo i ri vijon të jetë një problem i madh, teksa sasi të konsiderueshme duhani shiten çdo ditë në mes të rrugës.

Shkëmbim malli në mes të rrugës, produkti i futur në thes ndërsa paratë jepen dorazi.

“Rezulton që nga tregtia e paligjshme në rrugët e Tiranës dhe Shqipërisë tregtohen 200 cigare të bëra vetë, që nuk dimë çfarë produkti është, se është duhan i grirë, shitet 6 mijë lekë të vjetra”.- thotë Roland Shuperka ekspert për kontrollin e duhanit.

Tregtari 1: 6 mijë lekë 200 copë.

Gazetari: Janë të gatshme?

Tregtari 1: Po! I bëjmë vetë ne këto, nga shtëpia...

Report TV bëri një vëzhgim në disa zona të Tiranës, ku konstatoi se shumë tregtarë e shesin duhanin e grirë me çmime tepër të ulëta, të ruajtur në kushte jo higjienike brenda thasëve të zinj e të mbështjellë me letër, pa pullë fiskale.

Gazetari: Nga vjen?

Tregtari 2: I Shkodrës. Me 500 gram mund të bësh rreth 500 copë cigare. Edhe këtë t’ja çosh gjyshit e ke super, 8 mijë lekë.

Tregtari 3: E do të mirin fare apo...? Jo duhan, se duhan kam dhe të hapur aty...

(Tregtari e nxjerr duhanin nga qeska e zezë aty ku e mban të mbështjellë me fletë A4 dhe ja shet!)

Duke qenë se ligji aktual nuk ka mundur ta disiplinojë këtë fenomen qeveria ka dorëzuar më shumë se 2 vite më parë një draft të ri në Kuvend, për arsye ende të paqarta, ky draft nuk është diskutuar në komisione e më pas të miratohej në seancë plenare.

Vetë propozuesi i ligji evidenton situatën, kur në relacionin e draftit thuhet se rreth 25-30% e konsumit të duhanit është informal dhe nuk paguan taksa.

Ky duhan informal (duhan i grirë) i shkakton buxhetit një humbje 20-25 milionë euro, ndërsa nëse do të konvertohet në cigare të shitura nga furnizuesit formalë, humbjet për buxhetin e shtetit llogariten rreth 80 milionë euro në vit.

Gjatë vitit 2023 vendi ynë importoi 3186 ton duhan, ndaj edhe duke shtuar pjesën informale konsumi real llogaritet në mbi 4000 ton.

Për ekspertin Roland Shuperka, kjo tregti informale e duhanit dëmton jo vetëm buxhetin e shtetit, por edhe shëndetin e konsumatorëve.

“Këtyre grupeve vulnerabël me të ardhura më të pakta po i japim mundësi të konsumojnë sa më shumë duhan, të sëmuren sa më shumë, të ketë kancer sa më shumë, dhe rezultati është shtrime në spital. Shkaktohet kosto për shtetin, për familjen dhe për individin”.- u shpreh Roland Shuperka, ekspert për kontrollin e duhanit.

Risia e projektligjit të ri do të ishte krijimi i komisioneve të posaçme me përfaqësues të tre ministrive përgjegjëse si ajo e financave, bujqësisë dhe Ministria e Brendshme për parandalimi e tregtisë së paligjshme sipas asaj që shkruhet në relacion, por drafti që prej 9 dhjetorit të vitit 2021 pret të merret në shqyrtim nga ligjvënësit.