SPECIALE/ Futbolli në 365 ditë. Partizani ia del pas çerekshekulli, Liverpool 'pushton' Europën (VIDEO)

Futbolli shqiptar dhe ekzatësisht Superliga në këto 365 ditë të 2019 ka patur për fitues një skuadër e cila nuk e ngrinte trofeun prej 26 vitesh. Bëhet fjalë për skuadrën e Partizanit që prej shumë kohësh i rrotullohej trofeut më të rëndësishëm në vend, por arriti t’ia dilte vetëm pas më shumë se një çerekshekulli.

Të shumtë ishin lojtarët dhe trajnerët, por edhe presidentët që kërkuan ta kthenin skuadrën e kuqe në majë të futbollit shqiptar, por ata që ia dolën ishin Gazmend Demi dhe Skënder Gega, trajneri i cili për shumë specialtë futbolli bëri mrekullinë. Kjo pasi ‘demat’ nuk u shquan për cilësi të lartë në organikë, por për një organizim grupi dhe frymë që rrallë ishte parë në skuadrat tona.

Festa për titullin ishte e dyfishtë, pasi Partizani e siguroi matematikisht në ndeshjen derbi kundër Tiranës, falë rezultatit 2-1.

Pas 36 javësh kampionat Partizani grumbulloi në total 70 pikë, 11 më shumë se Kukësi i vendit të dytë që e rivalizoi për shumë pak javë.

Kombëtarja

Kombëtarja kuqezi në 2019 nuk i përmbushi pritshmëritë. Gjatë këtij viti krenaria e kombit mori pjesë në fushatën eliminatore të Euro 2020, ku fillimisht e nisi kundër Turqisë më 22 mars në ‘Loro Boriçi’. Në këtë takim futbollistët përveç rezultatit bënë një figurë mjaft të keqe në fushën e lojës, duke u mposhtur 0-2. Pas ndeshjes FSHF vendosi të reagonte dhe mori masa të ashpra duke larguar trajnerin Christian Panucci, vendin e të cilit më 17 prill e zuri Edy Reja. Gjatë kësaj periudhe në ndeshjen e dytë të kualifikuesve kundër Andorës kombëtarja u drejtua nga zëvendës trajnerët Mema dhe Bulku, të cilët u udhëhoqën skuadrën në fitoren 0-3.

Nga Reja u prit shumë, por në ndeshjen debutuese të italianit, e cila u luajt në transfertën kundër Islandës, kuqezinjtë u mposhtën 1-0, por ajo që ngjalli shpresë ishte loja në fushë, që riktheu edhe një herë entuziazmin pas performancave të dobta të 11-shes së Panucci-t. Ndeshja pasuese, ajo kundër Moldavisë, u fitua me rezultatin 2-0, por kundërshtari nuk mund të matej me Shqipërinë. Atëherë kur pritej diçka më shumë se loja, përballë Francës në StadeDe Lyon, kuqezinjtë u mposhtën 4-1. Një ndeshje që përveçse vrau shpresat e kuqezinjve do të mbahet mend edhe për ngatërrimin e himnit.

Gjithsesi tre ditë më pas në Elbasan, kombëtarja tregoi shenja jete duke u hakmarrë ndaj Islandës me rezultatin 4-2 dhe duke ringjallur edhe një herë sadopak shpresat për kualifikim. Vendimtare do të ishte sërish ndeshja me Turqinë, e cila u luajt më 11 tetor në transfertë. Në këtë 90 minutësh Shqipëria duhet të fitonte me patjetër dhe loja në fushë tregoi një ekip me karakter, të cilit u mungoi vetëm fati. Atëherë kur nuk pritej, kur Shqipëria po afrohej më shumë golit, ishin turqit që në minutat e fundit realizuan, duke sjellë dëshpërimin në sytë e të gjithë shqiptarëve.

Tre ditë më pas do të vinte fitorja me ‘poker’ kundër Moldavisë, por që vlente sa për statistikë. Zhgënjmi do të kaplonte më shumë tifozët në ndeshjen e nëntorit kundër Andorës, atëherë kur kuqezinjtë në Elbasan barazuan 2-2. Në ndeshjen e fundit të grupit, atë kundër Francës në ‘Air Albania’, rezultati nuk ishte larg pritshmërive, pasi ekipii Edy Reja-s u mposht 0-2.

Stadiumi

Një ngjarje e rëndësishme dhe për tu shënuar në këto 365 ditë të futbollit shqiptar ishte edhe inaugurimi i stadiumit të ri ‘Air Albania’. Pas tre afateve të shtyra fillimisht, impanti me kapacitet prej 21 mijë e 777 tifozësh hapi dyert në ndeshjen kualifikuese të kombëtares më 17 nëntor kundër Francës, kampiones së botës në fuqi.

Edhe pse pati shumë kritika, fillimisht për projektin me kullë dhe më pas për mënyrën se si dukej, ajo që vlente në fund ishte se Shqipëria tashmë kishte një impiant tepër modern që vlerësohet ma katër yje nga UEFA dhe FIFA, i pesti mungon për shkak të kapacitetit.

Për ndërtimin e impiantit u nevojitën tre vite e 5 muaj kohë, ndërkohë që vlera e të gjithë strukturës kapi shifrën e 75 mln eurove.

Kosova

Ndryshe nga kombëtarja e Shqipërisë përfaqësuejs e Kosovës në vitin 2019 ka bërë paraqitje të shkëlqyera kryesisht në kualifikueset e Europianit 2020. ‘Dardanët’ të cilët ishin të shortuar në Grupin A pavarësisht se luftonin përballë skuadrave si Anglia, Republika Çeke, Mali i Zi dhe Bullgaria, luftuan deri në frymën e fundit për kualifikimin.

Konkretisht ëndrra e Kosovës që kaploi të gjithë kombin u shua në ndeshjen e parafundit me Republinë Çeke, ku pasi mori fillimisht avantazhin në fund humbi me shifrat 2-1. Shumë mendojnë se nëqoftëse skuadra do të kishte grupin e plotë, pasi mungesa të shumta penalizuan ekipin e Shaland, objektivi mund të ishte arritur.

Gjithsesi Kosova ka ende shpresë për të marrë pjesën në Euro 2020, pasi është një nga katër skuadrat që ka mundësi kualifikimi në Ligën D të Ligës së Kombeve.

Champions League

Kompeticioni i fundit i Champions League do të mbahet mend si një nga garat më spektakolare në funksion të gjetjes së mbretëreshës së Europës. Në gjysmëfinale u vunë përballë surpriza Tottenham me Ajax-in spektakolar, si dhe Barcelona kundër Liverpool-it, dy skuadra të cilat e kishin fituar nga pesë herë këtë kompeticion.

Sa i përket çifitit Tottenham-Ajax, ndeshja e parë e zhvilluar në Londër u mbyll me fitoren 0-1 të holandezëve, të cilët për të arritur deri në këtë fazë kishin mposhtur fillimisht Real Madrid, kampionen në fuqi dhe fituesen 13 herë të këtij kompeticioni si dhe Juventusin, skuadrën e cila ishte kandidatja potenciale për fitimin e trofeut me veshë të mëdhenj.

Mirëpo në sfidën e kthimit e cila do të rezultonte spektakolare dhe në të njëjtën kohë dramatike, Ajax u eliminua nga Tottenham falë një goli në minutat e fundit nga Lucas, që i dha fitoren 2-3 ‘spursave’ të Pochetinos ndaj skuadrës që pothuajse simpatizohej nga gjithë Europa.

Akoma edhe më e paparashikuar do të rezultonte përballja tjetër mes Barcelonës dhe Liverpool. Në ndeshjen e parë, e cila u luajt në praninë e 99 mijë spektatorëve Barcelona do të fitonte thellë me shifrat 3-0, duke dhënë përshtypjen se kualifikimi do të ishte një çështje e mbyllur dhe se ky do të ishte viti i saj.

Nga ana tjetër një javë më pas në Anfield do të ndodhte gjëma për katalanasit. Në një 90 minutësh historik, ‘the reds’ do të gjenin forcat për të shënua jo një, jo dy e as tre, po katër gola në portën e mbrojtur nga Ter Stegen. Në vërshëllimin e trefishtë të arbitrit ishte e vështirë për të besuar se ekipi i Kloop ishte kualifikuar në finalen e Champions League për të dytin vit radhazi, ndërkohë që për Barcelonën ishte i dyti vit radhazi që gjithashtu eliminohej në gjysmëfinale pas një fitoreje me shifrat 3-0 në ndeshjen e parë.

Si përfundim në finalen e Madridit, të zhvilluar më 1 qershor të 2019, u vunë përballë dy skuadra britanike, me Tottenham që shkonte për herë të parë në historinë e saj deri në këtë fazë të një kompeticioni të organizuar nga UEFA.

Jo më kot dhe ky 90 minutësh jo i zakontë shkoi në favor të Liverpool-it, që në fund falë fitores 0-2 fitoi për herë të gjashtë në histori Champions League. Për ‘the reds’ golat u realizuan nga Salah në minutën e dytë dhe Divorc Origi në minutën e 87. Më këtë trofe Liverpool sheh para dy skuadra, Milanin me 7 Champions League dhe Real Madrid me 13.

Premier League

Kampionati anglez ose ndryshe ‘Premier League’ ishte kompeticioni më konkurues në Europë për sezonin 2018-2019. Në fund pas 38 ndeshjesh fitues u shpall Manchester City që fitoi tiullin e dytë radhazi dhe të gjashtin në historinë e tij.

Gara ishte spektakolare dhe emocionuese deri në javën e fundit, që korespondon me 12 majin. Skuadra e drejtuar nga Guardiola falë 14 fitoreve radhazi në 14 ndeshjet e fundit u rendit e para me 98 pikë, vetëm 1 më shumë se Liverpool-I që e dërgoi në 29 numrin e viteve pa fitore në ‘Premier League’.

Seria A

Sezoni 2018-2019 në Seria A rezultoi një tjetër vit i dominuar nga Juventusi, skuadra e cila me Cristiano Ronaldo-n për herë të parë në gjirin e saj nuk e pati të vështirë të shpallej kampion. Për bardhezinjtë e drejtuar nga Allegri, që në fund të sezonit do të largohej për ti lënë vendin Mausio Sarri-t, ky ishte viti i tetë radhazi që shpallej kampion. Ndërkohë në total ky është kampionati numër 35.

Pritej që rrugës bardhezinjtë të hasnin pengesa nga Inter dhe Napoli, por të dy skuadrat e patën të vështirë të ngjiteshin në lartësinë e ‘zonjës së vjetër’. Zikaltërit e nisën jo mirë dhe me përplasjet brenda grupit dolën shpejt jashtë loje, ndërsa disi më ndryshe ishte Napoli që u dorëzua rrugës.

Matematikisht Juventus do të shpallej kampion më 20 prill në ndeshjen kundër Fiorentinës e cila u fitua me shifrat 2-1 dhe me golat e realizuar nga Ales Sandro dhe Pezella. Ndërkohë pas 38 javësh Juventus kishte grumbulluar 90 pikë, 11 më pak se Napoli i vendit të dytë.

La Liga

Në sezonin e parë pas 10 vitesh me Cristiano Ronaldo-n, La Liga do të mbyllej me triumfin e Barcelonës e cila me Lionel Messi-n në superformë e pati jo shumë të vështirë për të siguruar titullin e dytë radhazi. Edhe në rastet kur Real Madrid dhe Atletico u përpoqën ta rivalizonin Barcelona iu preu shpresat në përballjet direkte, duke dalë në çdo rast fituese.

Për të marrë matematikisht titullin e 26 në historinë e La Liga-s u desh të vinte data 28 prillë, në ndeshjen Barcelona-Levante e cila përfundoi me shifrat 1-0. Golin  e vetëm e realizoi Lionel Messi, i cili në fund të kampionatit kapi kuotën e 36 realizimeve në total.

Ndërkohë në fund, pas 38 javësh kampionat, Barcelona ishte e para me 87 pikë, 11 më shumë se Atletico Madrid e vendit të dytë dhe 19 më shumë se Real Madrid i vendit të tretë.

Bundesliga

Edicioni i 56 në historinë e Bundesligës do të përfundonte ashtu si 6 kampionatet e fundit që patën për fitues ekipin e Bayern Mynchen. Nën drejtimin e Kovac skuadra pati disa moment kur mund ti rrëshqiste këmba, por deri në fund nuk e lëshoi vendin e parë. Për Bayern ky do të ishte sezoni i shtatë radhazi që shpallej kampion, ndërsa në historinë e saj ky ishte titulli numër 29.

Vlen për tu theksuar se Bundesliga e këtij sezoni ishte e luftuar deri në javën e fundit, pasi në përfundim të 34 javëve Bayern Mynchen u rendit i pari me 78 pikë, 2 më shumë se Dortmundi i vendit të dytë. Diferencën mes skuadrave e bënë përballjet direkte ku Bayern Mynchen ishte edhe njëherë superior.

Topi i Artë

Ndryshe nga shumë sezone të tjera këtë vit pasti mjaft dyshime dhe diskutime për fituesin e Topit të Artë. Modric i cili ishte edhe fituesi në fuqi ishte larg një sezoni për këtë çmim dhe në piedestal u shfaqën edhe një herë dyshja që për 10 vite ka ndarë këtë trofe prestigjioz individual, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.

I pari vinte pas një sezoni ku u shpall golashënues me Barcelonën në La Liga si dhe fituesi i kampionatit. Mesi gjithashtu ishte edhe këpuca e artë e sezonit, por dështoi edhe një herë të bënte mirë me kombëtaren, pasi Argjentina u eliminua nga Brazili në Kupën e Amerikës, kompeticion të cilin më pas e fitoi ‘seleçao’.

Ndërkohë Ronaldo ishte larg shifrave të jashtëzakonshme të realizimit të golave që ishte mësuar te Real Madrid. Portugezi në sezonin e parë me Juventusin arriti të fitonte kampionatin, por nuk mori dot trofeun e golashënuesit më të mirë. Gjithsesi ajo që e favorizonte portugezin ishte edhe një herë perfomanca me kombëtare, pasi këtë vit fitoi Ligën e Kombeve.

Në garë për ‘Topin e Artë’ ishin edhe Van Dijk e Mohamed Salah, dy futbollistët e Liverpool që kishin fituar Champions League.

Gjithsesi trofeu filloi të paragjykohej disa muaj para se të akordohej çmimi. Fillimisht mediat në Itali bënë fitues Ronaldo-n, ndërsa ata në Spanjë më pas Messi-n. Ditën e ndarjes së çmimeve fituesi i pa qartë, pasi Ronaldo konfirmoi se nuk do të merrte pjesë. Në fund Messi bëri të vetin për herë të gjashtë në karrierë ‘Topin e Artë’, duke lënë pas Ronaldo-n me pesë të tillë. Kjo ishte edhe hera e parë në histori që një futbollist arrin një numër të tillë trofesh për ‘Topin e Artë.

Ne.k./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja