SPECIALE/ Gjuha Shqipe pas viteve ‘90 dhe rreziku i zhdukjes, studiuesit: Nevojitet një reformim në sistemin arsimor, të shmangen huazimet e panevojshme

Për Homerin shqiptar Gjergj Fishta “Gjuha shqipe” ka aq pasuri fjalësh e është plot gjallëri e jetë, sa mund të përkthehen në të edhe klasikët më të vjetër  e çdo kombi dhe çdo kohe”

"Un të pagëzonj pr`emën`t Atit e t`birit e t`shpirtit shenjt" (Formula e Pagëzimit, Pal Engjëlli)

Një fjali e shkurtër kishtare në mes të një shkrimi latinisht “Formula e Pagëzimit” e kryepeshkvit të Durrësit, Imzot Pal Engjëllit është më i vjetri ndër dokumentet e parë të shqipes së shkruar.

Shkruar në dialektin e veriut me shkronja latine kjo fjali i përket vitit 1462 dhe është zbuluar në një nga Bibliotekat e Milanos, në 1915 nga historiani rumun Nikola Jorgo.

Një dëshmi ekzistence mbi traditën e vjetër të shkrimit të shqipes është edhe fjalorthi i vogël i udhëtarit gjerman Arnold fon Harfit shkruar në alfabet latin  e që daton prej shek e XV-të si dokumenti i dytë në gjuhën shqipe.

Nga ajo kohë për më shumë 5 shekuj gjuha shqipe, një prej më të vjetrave indoevropine, evoloi për të ardhur në ditët e sotme ku teknologjia dhe modernizimi krahas pasurimit dhe ndryshimeve ka sjellë me vete dhe transformimet e saj.   

Ndryshimet që pësoi gjuha shqipe pas viteve 1990 u ndikuan dhe nga emigrimet e shqiptarëve në vendet e perëndimit por edhe në SHBA dhe Kanada.

Në përpjekje të përshtatjes dhe nevojës për t’u integruar familjet shqiptare e anashkaluan gjuhën e tyre edhe brenda mureve të shtëpisë. Kjo diasporë e re iu shtua hartës kur shqipja është një gjuhë në rrezik.

“Kemi një gjuhë zyrtare, standarde që flitet në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Kemi një gjuhë pakice në Bujanovc e Mal të Zi. Gjithashtu bllokun e ish –Jugosllavisë dhe Bosnjë. Pastaj kemi arvanitasit në Greqi dhe një pjesë e zhvendosur tek arbëreshët në Itali. Në këto troje ku flitet shqip shkalla e rrezikut të humbjes së gjuhës është nga më të ndryshmet. Nga ana tjetër, kemi dhe diasporën e re, edhe në vendet e Perëndimit, edhe në SHBA e Kanada. Gjeneratat e reja duke qenë nën trysninë e nevojës për t’u integruar me shoqërinë e vendit ku jetojnë gradualisht ata fillojnë e largohen. Sa i takon arealit në Shqipëri, pas viteve ’90 si shumë gjëra të tjera me ndryshimet politike dhe në gjuhë ndodhën disa ndryshime të mëdha”, thotë Rrokaj.   

Sukseset e zhvillimit të një gjuhe dhe formimi mbi të, për Rrokaj fillon të ndërtohet tek çdo individ si një proces natyror që në fëmijëri, përmes një mirëedukimi gjuhësor nga e cila varet më pas ecuria e një kombi, se sa e mbron dhe e ruan kulturën gjuhësore në përdorimin që i bën.

“Problemi kryesor është ai i shkollës, është problem i shtetit, i edukimit të shoqërisë. Gjuha shqipe është përtej standardit, është edhe dialekti. Është edhe e folmja. Dy investime janë bazë, një mësues i mirë dhe nje tekst e mirë. Nëse kemi një libër të mirë dhe një tekst të mirë, gjasat janë shumë të mbara për të përvetësuar gjuhën. Gjuha përpara se të jetë një e drejtë ligjore është një e drejtë natyrore. Ne duhet të edukojmë. Të edukosh do të thotë të kesh një shkollë të mirë, një mësues të mirë, libër të mirë, të kemi një proces sa më të plotë kulturimi”, vijoi Rrokaj.

Për studiuesin e gjuhës, Shezai Rrokaj problemet mbi gjuhën e folur dhe të shkruar shqipe nisin që në bankat e shkollës dhe se aty duhet të nisë një reformim rrënjësor, përmes ndjekjes së politikave shtetërore që e cojnë drejtimin e gjuhës aty ku duhet.

“Në të gjithë arritjet e reformave të vëndeve më të zhvilluara nëse duhet ta fillosh ndërtimin e një shoqërie duhet ta fillosh nga ndërtimi i shoqërisë së dijes. Se vetëm një shoqëri e tillë bën investime me sa më pak humbje. Vetëm kështu mendoj se një reformë arsimore jep produkt në shkollë, sepse merr brumin më të mirë dhe brumi i mirë është ai që edukon”, tha Rrokaj.

Sipas Rrokaj një nga problematikat në keqpërdorimin e gjuhës vjen për shkak se tekstet dhe kurrikulat në sistemin arsimor shpesh ofrojnë një terminologji jo të unifikuar .

“Në këtë rast ka probleme të mëdha në mënyrën se si janë ndërtuar tekstet. Për shembull, tekstet e gjuhës shqipe kanë një problem që ndryshojnë nga tekstet e tjera se ndryshe është në Fizikë, Kimi apo Matematikë që duhet të mësosh konceptet. T’i mëshojmë më shumë procesit natyror të përvetësimit të gjuhës shqipe sesa procesit metalinguistik të gjuhës. Përse duhet të zgjedhë një i ri të bëhet mësues, njerëzit janë pragmatistë në jetë. Mësuesi është shumë i rëndësishëm sepse ai do të na përgatisë edhe inxhinierin e mire, edhe mësuesin e gjuhës shqipe më të mirë”, vijoi ai.

E kundërta ka ndodhur me arbëreshët e Italisë. Gjuha e vjetër e toskëve të Shqipërisë së Jugut, arbërishtja është ajo që vijon të ruhet ende në disa krahina të jugut të Italisë.

“E mbsuame e krështerë”, shkruar në vitin 1592, përbën dokumentin e parë filologjik të toskërishtes së vjetër, ku gjurmohet në gërma e fjalë arbërishtja e shkruar nga prifti katolik në Sicili, Lekë Matrenga.

Një nga ata që shtron rrugën dhe ruan kujtesën e pafshirë të gjuhës arbëreshë e që sot jeton në Sicili të Italisë është shkrimtari dhe dramturgu Mario Caliva.

Në një intervistë për Report Tv Caliva tregon se pak kanë mbetur nga ai numër i vogël i komunitetit arbëresh në Sicili, por, se për të një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe trashëgiminë e gjuhës së Jeronim De Radës tek brezat më të rinj luan vetë familja.

“Besoj se sidomos për brezat e rinj është shumë e rëndësishme, që të mbajnë e flasin gjuhën e prindërve sepse  një komponent i madh i identitetit është gjuha pasi ajo është e rëndësishme për dialogun ndërkulturor, për rritjen dhe njohjen e tjetrit. Sepse është një armë kundër rracizmit të përditshëm, por është në dobi edhe të qytetarëve që mirëpresin emigrantët shqiptarë e arbëresh sepse falë tyre ata e njohin të ndryshmen, mësohen të respektojnë dhe të krijojnë një dialog ndërkulturor”, thotë shkrimtari.

Teksa flet mbi rëndësinë e nevojës së eksplorimit të gjuhës arbëreshe, ai tregon se çdo gjuhë mund të ruhet me kultivimin e saj edhe përmes ndërmarrjes së projekteve kulture.

“Edhe një shkrimtar arbëresh me ndjeshmëri minimale duhet ta eksplorojë gjuhën shqipe dhe të përpiqet që ta përdorë. Mendoj se duhet t’i japim gjuhës tonë vendin që meriton. Rajonet ku flitet gjuha shqipe sot në Itali është Kalabria, Siçilia, Hulia etj. Në mëndimin tim, një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e gjuhës tonë e kanë familjet. Gjithçka fillon prej andej. Nga operatorët kulturorë është e rëndësishme të krijohet ajo vetëdija, që është baza e çdo procesi që çon në mbrojtjen e gjuhës me projekte teatrale, letrare, muzikore”, vijon Caliva.

Eksperimentet mbi përdorimin e gjuhës vazhdojnë çdo ditë në të gjitha fushat duke filluar nga rrjetet sociale, medie, radio por rrezikun kryesor në humbjet që pëson gjuha sot për gjuhëtarët qëndron tek keqpërdorimi që i bëhet.

“Rrezikun unë e shoh tek gjuha, jo tek të folurit dhe të shkruarit sepse janë aktivizim i fjalorit dhe gramatikës gjuhësore që kemi ne në tru. Në qoftë se të folurit e sotëm dhe të shkruarit sot nuk respektojnë normat e gramatikës, nuk i referohen ose nuk përdorin fjalët normative të fjalorit atëherë rrezikohet gjuha. Sepse të folurit është realizim i gjuhës. Gjuha është si një magazinë, ku ka norma morfologjike, sintaksore etj. Kultura e një njeriu të qytetëruar përfshin edhe atë, që quhet kultura gjuhësore, dhe kjo kulturë gjuhësore në fazën e sotme është përtokë. Dhe këtë e shohim tek ligjërimi publik, kam parasysh folësit e televizioneve ku shpesh ata përbëjnë modelin e keq se si nuk duhet folur”, thotë Memushaj.

Edhe pse janë një mënyrë e pasurimit dhe ndërkëmbim kulturor huazimet e tepërta ose fjalët e huaja të panevojshme janë një problem që po varfërojnë leksikun e shqipes, për Memushaj.

“Ka shumë terminologji që kanë ardhur nga gjuhët gjermanike, greko-romake, apo edhe gjuhët e sotme që kanë ndikimin e tyre në gjuhën shqipe.. A duhet të pranojmë tezën e pranimit të fjalëve të huaja? Patjetër, gjuhët duhet të huazojmë fjalë të cilat ato nuk i kanë në traditën e tyre, pra ato që kemi nevojë. Gjuha dhe njeriu kanë një lidhje shumë natyrore. Nuk presin ato që të marrin këshilla nga gjuhëtarët. Fjalët futen me shpejtësi me nevojën e përdorimit, por, qytetarët, studiuesit i rikthehen pjesës vitale të gjuhës dhe mbajnë vetëm ato fjalë për të cilën kanë nevojë të tjerat mbeten vetëm një produkt historik”, u shpreh Rrokaj.

“Ne kemi kaluar tani tek një shqiplishte, domethënë i shqiptojmë fjalët shpesh me theks si anglishtja të tëra me theks në rrokjen e parë. Ne përdorim shumë fjalë të anglishtes, është gjithnjë fjala për huazimet e panevojshme. Atëherë kjo shkon në dëm të gjuhës. Kur folësi përdor fjalë të tilla të panevojshme dhe lë fjalën shqipe, kjo e dëmton gjuhën kjo e varfëron leksikun e gjuhës”, tha Memushaj.

Teksa e shohin fjalësin normativ të gjuhës të rrezikuar, gjuhëtarët Memushaj dhe Rrokaj  theksojnë rëndësinë e një rikonceptimi të programeve arsimore për sistemin 9-vjeçar dhe atij të mesëm.

“Gjuhësia pas vitete ‘90 ka shumë borxhe nuk ka punuar si duhet. Baza është 9 vjeçarja. Këtu programet e gjuhës lënë për të dëshiruar. Programet kanë një copëzim të tillë lëndës që nuk lejon që të lidhen temat me njëra-tjetrën ose kanë përsëritje që e bëjnë të bezdisshëm mësimin e gjuhës. Pra, programet duhen rikonceptuar duhet të ketë një vijueshmëria të hallkave të shkollës 9-vjeçare”, vijon Memushaj.

Me një traditë të gjatë shekullore të shkruar duke filluar nga shekulli XVI-të me “Mesharin”, librin e parë në gjuhën shqipe të Gjon Buzukut, e duke vazhduar me veprat e Frang Bardhit, Pjetër Bogdanit për të pasuar me periudhën e Rilindjes Kombëtare të lëvrimit të gjuhës shqipe me autorët Kostandin Kristoforidhi, Naum Veqilharxhi etj.

Janë këto vepra të cilat ende dëshmojnë se gjuha shqipe ka ditur t’i mbijetojë luftërave e vështirësive ndër shekuj për t’u zhvilluar dhe evoluar duke ardhur deri në ditët sot ku, e vetmja mënyrë për të ruajtur identitetin tonë është ta duam gjuhën, atë të cilën na jep përkatësi.

SI.E./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Bruksel/ Në pritje të nisjes së Samitit, Rama takohet me Komisioneren e BE-së për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin, Marta Kos

Bruksel/ Në pritje të nisjes së Samitit, Rama takohet me Komisioneren e BE-së për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin, Marta Kos