Historia e një përdoruesi të drogës, të jetosh 25 vite mes heroinës dhe kokainës

Varësia nga droga, i ka ndryshuar jetën këtij 47 vjeçari. Ishte vetëm 22 vjeç kur u bë përdoruesi i lëndëve narkotike dhe më pas të krijonte varësinë prej tyre. Ndonëse prej 12 vitesh ai është edhe kryefamiljar, kjo nuk e ka bërë që të heq dorë nga ky ves. Për Report TV, 47-vjeçari  ka rrëfyer historinë e tij, duke kërkuar ruajtjen e anonimatit si edhe duke na treguar se sa e thjeshtë është të biesh pre e lëndëve narkotike.

Si e nisët drogën?

Në shtator të vitit 1993 vjen një shok nga Italia, edhe thotë ikim për një kafe? Dolëm, ne thamë për kafe, ku e dinim ne çfarë ishte ajo. U futëm në disko dhe na shtroi disa viza të bardha. Futja tha nga një vizë. Çfarë është kjo e pyetëm, po provoje njëherë tha pastaj flasim. E provuam, na shijoi edhe që atëherë nuk e kemi lënë.

Sa vjeç ishit kur e provuat për herë të parë?

Në 1993, , isha 22 vjeç.

Dhe prej sa vitesh jeni përdorues?

Prej 25 vitesh

Familja juaj e di që ju jeni përdorues?

Normal që e dinë, me familjen po jetoj. Nusja domethënë, kurse prindërit e kanë ditur që në fillim.

Keni pasur ndonjëherë probleme me drejtësinë?

Jo, domethënë në burg kemi qenë ne se çuna jemi. Dy herë kemi qenë në burg nga 4-5 muaj. Problem tjetër jo.

Cilat kanë qenë vendet ku ju e merrnit drogën?

Vendet këtu në Tiranë? Po vende ka sa të duash. Te Zogu i Zi që ka qenë pika e parë, Laprakë, atje ku rrimë. Ka sa të duash, vende ka Tirana plot.

Sa kushton një dozë heroinë?

Po varet, ka gram, ka gjysmë grami.

Ju sa paguani në përgjithësi?

10 mijë, 15, 30 mijë lekë, varet sa të kemi.

Ju i keni të ardhurat për ta përballuar?

Po në punë jam. Kur kam lek marr të bardhën, se nuk e kemi dhe aq të nevojshme. E marrim për qejf.

Më trego një moment të vështirë në jetën tënde.

Që kur e kemi filluar, të vështirë e kemi pasur përherë. Nuk e kemi pasur të lehtë.

Çfarë problematikash ka pasur për ty?

Ana financiare në radhë të parë. Që duhet patjetër.

Ju keni edhe fëmijë?

Po

Ka ndodhur ndonjëherë që fëmijët tuaj t’ju kenë parë nën efektin e drogës?

Jo, jo. Shyqyr aty te shtëpia nuk e bëj. Unë përherë jashtë e bëj. Në shtëpi nuk e bëj asnjëherë.

Të heqësh dorë nga droga është ndoshta një prej gjërave më të vështira. Pavarësisht metodave që janë në qarkullim, shumë prej përdoruesve të drogës nuk e kanë vullnetin për të hequr dorë. Të njëjtën gjë pohon edhe 47-vjeçari.

Ju keni tentuar ndonjëherë ta lini drogën?

E kemi lënë një vit e gjysmë ose dy, edhe e kemi filluar prap. Kaq ka qenë më e gjata. Nuk e imagjinoj ndonjëherë me e lënë po ku i dihet, ndoshta. Çfarë nuk bën vaki, po s'ma merr mendja.

Keni tentuar ta lini me metadon?

Jo, vështirë nuk lihet. Metadoni është më keq se droga. Me drogë do e kesh 3 ditë sikletin, me metadonin do e kesh 2 muaj. Ky nuk është metadon, ky është vdekje.

Keni përfunduar ndonjëherë në spital?

Jo, jo në spital shyqyr zotit akoma.

Çfarë ju mban peng për mos ta lënë drogën?

Po ja pra që s'ka qendër të na ndihmojë. Ky metadoni është më zi se droga.

Po ju vetë me vullnetin tuaj?

E kemi lënë kur ishim të rinj, po jo tani. Nuk lihet tani, 25 vjet duke u pirë drogë dhe ta lësh tani? Nuk lihet asnjëherë.

Në lidhje me këtë fenomen kaq shqetësues për shoqërinë, ka folur edhe mjeku toksikolog, Alert Drishti. Ai tregon se si duhet vepruar pasi merret iniciativa për të hequr dorë nga droga, si edhe alternativat që i ofrohen përdoruesve të drogës.

"Varësia është një ves. Ves me të cilin pacienti është mësuar të jetojë bashkë me të. Kështu edhe largimi nga kjo substancë është i vështirë dhe kërkon ndihma. Ndihma të cilat vijnë nga të gjitha fushat që nga fushat mjekësore, dhe ato sociale, domethënë të gjitha fushat të cilat mund të kontribuojnë në largimin e këtij paciente nga vesi. Edhe masat që merren për mos futjen e këtyre substancave në treg, edhe shoqëria, edhe organizata jo qeveritare, pothuajse të gjitha fushat mund të kontribuojnë", u shpreh Drishti.

Cila është droga që krijon më tepër varësi nga të gjitha?

Edhe këtu nuk mund të themi nëse kemi një drogë që jep më tepër varësi. Të gjitha drogat japin varësi, në shkallë të ndryshme në individ të ndryshëm. Pra, nuk mund të përcaktojmë që kjo është droga që ka më shumë varësi.

Një person që tenton të heqë dorë nga droga, si vepron? Si trajtohet?

Një person që kërkon të heqë dorë nga vesi i tij, pra nga marrja e një substance të caktuar, hapi i parë është që ai duhet të shprehi dëshirën, dhe dera e parë ku trokitet është dera e shtëpisë. Këtë duhet ta ndaj me familjarët. Të jetë i sinqertë në atë çfarë ai kërkon. Pra ai kërkon ta lërë, por çfarë kërkon për ta lënë këtë drogë. Sigurisht unë duke qenë mjek do fokusohem në anën mjekësore, dhe trokitja e parë në fushën e mjekësisë është mjeku i familjes. Aty bëhet një vizitë, dhe mjeku i familjes ia rekomandon specialistit të zonës. Specialisti i zonës më pas shikon problemin që ka pacienti, e më pas e adreson në klinikën tonë, e cila është klinikë unike në Shqipëri, ku merret pikërisht me detoksifikimin e pacientit nga substanca. Detoksifikimi është procedura që bën pastrimin e trupit nga substanca, dhe ndihmon pacientin duke i lehtësuar vuajtjet nga ajo që quhet “kriza e abstinencës”. Pas këtij momenti nuk ka mbaruar procedura mjekësore, pasi vjen ajo e rehabilitimit, e cila është një procedurë jo spitalore që trajtohet në literaturën tonë në dy mënyra, ose me trajtim rezidencial, pra në qendra ku ndodhen persona me të njëjtin problem, ku marrin mbështetje edhe psikologjike. Pra ka një psikolog i cili bën séance të herë pas hershme. Por kemi edhe atë jorezidencial, pra merren mjekimet mbështetëse që quhen. Jo çdo substancë ka mjekime të tilla, por ja për shembull, heroina ka një mjekim që bëhet me doza zbritëse.

Numri i përdoruesve të drogës sa vjen dhe shtohet, e për fat të keq janë të rinjtë ata të cilët bien pre e këtij vesi që të kushton edhe jetën. Edhe pse 47-vjeçari shprehet se nuk e ka iniciativën për të hequr dorë nga droga, ai e mbyll rrëfimin e tij me një mesazh për të gjithë të rinjtë.

"I them të gjithë të rinjve mos ta provojnë. Më mirë të biesh në burg, se sa ta provosh. Drogën mos e provoftë as hasmi".

 

B.K.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja