Të ardhurit e parë, (1 maj 1951) ishin të përndjekurit nga terrori sllavo-komunist në vitin 1945, kurse vala e dytë e të ardhurve u bë pas gjenocidit, përndjekjeve të shqiptarëve nga regjimi gjakatar i Beogradit, në vitin 1999 në Kosovë. Kategoria e këtyre të parëve gjithmonë qenë në shënjestër të qeverive komuniste në Shqipëri e Jugosllavi. Ata ishin shpallur padrejtësisht reaksionarë, tradhtarë, kolaboracionistë, agjentë të huaj e çka jo tjetër dhe për çudi kjo propagandë kish zënë vend në mendjet e njerëzve.
Deri në vitet e përmbysjes së komunizmit ata e patën të ndaluar të kthehen në vendlindjet e tyre. Shumë prej tyre shkuan nga kjo botë me merakun në zemër që atdheun nuk e panë kurrë më. Shqiptarët në Zelandë të Re, si ata të parët edhe këta të vitit 1999 dallohen si punëtorë të vyeshëm, besnikë, taksapagues të rregullt, respektues të ligjeve dhe zakoneve të shtetit ku janë vendosur. Për gjithë kohën sa janë shqiptarët në Zelandë nuk është dëgjuar që ndonjëri prej tyre të ketë bërë vepër penale.
Aotearoa, siç e quajtën Zelandën e Re ardhësit e parë maorët, (shqip: toka mbi të cilën qëndrojnë re të mëdha e të bardha), ndodhet në anën jugperëndimore të Oqeanit Paqësor, 8,000 km. larg bregdetit të Amerikës jugore, kurse në veri 2,000 km e ndajnë nga bregu i Australisë lindore. Me një sipërfaqe 269,000 km katrorë, e përafërt me Britaninë e Madhe dhe Japoninë. Në strukturën etnike mbizotëron popullsia e ardhur evropiane. Zelanda përbëhet prej dy ishujve kryesorë: ishullit verior dhe atij jugor. Toka e reve të mëdha e të bardha është tokë kodrinore vullkanike e pasur me bimësi, lumenj, ujëra termalë, liqene, ujëvara dhe me vargmale e kodra.
Lundërtari holandez Abel Tasman Evropiani i parë në Aotearoa Evropiani i parë që shkeli në Aotearoa ishte lundërtari holandez Abel Tasman, në vitin 1642, i cili qëndroi për pak kohë përgjatë bregut perëndimor dhe sipas regjionit të Zelandës në Holandë ishullin e posa vizituar e quajti “Zelanda e Re”. Pas 127 vjetëve pason vizita e kapitenit anglez James Cook me marinarët e tij, që erdhi nga Tahiti, 1769. Në vitin 1814 për herë të parë vijnë misionarë anglezë për përhapjen e fesë krishtere.
Më 6 shkurt 1840 pas nënshkrimit të traktatit mes vendësve /MAORI/ dhe përfaqësuesit të mbretëreshës Viktoria, në qytezën Ëaitangi, Britania e Madhe e shpalli koloni të veten Zelandën e Re. Në vitet që pasuan ardhjet vazhduan me intensitet më të shtuar nga Britania e Madhe, kurse më vonë edhe nga shtetet e tjera të Evropës, të Azisë... Sot në ketë shtet me mbi 4 milionë banorë bashkëjetojnë në harmoni të plotë shumë kultura, gjuhë e raca njerëzish, në mesin e tyre edhe shqiptarë që erdhën këtu pas aplikimit të sistemit sllavo-komunist të vitit 1945 në tokat shqiptare, pra në fillim të dekadës së pestë të shekullit XX.
Kronika e migrimeve të shqiptarëve në shtetin e paqes, qetësisë e të rregullit janë pjesë e historisë së dhimbshme të zhvendosjeve me represion e dhunë nga tokat e tyre. Mërgata shqiptare në Zelandë të Re është një ndër mërgatat më të reja shikuar në pikëpamje të kohës së mërgimit nga të gjitha bashkësitë e tjera shqiptare nëpër botë.
Shqiptarët në Ishullin e largët erdhën me vaporin “Goya”
Për emigrimin e shqiptarëve të parë, në Zelandë të Re, rrëfen Petrit Alliu, njëri nga emigrantët e parë në Zelandë të Re. "Nga Stambolli me vaporin "Goya" kemi mbërritur në Zelandë më 1 maj 1951. Numri i saktë nuk me kujtohet, por ishim më tepër se 60 shqiptarë, që të gjithë meshkuj dhe tė rinj nga të gjitha trojet etnike tona. Po i përmend disa prej tyre: Fadil Kaceli, Shaqir Seferi /i ndjerë/, Besim Kazazi /i ndjerë/ e Lulzim Pogoni nga Tirana, Shaban Kryeziu, Jorgji Harillamsi, Halit Bajrami, (ish-ushtarak e punëtor i sigurimit që bashkë me Xhevdet Mustafën dhe Sabaudin Hazendarin më 24 shtator 1982 kishte zbarkuar si diversant në Divjakë (Shqipëri).
Xhevdeti dhe Sabaudini vriten nga agjentet e Sigurimit Shqiptar, kurse Haliti vetëdorëzohet. Pas një qëndrimi në “burg” në Shqipëri kthehet në Zelandë të Re. Vdiq në Auckland, me gjasë në vitin 2007), Bahri Kavaja nga Shkodra, Masar Krasniqi nga Prishtina, Zydi Zequllari e Islam Kulla /i ndjerë/ nga Korça, Bajram Murati ( i ndjerë) nga Vlora, Musa Hajdari nga Muzeqina, Nevruz Mullaj nga Gjirokastra, Sabahudin Qefaliu e Qamil Hasani, nga Tetova, Ramazan Daja /i ndjerė/ nga Petrela, Kamber Rustemi /i vrarë nga UDB-ja në Australi, nga Vlora/, Vilson Shkambi, Xhelo Resuli, K. Myrteza, Ramadan Nazifi /i ndjerë/ nga Labëria, Nazmi Mehmeti nga Gostivari dhe të tjerë. Mënyra se si morëm botën në sy ishte shumë e dhimbshme, thotë, z. Alliu.
"Secili prej nesh ka historinë e vet rrëqethëse e të llahtarshme gjatë arratisjes nga vendlindja". Në vaporin “Goya” përveç shqiptarëve kishte edhe rumunë, bullgarë, sllovenë e boshnjakë. Së pari na vendosen në Pahitua, qytezë afër kryeqytetit Ëellington. Pas 6 javëve na shpërndanë gjithandej Zelandës nëpër ferma duke na pajisur me nga një kartë identifikimi dhe leje për punë. Shpejt e gjetëm veten dhe për pak kohë u adaptuam në rrethin e ri. Pas dy vjetësh kishim të drejtë për t’u vendosur e për të punuar aty ku donim vetë. Disa prej nesh u vendosem në qytetin e Aucklandit.
(Vijon nesër...)
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 31 Mars 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)