Speciale/ Mark Palnikaj: Rikthimi i Bogdanit, 330 vjet pa varr! Osmanët i shkulën eshtrat dhe ua hodhën qenve(VIDEO)

Pjetër Bogdani, misionar katolik, dijetar e patriot i madh, 330 vjet nga vdekja e tij kishte ngelur pa varr.  Mark Palnikaj në një intervistë ekskluzivisht për Report tv, rrëfen historinë e jetës së tij, të përzier me lavdinë dhe tragjedinë e kombit, një jetë që e kaloi përmes fitoreve dhe trazirave të kryengritjeve shqiptare  për çlirimin nga sundimi osman.

“Prijësi ynë, imzot Bogdani, gjithë kohën ishte në krye të kryengritjeve të arbërorëve. Në Prishtinë forcat vendëse e dëbuan ushtrinë tartare dy herë. Vendasit luftonin për jetë a vdekje, sepse e dinin çfarë i priste, po u futën tartarët e turqit në qytet. Herën e parë, kur tartarët e rimorën qytetin, masakruan burra e gra, vranë pleq e fëmijë e dogjën gjysmën e qytetit. Kështu,kësaj here, kjo farë e keqe u dëbua përtej Grykës së Llapit.”, - shkruanin kronikanët e kohës

Por vala e triumfit u shua shpejt. Në atë mot të largët ra një murtajë tinëzare që shkretoi tokat e Arbrit.

Nga kjo sëmundje, Pjetër Bogdani humbi jetën, në dhjetor të vitit 1689, ku dhimbja për arbrit, që po kositeshin një nga një nga murtaja, nuk do të ndalej me kaq.  

Eshtrat e klerikut, patriotit dhe dijetarit të madh u zhvarrosën nga trupat tartare dhe osmane dhe iu hodhën qenve. Dhunimi i varrit të Bogdanit do të mbetej një plagë e hapur në historinë shqiptare, ndërsa vepra e tij, pjesërisht e zhdukur e pjesërisht e ruajtur në arkivat sekrete të Vatikanit, mbeti fanar ndriçues për rilindjen e kombit shqiptar përgjatë kalvarit të pushtimeve.

Historia e dhunimit te varrit të Bogdanit nga osmanët, e ka prekur dhe intriguar përherë e më shumë studiuesin e arkivave Mark Palnikaj, i cili duke kërkuar të dhëna e dokumente, në arkivat e Vatikanit, në studimet e akademikëve shqiptarë dhe më gjerë ka insistuar që varri i Bogdanit të kthehej në vendin ku ka qenë, atje në kishën e Shën e Premtes, në themelet e së cilës pas një zije fatale  që mbuloi arbërit e veriut 3 shekuj më parë, u ngrit - "Xhamia e Mbretit” nga sunduesit osmanë. Xhamia ngrihet mbi mbi e një kishe paleokristiane, ku mbi të ishte ngritur një bazilike bizantine, e themelet bazë janë të një tempulli pagan ilir.

Intervista

Zoti Palnikaj, ju shpesh shkoni në Arkivat e Vatikanit për të gjurmuar dokumente që i përkasin historisë shqiptare, historisë kryesisht së Mesjetës, por dhe më gjerë. Përse tregohet gjithë ky interes juaji, gjithë ky përkushtim për të gjurmuar arkivat atje?

-Kam shkuar në Arkivat e Italisë, në Napoli, në Arkivin e Shtetit dhe në Arkivin Mbretëror. Kam shkuar në arkivin e ortodoksëve të besimit të krishterë të ritit roman, jo bizantin në Grottaferrata, ku është një arkiv shumë i madh jo bizantin dhe në Arkivin e Padovës, në Arkivin e Loretos, të universitetit ku kanë mbaruar 124 shqiptarë që nga viti 1585 deri në vitin 1860, dhe në  Arkivin e Padovës, ku është shtypur “Çeta e profetëve” e Pjetër Bogdanit në vitin 1685 dhe në Arkivat e Venecias, që janë 270 kilometra arkiva, një nga arkivat më të mëdha të botës . Aty gjen shumë arkiva pjesë të historisë sonë që fatkeqësisht nuk është shkruar plotësisht, është shkruar vetëm pjesërisht dhe janë qindra e mijëra dokumente që presin të shohin dritën e publikimit dhe të zbardhjes së historisë shqiptare.

Këtë vit shënohet 330-vjetori i vdekjes së Pjetër Bogdanit, një nga figurat më të shquara shumëdimensionale e historisë së mesjetës, madje të një periudhe të vështirë të Mesjetës shqiptare, çfarë keni zbuluar rreth kësaj figure dhe ç’mund të na thoni për prurjet e reja?

-Pjetër Bogdani është njëri nga 220 shqiptarët që kanë studiuar nga viti 1555 deri në vitin 1909 në tri kolegjet italiane, në Kolegjin Ilirik, në Kolegjin e Fermës dhe në Kolegjin Urbanian të Vatikanit.   Këta persona që kanë mbaruar këto shkolla, përveç punëve fetare dhe kontributin e shkollimit në Shqipëri, ata kanë bërë një punë të pamohueshme për kulturën dhe gjuhën shqipe. Madje janë marrë edhe deri me formacionet luftarake në koalicionet luftarake, në luftë kundra turqve për çlirimin e Shqipërisë. Pjetër Bogdani, Frang Bardhi, Pjetër Budi, Gjon Buzuku kanë qenë personalitete që kanë bërë shumë për gjuhën shqipe. Kanë bërë libra, kanë bërë fjalorë, kanë përkthyer tekstet fetare. Por, përkthimet në gjuhën shqipe kanë qenë një kontribut i madh për shkrimin dhe lëvrimin e gjuhës shqipe dhe për këtë problem studiuesit tanë në Shqipëri e në Kosovë kanë bërë disa volume me mijëra faqe studime për fjalorin, për leksikun. Në këta njerëz që kanë mbaruar shkollat, në këta 240 klerikë, një pjesë e tyre kanë arritur grada të larta të Ipeshkëve. Më e madhja gradë. Tani ata janë shumë që kanë dhënë kontribute të tilla dhe ne Bogdanin nuk do ta trajtojmë si klerik. Si klerik ai është si të tjerët, është i nderuar dhe e ka kryer detyrën aq sa ia kanë ngarkuar. Ne do ta trajtojmë si shkencëtar dhe si atdhetar. Si shkencëtar duhet vlerësuar që në moshën 31- vjeçare kishte mbrojtur jo një por dy doktoratura. Është doktori i parë shqiptar me këtë titull. E dyta, është fakti që ai në luftën Austro-Turke, të vitit 1686 deri në vitin 1689, ai u radhit me 1200 mijë shqiptarë të Veriut të Shqipërisë, Mirditorë Pukë, Tropoja e sotme se në atë kohë janë quajtur Pulti e Sapa, etj, dhe u bashkuan me Pikolominin, një oficer austriak dhe i vunë përpara turqit dhe i përzunë deri në Lumë e deri afër Shkupit, e çliruan dhe Shkupin. Ne atë kohë, shteti francez i shpalli luftë shtetit Austro-Hungarez dhe austriakët duke u vendosur mes dy zjarreve të luftës bënë marrëveshje paqeje. Në atë kohë turqit u kthyen në territoret që ishin çliruar, duke u rikthyer nga Luma e duke pushtuar sërish Prizrenin, Janevën e deri në Prishtinë e deri në Mitrovicë, e deri në Bosnje. Dhe në këtë rast ata u hakmorën shumë kundra popullit shqiptar që ishte radhitur me forcat e koalicionit antiturk. Për këtë unë kam përgatitur një libër me 250 faqe, me dokumente të atyre viteve dhe për këtë kemi marrë në Vatikan dhe në Napoli  243 faqe dorëshkrime të pabotuara, që nuk janë botuar ndonjëherë, të papublikuara, që hedhin dritë mbi atë masakër që bënë turqit pas kësaj lufte. Në këtë luftë Pjetër Bogdani humbi edhe Gramatikën Shqipe që kishte bërë xhaxhai i tij. Pas luftës ra dhe murtaja dhe Pjetër Bogdani vdiq nga murtaja në Prishtinë. Meqenëse Prishtina më 6 dhjetor 1689 ishte akoma e çliruar, që e kishin çliruar austriakët dhe koalicioni, ai u varros në Katedralen e Prishtinës dhe ndenji për dy javë. Varrosja në Katedralen e Prishtinës, ka qenë një ngjarje e improvizuar, sepse Katedralja e Dioqezës së Kosovës që në atë kohë ishte quajtur e Serbisë, ka qenë në Shkup. Katedralja e Shkupit 40 vjet më parë se të ndodhte kjo ngjarje ishte kthyer në xhami. Mbas vdekjes së Pjetër Bogdanit dhe mbas paqes që u bë midis turqve dhe austro-hungarezëve, turqit u hakmorën shumë ashpër me popullsinë shqiptare që u radhit në koalicion me austriakët.... Unë kam marrë në Itali 243 faqe dorëshkrime, manuskripte i quajnë ata, dhe i kam rishkruar. I kam bërë gati për botim dhe ato do botohen brenda dy muajsh, ku tregohet se sa shumë i dënoi turku këto zona.

Dokumente për Bogdanin ke gjetur?
-Ai ka lënë 400 letra të shkruara me dorën e tij gjatë 30 vjetëve që ka shërbyer në Shkodër, dhe në Kosovë dhe në Tivar. Ka lënë mbi 400 letra.

Çfarë përmbajtje kanë?
-Këto dokumente kanë një përmbajtje të jashtëzakonshme historike dhe kombëtare, shumë më tepër se fetare. Janë pasqyrë e jetës shumë të vështirë që bënte populli ynë nën sunduesit osmanë.

Të vemi tek dokumenti që fakton mënyrën sesi është varrosur Pjetër Bogdani dhe çfarë ka ndodhur me varrin e tij?
-Dy javë pas vdekjes, turqit janë kthyer në Prishtinë. E kanë rivendosur gjendjen e pushtimit. Kanë shkuar në kishën e vetme që ka qenë në Prishtinë, për të cilin ne kemi dokumentin direkt nga Vatikani, tek Propaganda Fide. Atje shkruhet që “Kisha e Shënepremtes, një milje e gjysmë larg qendrës së qytetit, ku është varrosur Bogdani”, dhe në datën 20 e kanë zhvarrosur ua kanë hedhë qenve eshtrat e tij dhe kishën e kanë kthyer në xhami.  Në këtë rast, nipi i Bogdanit, Gjon Bogdani, nga Kisha e Shoshit, që ishte pjesë e Dioqezës së Pultit, po është diku tek 150 kilometra larg nga Prishtina, ka shkruar një relacion trefaqësh, që flasin për zhvarrimin dhe për hedhjen qenve. Kjo ka qenë një gjë shumë e rëndë.

Ku gjenden shenjat e varrit të Bogdanit?
-Varri ka qenë Brenda në Kishën e Shënepremtes, dhe kjo është kthyer në xhami që quhet xhamia e Mbretit.

Gjenden në këtë xhami sot shenjat e varrit?
-Varri është aty, sepse është në dysheme, i mbuluar e me pllaka, por ai është pa kocka.

Çfarë mendoni ju për ta kujtuar këtë varr, si shenjë historie?
-Problemi është paksa i komplikuar. Po të nisemi me të drejtën e Zotit dhe me të drejtën e ligjeve bashkëkohore që janë europaine, sendi i marrë me dhunë i kthehet të zotit. Por ka edhe një opsion, që mbas 330-vjetësh duhet marrë edhe miratimi i besimtarëve myslimanë në Kosovë dhe duhet negociuar. Duhet bërë një memorial tek vendi ku është varrosur, dhe aty përballë xhamisë le të behet muzeu i Bogdanit. Kjo është një zgjidhje kompromisi. Ndërsa zgjidhja më e mirë do të ishte që besimtarët myslimanë në Kosovë të jepnin konsensusin që xhamia të kthehet në monument kulturor, sepse ka qenë kishë, u bë Xhami, e kështu me radhë. Unë kam dhjetë vjet që marrë dokumente në arkivat italiane dhe ne nuk duam konflikt fetar për këtë problem, por ky është një problem atdhetar.

Ju pretendoni se ka shumë arkiva që ruajnë pjesën tjetër të panjohur të Bogdanit në arkivat italiane, çfarë mungon që duhet plotësuar nga jeta dhe vepra e Bogdanit?

-Të kërkohen veprat. Disa vepra i kanë skedat, por nuk janë. Duhet të verifikohen ku kanë përfunduar arkivat...

            ***

Prehja e fundme simbolike e Pjetër Bogdanit pas 330 vjetësh të dhunimit nga osmanët do të arrihej vetëm pak ditë më parë. Me 6 dhjetor Dioqeza Prizren-Prishtinë organizoi rivarrimin simbolik të imzot Pjetër Bogdanit me rastin e 330-vjetorit të kalimit të tij në amshim.

I lindur në Gur të Hasit, Pjetër Bogdani kaloi një jetë prej meshtarit, ai u bë arqipeshkëv dhe ndërkohë ishte kryengritësi me armë në dorë.

Vepra e tij “Çeta e profetëve” konsiderohet si e para vepër në prozë e botuar në shqip. Para 330 vjetësh i humbur fizikisht, Pjetër Bogdani doktori i filozofisë dhe teologjisë nga sot e tutje do të ketë një varr përkujtimor në qendër të Prishtinës.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK