Në një qoshe të qytetit të Vlorës, zhurma e tornos degjohet ende. Është zëri i një epoke që po shuhet ngadalë. Brenda kësaj punishteje modeste, prej më shumë se gjashtë dekadash, Elam Zeqiraj vazhdon të punojë me të njëjtin pasion si ditën e parë.

Ai kaluar 63 vite të jetës së tij pranë tornos, një makineri që dikur ishte qendra  e prodhimit industrial. Në kohën kur Shqipëria ishte e izoluar dhe mungesat teknologjike përdoreshin si sfidë për mjeshtërinë, puna e Elamit ishte jetike për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e automjeteve.

Sot, në moshën 79-vjeçare, ai është nder te vetmit te  mbetur që ende e mbajne gjallë këtë zanat.

Nuk ka më punë,” thotë Elami me një buzëqeshje të hidhur, “kam pesë ditë që hap punishen dhe nuk kam pasur asnjë klient. Të rinjtë nuk e duan më këtë profesion, nuk i mban dot ekonomikisht.”

Industria e pjesëve mekanike ka përparuar, makinat moderne prodhohen në seri dhe tregu ofron gjithçka të gatshme. Në këtë realitet të ri, mjeshtri i torno-s nuk ka më vendin që dikur i takonte.

Por Elami nuk është dorëzuar. Çdo mëngjes hap derën e punishtejes së tij, ndez makinerinë dhe i jep forme hekurit, si për të mos lejuar që kjo mjeshtëri të shuhet.

Kur jam këtu, më duket vetja si djalë i ri. E ndjej që punoj me shpirt', tha ai.

Për të, puna është më shumë se mjet jetese. Është mënyra se si i jep kuptim ditës dhe e lidh me rrënjët. Edhe pse në një botë që ndryshon çdo ditë, ai ka zgjedhur të qëndrojë besnik ndaj pasionit dhe profesionit që e ka shoqëruar gjithë jetën.

Elam Zeqiraj është simbol i përkushtimit, i qëndresës dhe i dashurisë për punën e ndershme. Në heshtjen që e rrethon, zhurma e torno-s së tij tingëllon si një kujtesë: që mjeshtëria nuk duhet të harrohet, dhe pasioni nuk plaket kurrë.

Në fshatin Rusan të Delvinës, në oborrin e një shtëpie metalet marrin formë nga duart e një gruaje që e ka kthyer mjeshtërinë në mënyrë jetese.  Eshtë Thëllëza Rakipi, e cila bashkë me te shoqin bejne kazanë rakie dhe saç per pjekje.

Në oborr, rreshtohen kazanë të rinj që presin blerësit. Sakaq, Thëllëza tregon për Report TV se zanatin e ka trashëguar nga babai i saj.

“Nga babai e kam mësuar këtë punë, nga ai e mësoi edhe burri im. Kur e shikoja, më dukej e vështirë, pastaj provova edhe vetë. Burri bën kazanët, unë i kallais dhe punoj me të gjithë familjen”, tha ajo.

Prej 35 vitesh, çifti delvinjot ka mbajtur familjen me të ardhurat nga shitja e këtyre produkteve. Por këtë vit, puna është vështirësuar për shkak të zjarreve qe shkrumbuan vreshtat e rrushit ne Delvine.

Zakonisht në gusht fillojmë punën për kazanet e rakisë, sepse nga shtatori e tetori fillon vjelja e rrushit. Por këtë vit s’ka porosi, s’ka lekë. Zjarret kanë djegur gjithçka. Punojmë, por mezi shesim ndonjë kazan,” tregon Thëllëza.

Një kazan rakie kërkon tre ditë punë — prerje, ngjitje, saldim, kallaisje. Edhe pse puna është e lodhshme, fitimi mbetet i ulët.

Ndërsa nje saç për pjekje kushton 5 mijë lekë, por kërkesa është gjithnjë e më e rrallë.

Vetëm pleqtë i blejnë. Të rinjtë s’janë më këtu, kanë ikur jashtë. Ata që gatuajnë me zjarr janë pak.”

Thëllëza dhe i shoqi punojnë me shpresën se një ditë dikush do të ndalojë për t’i parë, ndoshta për t’i blerë produktet e tyre e bera me mjeshtri e pasion.

Kjo është jeta jonë,” thotë ajo. “Nuk ka punë tjetër. Kjo është buka e fëmijëve tanë.

Mungesa e tregut por dhe e mbështetjes nga shteti po çon drejt shuarjes zejtarinë ne Delvine, edhe pse perfaqeson nje trashëgimi të rrallë të kesaj treve.

Në zonën e juglindjes Gurkazi Xhemali është një nga të paktët nallbanë që kanë mbetur. Tradita e hershme e mbathjes së kuajve, e cila po shkon drejt zhdukjes, është ruajtur me mjeshtëri nga 68-vjeçari nga Pojani i Maliqit.

E kam filluar këtë punë në vitin 1979 në ish-koperativën bujqësore. Asokohe mbathnim kuajt, qetë dhe buallicat. Asokohe kisha bërë kursin dhe testimet I kam kaluar të gjitha deri tek kategoria 7. Kur ra sistemi unë e vazhdova punën privatisht”.

Në një kohë kur kuajt nuk përdoren vetëm për punë, por gjithnjë e më shumë edhe për turizëm, Gurkaziu përgatit e vendos patkonjtë, një proces i domosdoshëm që kryhet të paktën një herë në muaj. Përveç vendosjes së patkonjve, ai kryen edhe prerjen e tyre sipas formave dhe masave të përshtatura për çdo kafshë. Me mbi 40 vite eksperience, Gurkazi tregon se puna është mjaft e rrezikshme, pasi gjatë procesit kali mund të bëhet agresiv.

Ka pasur një rast që më ka rënë kali dhe më ka vrarë se ishte kalë i egër me zor e mbathëm”, thotë me tej.

Edhe pse numri i kuajve është ulur në fshatrat e juglindjes, kërkesat për shërbimin e tij vazhdojnë, pasi Gurkaziu është i vetmi nallbat në zonë.

“Pojani ka pasur 1 mijë kuaj deri në vitet ’90, tani kanë mbetur vetëm 100 kuaj se kanë ikur njerezit në emigrim. S’është më bujqësia e blegtoria si përpara.

Materialet dhe puna për të mbathur një kalë kushtojnë 3.000 lekë, ndërsa Pojani, falë mjeshtrit është shndërruar në një qendër të vogël sherbimesh, ku vijne fermere nga mbare juglindja.

Tani më shumë se sa fermeret vijnë personat që mbajnë kuajt për sport, për qejf për të bërë gara”, shton ai.

Nallbani 68-vjeçarar u bën apel të rinjve ta mësojnë këtë zanat, i cili megjithëse i vështirë, mbetet i bukur dhe sfidues.

Pavarësisht thirrjeve të zanatçinjve si Gurkaziu, interesimi është i papërfillshëm. Trashëgimia e zejtarëve të vjetër ka mbetur tek disa pasionantë të paktë nëpër Shqipëri.