Një histori e pazakontë dhe thellësisht emocionale u transmetua në emisionin “Pa Gjurmë” me Odeta Dume në Report TV, ku dy motra nga Elbasani zbuluan një sekret të madh familjar vetëm pas ndarjes nga jeta të nënës së tyre, ekzistencën e një vëllai të braktisur dekada më parë.

Të ftuara në studio, Merushe dhe Elmelina Paja rrëfyen momentin kur mësuan të vërtetën tronditëse për të kaluarën e nënës së tyre, e cila kishte sjellë në jetë një djalë, por ishte detyruar ta linte në jetimore.

Sipas dëshmive, historia nis vite më parë, kur nëna e tyre, e braktisur nga i fejuari dhe e mbetur shtatzënë, u përball me presionin e familjes dhe rrethanave të vështira, duke marrë vendimin e dhimbshëm për të lënë fëmijën në jetimore.

“Reagimi i familjes së nënës ishte shumë i ashpër, ata nuk donin që ne ta kërkonim në TV,”,  rrëfen Nertila Paja, duke theksuar vështirësitë dhe kundërshtitë që hasën gjatë kërkimeve.

Pavarësisht pengesave, motrat nuk u dorëzuan dhe, pas një kërkimi të gjatë në Pa Gjurmë, arritën të gjenin vëllain e tyre pas 48 vitesh. Takimi i parë ishte i mbushur me emocione të forta.

“Ishte një takim shumë emocionues, ngjanim shumë në pamje. Ai nuk e dinte që nëna kishte ndërruar jetë, shpresonte ta gjente gjallë”, tregon Merushe Paja.

Rezulton se vëllai ishte birësuar në moshën 3-vjeçare në Shkodër dhe për vite me radhë kishte kërkuar familjen biologjike. Për të respektuar familjen birësuese, takimet e para mes tyre janë zhvilluar në mënyrë të fshehtë.

Një nga momentet më të forta të kësaj historie ishte vizita që motrat bënë së bashku me vëllain tek varri i nënës. Megjithatë, ky ribashkim nuk ka qenë i lehtë, pasi motrat janë përballur me refuzimin e familjarëve nga ana e nënës së ndjerë.

Edhe pse arritën të gjenin njëri-tjetrin pas dekadash, ato theksojnë se marrëdhëniet me familjen e nënës janë ndërprerë përfundimisht. Një histori që nis me një sekret të rëndë dhe përfundon me një ribashkim të shumëpritur, duke treguar se e vërteta, sado e vonuar, gjithmonë gjen rrugën për të dalë në dritë.