SPECIALE/ Në kërkim të ‘thesarëve’ të Vithkuqit

Ka një vend në Shqipëri që jeton me legjenda e gojëdhëna, mbart brenda vetes thesare historike të cilat datojnë që nga Mesjeta. I thonë vetes me fanatizëm, shqiptarë të krishterë të pa tjetërsuar nga askush e asgjë ndër shekuj. Ky është fshati Vithkuq. Në udhëtimin tonë zbuluam jo vetëm monumente kulture të kategorisë së parë por edhe një vend të veçantë ku prehen eshtrat e banorëve të vjetër të Vithkuqit.

Udhëtojmë rreth 20 km mes gjelbërimit drejt fshatit në juglindje të qytetit të Korçës.

Pavarësisht viteve, banorët janë munduar t’i qëndrojnë besnikë arkitekturës së vjetër të fshatit, me banesat të ndërtuara kryesisht me gurë.

Shkëlqimi i Vithkuqit daton në shekujt XVII-XVIII. Njihej si një ndër qendrat e rajonit për kulturën dhe tregtinë për shkak të pozitës strategjike. Deri në vitet 1700 mendohet se ishte populluar nga 17.000 banorë në 24 lagjet e tij, një ndër zonat më të banuara në juglindje, ku ishin ndërtuar plot 24 kisha dhe 3 manastire. Por fshati me histori dhe traditë, gjatë shekujve u shkrumbua 3 herë, përkatësisht në vitet 1791 – 1819 dhe 1823, derisa në të mbetën vetëm 115 familje, ndërsa në vitet e fundit në këtë zonë numërohen më shumë se 1400 banorë.

Kisha e Shën Mhillit është ndalesa jonë e parë.

Ajo filloi të ndërtohet në vitin 1682 nga Mihaili dhe Gabrieli, me shpenzimet e të krishterëve që jetonin në Vithkuq, me kontributin e prift Stavrit, dhe Mitropolitit të Kosturit. U përfundua më 1728. Sot është monument kulture i kategorisë së parë.

Aty na pret mësuesi në pension Gjergji Dine, njohës i mirë i historisë së zonës, i cili do të na shoqërojë në vizitën tonë në fshatin më histori shekullore dhe do të zbulojë disa nga misteret e vetë Vithkuqit.

Një ndër historitë më rrënqethëse të zonës lidhet me varrin pas kishës së Shën Mhillit, aty ku prehen eshtrat e një familjeje.

“Varri i Pagëzimit” ku prehen, 1 fëmijë, prindërit dhe dy gjyshërit. E gjithë historia nisi kur familja vendosi të pagëzojë në gjuhën Shqipe fëmijën e vogël, por gëzimi i tyre do të kthehej në një tragjedi.

Guri i varrit të pagëzimit, për ironinë e fatit u mor nga lagjia “Kaplëkuras” në të cilën banonte familja që prehet nën këtë varr.

Vithkuqarët krenohen me historitë e fshatit të tyre për të cilin është kënduar edhe një këngë me titull Malet dhe brigjet.

Në qendër të fshatit është vendosur shtatorja e Naum Bredhi Veqilharxhi, nxitësi i epokës së Rilindjes Kombëtare, hartuesi i Abetares së Parë Shqipe dhe Enqiklikës që ishte dhe manifesti i Rilindjes.

Mësuesi Dine risjell ndër mend edhe xhirimet e filmit “Beni ecën vetë” me regji të Xhnfize Kekos që janë realizuar në këtë zonë.

Disa kilometra larg qendrës së fshatit, në një kodër gjendet Manastiri i Shën Pjetrit dhe Pavlit, i shek. XVII, me ikonografinë e vëllezërve Zografi, ku mbizotëron ngjyra e kaltër.

Sipas profesor Dines, për të u deshën 77 vite punë dhe një kosto tepër e lartë, për shkak të pozicionit të saj në kodër, në të cilën duheshe mund dhe kohë për të ngjitur materialet. Kjo kishë është ndërtuar mbi një vend të shenjtë thonë banorët e zonës.

Befasinë nga ky fshat, mësuesi Dine e ka lënë për në fund.

Pak metra nga manastiri i Shën Pjetrit dhe Pavlit, ndodhet një në dy kishat e vetme të këtij lloji në vend. Kisha e Shën Kozma Damjanit, një ngrehinë e vogël, por me një kat të nëndheshëm, ku prehen qindra banorë të Vithkuqit të viteve 1700.  Sipas të dhënave rezulton që e gjithë zona poshtë në kodrën ku ngrihet kjo kishë së bashku me manastirin e Shën Pjetrit dhe Pavlit, ishte e populluar me banesa, për këtë shkak banorët që ndërronin jetë varroseshin për 3 vite derisa trupat e tyre dekompozoheshin, pas kësaj periudhe eshtrat e tyre zhvarroseshin për tu vendosur në katin e nëndheshëm të Kishës së Shën Kozma Damjanit, ose siç thonë Vithkuqarët “cimiterjo” ose pushimi në terr.

Por me ardhjen e demokracisë një ndër paradokset më të mëdha ishte dhe përdhosja e eshtrave që gjenden në këtë kishë, ku njerëz të ndryshëm nxorën nga arkat eshtrat shumë vjeçare duke i derdhur në tokë, për të marrë arkat.

Vetëm në disa orë mund të vizitosh fshatin e Vithkuqit, ku për hir të së drejtës promovimi ka mbetur i pakët dhe nga ana tjetër ambientet akomoduese për vizitorët janë të kufizuara. Ende zona historike nuk e ka marrë vëmendjen e plotë të vizitorëve, por historia që ajo mbart është ndër më të veçantat në vend.

SI.E./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Spiro Kallpaq: 10/09/2023 15:57

    Antis ti stivosni neper rafte e kuti druri, shkoni e filmoni pa te keqe, turp! Lidhuni me Shkelqesine e tij, kryepiskop i Tiranes, Durresit e gjithe Shqiperise, Anastas Janullatos, te vej dore!

    Përgjigju
  • sofokli: 10/09/2023 10:17

    Ketu nuk ka asgje per te thene gojdhane sepse kjo menyre perdoret dhe sot ne Greqi ne pjesen ortodokse.Per njerez qe nuk kane te ardhura per te paguar nje varr i meren eshtrat dhe i lihen ne nje vend si ky.

    Përgjigju
    • Mario: 10/09/2023 15:27

      Mendoj se kjo menyre eshte me e mire, sepse jane mbush tokat me teper me varre. Nuk ka me vende, sepse varrezat jane kthyer ne qyteza te vdekurish.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Gjermani/ Sulmi terrorist nga mjeku në Magdeburg: Autori kishte lënë një testament në makinën e tij, zbulohet përmbajtja

Gjermani/ Sulmi terrorist nga mjeku në Magdeburg: Autori kishte lënë një testament në makinën e tij, zbulohet përmbajtja