Speciale/ Nga abetarja e Kristoforidhit te kitara e Vaçe Zelës, në shtëpinë muze të koleksionistit Luan Jaupi: Kam lidhje shpirtërore me to

Luan Jaupi e ka kthyer shtëpinë e tij private në një muze, ku ruan me qindra objekte të vjetra, me vlerë të rrallë historike. Në një intervistë për Report TV, koleksionisti nga Durrësi rrëfen se pasioni lindi shumë e shumë vite më parë, duke nisur fillimisht të koleksionojë pullat e postës.

Përshëndetje! Ndodhem në një banesë ose mirë të them në një banesë muze të mikut tim, koleksionistit të shquar Luan Jaupi, që ndodhet pothuajse në qendër të Durrësit, pranë Mauzoleut të Luftës Nacionalçlirimtare. Këtu është një mbretëri objektesh, të ruajtura me fanatizëm prej një periudhe shumë të gjatë kohe dhe që ai për to kujdeset me shumë devocion, i kushton orë e orë të tëra të ditës së tij mirëmbajtjes së kësaj pasurie që ai e ka mbledhur prej vitesh.

Luan, faleminderit që pranuat të zhvillojmë bashkë një bisedë lidhur me punën tënde si koleksionues i pasionuar i objekteve nga më të ndryshmet, të cilat do t’i shohim me radhë gjatë intervistës sonë.

Kjo studio e vogël kështu në pamje, i ka fillesat shumë vite përpara, por mori dritë vetëm në vitet 90, kur unë ndërtova edhe shtëpinë, që bëra këtë objekt kështu. Fillimi është me pullat e postës, në fillim fare, pastaj me fotografinë që jam marrë shumë kohë. Im atë mbaroi studimet në Rusi në ato vite dhe kishte sjellë edhe një aparat fotografik, me të cilin unë vazhdova që të fotografoj vetë. Dhe e vazhdova si profesion këtë, ku jam edhe sot, një nga mjeshtërit e fotografisë. Kam shumë gjëra të bukura, sidomos për qytetin e Durrësit, që kam një arkiv.

Kjo është diçka interesante se me profesion jeni radioteknik, d.m.th. riparues radiosh e televizorësh?

Po, radioteknik. Kam punuar tek URT-ja.

Jeni i pasionuar pas fotografisë, keni shkruar edhe në gazetë, pra jeni marrë me profesione nga më të ndryshmet, të cilat nuk jua kanë zbehur dëshirën për të mbledhur.

Në fakt këtu është një punë e madhe shumëvjeçare, kuptohet. Unë kam bredhur në të gjithë Shqipërinë për të mbledhur këto objekte dhe nga s’kam shkuar. Diku duke fotografuar, diku duke mbledhur objekte, plus edhe me miqtë duke shkëmbyer, qoftë edhe dhurata nga miqtë e nga shokët që më kanë dhënë shumë gjëra që i kanë pasur në shtëpi dhe më thoshin: “Luan, kjo nuk na hyn më në punë neve, është e vjetër, ti i koleksionon këto”, që nga monedhat, nga pullat, nga librat që është një bibliotekë e tërë këtu me libra shumë të vjetër, që nga Abetarja e parë shqiptare.

Sot në arkivin e tij gjenden që nga Abetarja e Kristoforidhit te pullat e Postës së qeverisë shqiptare të dalë nga Pavarësia e vitit 1912, monedhat e përdorura në shtete të ndryshme e deri tek aparatet celulare që shënuan një revolucion në fushën e telekomunikacionit.

Kjo është e vitit 1872, e Kristoforidhit, Abetarja e parë shqipe.

D.m.th. me këtë kanë mësuar shqip shqiptarët.

Po, e shtypur në Konstantinopojë, më 1872. Ja ku është e shkruar këtu.

Si arritët ta siguroni këtë Abetare?

Në fakt, im atë ka pasur edhe libra, vetë familja d.m.th., të trashëguara dhe kjo është një trashëgimi e familjes sime që unë e ruaj si një gjë shumë të shtrenjtë.

Pra kjo është një nga gjërat më të çmuara.

Po, më të çmuarat d.m.th., këtu. Kam libra të vjetër pastaj, kam Kuranin, Biblën etj., që nga viti 1800.

Pjesë e koleksionit të tij është edhe një kitarë e artistes së madhe Vaçe Zela. Këngëtarja ia kishte dhuruar babait të tij, një ish-kapiten anijeje i sprovuar, gjatë një udhëtimi në Kinë.

Kjo kitarë është blerë në Kinë, në kohën kur Ansambli shqiptar ishte në Kinë. Im atë ka qenë kapiten anijeje, tek anija “Vlora” në ato vite. U bëri një pritje pjesëtarëve të Ansamblit dhe më pas, në pushim, bashkë me Vaçe Zelën dolën në treg për të blerë gjëra. Vaçja bleu këtë kitarën dhe e ka filluar ajo për herë të parë dhe ka kënduar katër këngë spanjolle me këtë, të cilat unë i kam dhe janë shumë të bukura.

67-vjeçari e konsideron veten me fat që ruan pullat e qeverisë së parë shqiptare. Është me interes edhe historia e Filatelisë shqiptare, e shtetit të parë shqiptar të 1912-s, sepse ju e posedoni atë koleksion. Mund të na thoni diçka për atë seri pullash dhe si vijoi më pas koleksionimi i tyre?

Unë kam shansin që të kem koleksionin që nga pulla e parë shqiptare deri te këto të fundit, sepse kam qenë edhe anëtar i Filatelisë shqiptare. I kam shumë të rregullta në fakt. Këta janë disa libra që i përdor për miqtë që duan t’i shohin. Ja, këto janë pullat e para shqiptare, të Qeverisë së Ismail Qemalit. Këto kryesisht i mbaj për ndërrime, për shkëmbime me filatelistë të tjerë, p.sh., kur mua më mungon një pullë, ai tjetri ka dy dhe kështu ma jep njërën mua dhe unë i jap një tjetër. Ne korrespondojmë dhe jemi lidhur me njëri-tjetrin.

Këto fillojnë që nga 1913-a. Deri kur vazhdon koleksioni?

Deri tani, në ditët e sotme.

Vazhdon t’i mbledhësh?

Po, po, vazhdoj, megjithëse është rritur edhe çmimi. Kuptohet që filatelia te ne kushton.

Ju thatë që edhe shkëmbeni pulla me të tjerë. Po me objekte të tjera, si veproni ju koleksionistët? I shkëmbeni me njëri-tjetrin?

Në fakt kam pasur të tilla kërkesa, por jam pak strikt, nuk kam qejf t’i jap. M’i kanë kërkuar edhe për t’i blerë, por nuk dua as t’i shes. Unë kam qenë vetëm një grumbullues i rregullt, i kam marrë, i kam rregulluar dhe i kam vënë te pavijoni i vet, aty ku u shkon, p.sh., një monedhë te monedhat, pullat te pullat. Është e vështirë në fakt. Ata që japin, japin shpirtin se e dinë ata se ç’kanë hequr, me dashuri të madhe që e kanë gjetur atë objekt, p.sh. si atë Abetaren e parë që pamë, këto pullat e postës.

Keni pasur oferta për t’i shitur?

Kam pasur shumë oferta.

Po kështu, pjesë e arkivit të koleksionit është edhe një pikturë e Pjetër Dungut, që daton në vitin 1925, së bashku me një foto të rrallë të Fan Nolit.

Këtu është një vizatim i vjetër, i kompozitorit të madh Pjetër Dungu. Ai krahas asaj është marrë edhe me pikturë dhe me vizatime dhe unë e kam dhuratë nga ai d.m.th., shumë vite përpara, në kohën kur ai punonte edhe në shkollë, ka marrë notën 1 aty.

1925.

Po, ka edhe një foto të rrallë të Fan Nolit, që ia ka dhuruar. Ia kishte çuar dajës së babait tim në Amerikë.

Është origjinale?

Origjinale, dhuratë nga Fan Noli. Ia ka çuar atij dhe është nga më të rrallat si foto.

Po nëse ta kërkojnë ty p.sh., për 10 000 euro?

Jo, jo. E kam shpirtërore atë.

Luan, historia e këtyre pasqyrave, duke filluar që nga ajo lart e deri tek ajo poshtë sepe ajo pasqyra lart më duket e vjetër edhe nga vetë ornamentet që e rrethojnë, që kanë filluar pak a shumë të veniten.

Po, ajo është një pasqyrë shumë e vjetër, është e familjes mbretërore të Zogut. E kam dhuratë nga një miku im. Patjetër edhe këto janë dhurata të gjitha. Kjo është e familjes Sotiri në Durrës, e arkitektit Kristo Sotiri.

Edhe armë të Luftës së Dytë Botërore apo helmeta të ndryshme ndodhen në këtë muze.

Kalojmë te këto armët. Më bën përshtypje sidomos ky automatiku. Kemi parë edhe më muzetë e luftës më përpara, që janë të Luftës së Dytë Botërore, kurse këto armët janë më të vjetra. Mund të na flisni pak për historikun e tyre?

Këto armë në fakt i kam të gjetura nëpër miqtë e mi, që m’i kanë dhuruar. Kuptohet që nuk janë funksionale, janë vetëm për muze. Janë armë të vjetra. Bashkë me ato janë edhe këto helmeta të gjermanëve, kineze dhe ruse. Plus që ka edhe pagure po të periudhës së luftës.

Po ato dorezat e boksit? Më duken pak moderne.

Po. Ato dorezat e boksit janë të Luan Qatos, të cilat m’i ka dhënë i biri, Kreshnik Qato. Ka qenë kampioni ynë dhe i kam dhuratë nga ai.

Çfarë është ky objekti këtu, ku kam unë gishtin? Shumë interesante.

Ajo është një peshore e letrave të postës. Është shumë e vjetër. Është peshore poste, besoj e viteve 1920. Këtu vinin edhe letër dhe ja si luan. Kjo tregon edhe peshën. Unë e kam lënë në atë gjendje siç ka qenë, nuk e kam lëvizur fare. Është shumë interesante, matësi është funksional dhe ka një matje precize.

E keni provuar me peshë?

Po, me peshë është e saktë fare.

Interesante. Dhe mbi bazën e kësaj përcaktoheshin tarifat e shërbimeve?

Po, siç ka qenë në ato kohë.

Në një hapësirë të veçantë, janë vendosur edhe opingat shqiptare nga të gjitha krahinat e vendit.

Opingat që janë këtu pas meje janë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Unë i kam mbledhur me shumë pasion, kuptohet dhe më është dashur shumë kohë sepse si i ka një krahinë, nuk i ka një tjetër. Edhe duhet t’i mirëmbash, duhet t’i rregullosh. Unë i kam gjetur në gjendje të mirë, ato janë në gjendje të mirë, të gjitha.

Me nostalgji Luan Jaupi na tregon pjesët e anijeve të vjetra. Janë kujtimet më të bukura që i kanë mbetur sot nga i ati.

Kjo është një salvaxhente të anijeve të atyre viteve, ku ka punuar babai. Dhe madje kjo është e anijes “Mati”, se u mbyt anija dhe ca gjëra të vogla si relike. Ja edhe një busull.

Është busull anijeje kjo?

Po.

Me këtë orientohen detarët në det?

Po.

Po shikoj atje edhe një numër gjallesash nënujore të fosilizuara. Do të na tregoni diçka më tepër?

Përveç kësaj, meqenëse jemi këtu, dua t’ju tregoj një kënd të vogël të tim ati. Ja edhe anija “Vlora”. Babai ka qenë kapiten. Ky është një maket. Aty është një polifoto e shkollës së tij. Ka mbaruar studimet në Baku, në Azerbajxhan. Edhe një foto aty. Ruaj si një relike edhe shkopin e tim ati, edhe një kapelë, sepse u plak pastaj. Pastaj, për këto që thatë ju, unë kam shumë nga këto të detit, por një nga këto, më e rëndësishmja është kjo e marrë në Cejlon, në Afrikën e Jugut. Është një si tip korale, si iriq i themi ne. Kurse kjo këtu është sjellë nga Kuba, në ato kohë kur anija “Vlora” dhe anijet e tjera shkonin në Kubë. Ata marinarët tanë hynin dhe i shkulnin këto. Kam shumë nga këto, edhe kjo. Pastaj këto janë kryesisht edhe nga Shqipëria. Edhe këto lart, janë shqiptare. Kam shumë nga këto të tjerat pastaj, që i kam lart.

Në kohën e sotme të dixhitalizimit, duket se si shqiptarët kanë përdorur kanoçet për të parë televizor në kohën e izolimit diktatorial.

Këtu shikoj edhe kanoçen e famshme shqiptare, që ishte ajo dritarja për të parë stacionet e huaj shqiptarët. Ishte një produkt i inxhinierëve dhe i teknikëve shqiptarë në ato vite dhe ishte diçka e çmueshme kur e siguroje një të tillë. Ku është prodhuar kjo?

Kjo është prodhuar në URT, në ato vitet e para d.m.th., në kohën që studionin këto grupet e dyta. Edhe arritën njerëzit të bënin këto. Këto janë bërë nga inxhinierët tanë, kuptohet. Kanë qenë fare të thjeshta dhe filloi t’i përdorte populli në masë pastaj, të gjithë dhe shihnim ato stacionet e huaja.

Ju keni montuar?

Kam montuar, patjetër, se unë kam punuar në URT kaq vite, kuptohet.

Sa shiteshin?

Në zona të këqija edhe 4 000 lekë, ndërsa 2 000 lekë me shokë. Por njerëzit i blinin se donin të shihnin botën.

Zgjati rreth 10 vite.

Po, rreth 10 vite.

Derisa erdhi demokracia.

Jo, para se të vinte demokracia, se kishin filluar lëvizjet, dolën televizorët me ngjyra.

Duhej që të kishe mik në Durës që të siguroje këto pajisje.

Po në ato vite ne merrnim edhe skema nga jashtë, na vinin libra, literaturë. Im atë ka sjellë shumë. Ja p.sh., ky ka ardhur nga jashtë, nga Holanda. Është libër skemash dhe katalogësh për llambat. Pastaj kanë ardhur edhe libra të tjerë, që janë këta katalogët e televizorëve, jugosllavë, është marrë nga Jugosllavia. Ky ka të gjitha skemat e asaj kohe dhe tregon edhe për televizorin. Në njëfarë mënyre ka qenë tregues edhe për ne, që të mësonim ndonjë gjë. Përveç një reviste ruse “Radio” që vinte nga Moska, nuk kishim gjë tjetër. Këto janë komplet pajisjet e “Teuta Televizion”. I kam dhuratë nga Bashkim Hoxha dhe Gëzim Domi. Këto i kanë përdorur në atë kohë, pastaj u mbyll ajo studio dhe m’i dhanë mua si relike.

Pavijoni ku ruan aparatet është ndër më të preferuarit e tij, pasi ai ka punuar si fotograf dhe ka arritur të koleksionojë me dhjetëra aparate fotografike të periudhave të ndryshme kohore.

Në pozicionin e fotografit, të fotoreporterit po themi.

Këto në fakt janë nga më të vjetrit. Shumica nuk janë në gjendje pune, kuptohet. Por janë edhe mekanikë, janë fare të thjeshtë. Ka edhe që janë në punë, por i ruaj për relike. Ky ka ardhur nga jashtë në fakt, ma ka sjellë nipi. Është aparat i ri fare, ka qenë në kuti.

Në kuptimin fizik, se si prodhim është i vjetër.

Është shumë, shumë i vjetër. Kjo është me plan filmash, me filma me xham.

Ky është një gramafon, por që e shoh se është nga ana më të vjetrit sepse karikohet me levë.

Po, është shumë i vjetër dhe karikimin e ka të tillë, me levë.

Akoma rrotullohet.

Po, rrotullohet, karikohet dhe pastaj ka një buton këtu që e lë të lirë. Kjo ka një majë këtu, e cila po ta vësh këtu tani fillon e këndon. Unë kam edhe komplet majat e kësaj, shumë të vjetra. Kësaj duhet t’i ndërroj majën, kokën kësaj.

Po ata të tjerët, janë më të rinj?

Janë më të rinj, më i vjetri është ky.

A prodhohen më gramafonë?

Jo. Ka ikur kjo teknikë. Pas kësaj dolën manjetofonët me bobina, me shirit. Pas tyre dolën ata me kaseta. Janë zhdukur të gjithë këta tani. Hyri teknologji tjetër. Këta janë vetëm për relike, për të treguar histori.

Luan Jaupi tashmë është në pension dhe ka kohë të bollshme që të merret me reliket e tij. Ndërtues të ndryshëm ia kanë kërkuar banesën me gjithë truallin për pallat, por 67-vjeçari ka refuzuar vetëm për të mos humbur këtë pasuri të madhe me vlera historike e kulturore.

Sa orë në ditë i kushtoni dhe si e mirëmbani?

Në fakt, të them të drejtën unë merrem shumë me këtë. Pjesën e lirë të kohës e kaloj këtu, jo vetëm që lexoj dhe shoh ndonjë gjë, por merrem edhe me mirëmbajtjen se ka shumë punë. Objektet janë nga më të ndryshmet, kërkojnë të mbahen. Vetëm pluhurat që duhet t’i pastrosh pastaj plus ndonjë gjë që ka nevojë për riparim. Unë merrem vetë me atë punë.

D.m.th. edhe restauroni.

Po, po, edhe restauroj.

Ju koleksionistët shkëmbeni me njëri-tjetrin?

Në fakt, kam pasur kështu kërkesash, por jam pak strikt, nuk kam qejf t’i jap. M’i kanë kërkuar edhe për t’i blerë. Unë nuk as t’i shes. Unë vetëm kam qenë një grumbullues i rregullt, i kam marrë, i kam rregulluar dhe i kam vënë te pavijoni vet, aty ku u shkon, p.sh., një monedhë e kam vënë te monedhat, pullat te pullat. Është e vështirë në fakt. Ata që japin, japin shpirtin se e dinë se ç’kanë hequr ose me dashuri të madhe që e kanë gjetur atë objekt. P.sh. si atë Abetaren e parë që pamë ne, këto pullat e postës.

Keni pasur oferta që t’i shesësh këto?

Kam pasur shumë oferta, nuk kam pranuar. Edhe për objektet këtu, edhe për shtëpinë, donin ta bënin pallat. Unë nuk pranova, thashë më mirë do ta mbaj kështu siç e kam, muze. Unë kënaqem kështu si jam.

Është në një pozicion shumë të lakmuar, se është afër qendrës së Durrësit, afër Mauzoleumit.

Unë nuk kam parë kurrë fitimin, kam parë vetëm atë kënaqësinë time. Unë jam i lumtur këtu ku jam. Jam shumë mirë, kam shokë shumë të mirë, miq që më vijnë këtu shpesh dhe kaloj orë të tëra me ata.

Në shtëpinë e tij muze hyjnë e dalin personalitete, shkrimtarë dhe skulptorë.

Do të na përmendni disa nga ato personalitete që e kanë vizituar këtë muzeun tuaj? Nuk po e quaj koleksion.

Mund të them nga Presidenti i Republikës Bamir Topi deri te miku im Bashkim Hoxha, Shpend Topollai shkrimtar, që i kam të përhershëm këtu, operatori Gëzim Domi. Edhe ato pajisjet e studios së televizionit “Teuta TV” i kam të gjitha këtu.

Me sa kam dëgjuar, zoti Bamir sa herë që vjen në Durrës, përpara se të shkojë tek objekti ku ka për të bërë vizitë, më përpara vjen këtu.

Po, patjetër. Rrimë këtu, mblidhemi bashkërisht se jemi miq të vjetër.

Po ndonjë shkrimtar nga Tirana, ose skulptorë apo koleksionistë?

Kanë ardhur, këta të Durrësit por edhe të Tiranës, patjetër.

Këto thesare të grumbulluara me mund e me pasion, rrallëherë ekspozohen për publikun. Koleksionisti Luan Jaupi na rrëfen se institucionet e kulturës nuk kujdesen aq sa duhet për ruajtjen e vlerave dhe të trashëgimisë sonë kulturore.

A mendoni se duhet që institucionet shtetërore të kulturës të japin mundësi, të japin hapësira që këto të ekspozohen për ambiente publike? Si e shikoni këtë?

Është folur me kohë që duheshin bërë këto punë, por siç duket shteti ynë s’e ka atë interes. Këtu po shkatërrohen vepra arti, po prishen, po prishen rrugë e monumente.

Thjesht mbetet një pasion.

Po, një pasion që do ta vazhdoj deri atëherë sa shteti do ta kuptojë. Ky është shteti ynë, këto janë vlera për shtetin. Kjo është edhe historia jonë dhe është gjynah që ne e lëmë në duart e privatit ose të personave të tjerë. Nesër, edhe pas vdekjes sime, kjo mund të hidhet. Hajde gjeje. Gjithsesi shteti duhet t’i ruajë.

Luan, ju falënderoj shumë dhe ju uroj suksese në punën tuaj dhe pleqëri të mbarë.

Faleminderit juve që erdhët! Ishte kënaqësi.

B.K.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë