SPECIALE/ Nga Rana e Hedhun e te laguna e Kune Vainit, njihuni me plazhet kurative e piktoreske të Lezhës

Sezoni turistik ka nisur edhe në qytetin rreth 55 km larg Tiranës. Lezha laget nga deti Adriatik në disa dalje detare. Me pamje piktoreske, natyrë të pasur nënujore si edhe përreth qytetit, Lezha njihet për disa plazhe që kapërcejnë interesin lokal.

Plazhi më nostalgjik i kësaj zone, është plazh dhe port, me lagunën si dekorin e duhur për një qytet marinar. Emri i Shëngjinit sipas autoriteteve lokale lidhet me pyllin e Zanave që gjendet mes Shëngjinit dhe Velipojës. Më pas u quajt Medea, sipas emrit të princeshës Medea të Argonautëve. Deri në ditët tona kanë mundur të mbijetojnë bashkë edhe porti i vogël edhe plazhi, i cili njihet gjerësisht. Plazhi rrethohet nga pylli me pisha dhe në kurriz mbrohet nga kodrinat e larta.

Pushuesit që i kanë qëndruar çdo vit besnik këtij plazhi janë shqiptarët e Kosovës.

" Ka 27 vite që vij këtu, shërbimi është mirë, pastërtia mirë…"- tha një banor

Afërsia me këtë bregdet dhe shërbimet e përmirësuara, janë ndër arsyet kryesorë pse Shëngjini mbetet I preferuar nga shqiptarët e Kosovës

“Pastërtia nuk është në nivelin e duhur, shpresojmë që ka arsye për tu përmirësuar.

Është bregdeti më I afërt me Prishtinën, njerëzit mikpritës, ja vlen të vish!”- tha një prej pushuesve.

Ndodhet vetëm 3-4 kilometra larg Shëngjinit. Është një plazh ende i pashfrytëzuar me një pamje të rrallë mesdhetare. Rrëzë malit të Rrencit zbret në plazh, ku shumë pak metra brez ranor thuajse shkrihet me detin që është “ i mëshirshëm” e nuk e përpin. Rëra e errët krijon një kombinim të të veçantë ngjyrash sapo puthet me detin blu.

Ky plazh është një nga destinacionet e reja në Lezhë gjatë verës por edhe gjatë vitit. Disa kilometra vijë bregdetare shtrihen nga lagunat e zonës deri në fillim të deltës së Lumit Mat.

I preferuar për rërën kurative dhe ujin i pastër janë disa nga arsyet bregdeti i Tales në Lezhë po kthehet çdo vit e më shumë në një destinacion të preferuar për turistët vendas dhe të huaj.

Me një vijë bregdetare prej 12 km dhe gjerësi 100 metra, ndodhur mes grykëderdhjes së Lumit Mat dhe Drin është mjaft i populluar.

Të ardhur nga kryesisht nga zona e Mirditës, Kurbinit dhe Krujës, pushuesit janë kryesisht ditor por nuk mungojnë as kryeqytetasit, shqiptaret e Kosovës apo dhe turistët e huaj.

“Unë në fakt e njoh mirë zonën e Lezhës, e vetmja që më kishte mbetur pa eksploruar ishte plazhi i Tales. Është një plazh në zhvillim , një plazh shumë i mirë i Adriatikut, i pastër. Çmimet janë shumë ekonomike në krahasim me pjesën tjetër të Adriatikut", tha një pushues.

 “Ne vijmë nga Laçi. Kemi rreth 10 ditë që kemi ardhur. Plazhi është shumë mirë, i qetë”, u shpreh një pushues.

“Plazhi i Tales është shumë i mirë, i pastër , rëra e mirë, e përkryer,  deti i qetë. Ne vijmë çdo vit që vij këtu, kam 20 vjet që vij.  Çmimet janë të papërballueshme”, tha një pushues.

 “Kam ardhur nga Suedia. Kam ardhur disa herë. Qetësi, shumë pastërti dhe çmimet duken mirë”, tha një turist.

Zyrtarisht, sipërfaqja e Zonës së Mbrojtur është 2,300 ha. Nga vitet 1990 deri në ditët tona shumë projekte dhe plane kanë propozuar të zgjerojnë këtë sipërfaqe, për sa kohë ky zgjerim është i dobishëm për qëllime konservimi dhe për përdorimet afatgjata të resurseve të zonës nga komuniteti lokal.

Laguna e Kune Vainit është një sistem ligatinash, ku përfshihen laguna e këneta, ujëra detare dhe bregdet, toka nën nivelin e detit dhe pyje tipike bregdetare, shkurre mesdhetare, rrjedhje ujore dhe toka bujqësore e kullota.

Ishulli i Kunes është një zone e mbrojtur e veçantë, shumë i rëndësishëm për zogjtë IBA (Zonë e Rëndësishme Zogjsh) në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Speciet kryesore që i japin këtë status janë Ardeidet dhe Phalocrocoridet.

Gjithashtu dhe speciet e kërcënuara globalisht si rosat e egra, breshkat e detit dhe foka mesdhetare janë parë më rrallë në këto zonë. Kurse pelikani në këtë zonë, konsiderohet fare i rastit ose “i zhdukur”.

Sot, kjo Zonë e Mbrojtur shfrytëzohet edhe për turizëm të vëzhgimit të shpendëve të shumtë ujor që shumohen në këtë kënetë. Në përbërje të lagunës hyjnë mjedise detare, lagunore, ligatinore, pyje, shkurre dhe livadhe, që ndërthuren hijshëm midis tyre.

Por kushdo që dëshiron të mos qëndrojë vetëm buzë detit, ka mundësinë të njihet edhe me pikat e tjera turistike të Lezhës.

Këto destinacione janë lehtësisht të aksesueshme për turistët vendas e të huaj pasi është ribotuar pas 21 vitesh mungesë guida turistike, e cila tregon me detaje çdo pikë atraksioni.

Ky material promovues është rinovuar nga ekspert të fushës dhe ribotuar. Për t’ju ardhur në ndihmë vizitorëve eksplorues për turizmin.

Një nga hartuesit e guidës turistike Zef Imeraj, jep detajet e guidës e cila gjendet dhe në gjuhën angleze.

“Mund të gjenden në bibliotekën e Lezhës, i vetmi qytet që sot ka një guidë që pasqyron vlerat, historike dhe arkeologjik. Ne ju garantojmë të gjithë lexuesve dhe pushuesve, në këtë guidë do të marrin Lezhën me vete dhe do ta kenë gjatë”, tha ai.

Kjo guidë turistike të orienton drejt turizmit të aventurës pasi në Lezhë ka 47 shtigje për ecje në natyrë, si edhe infrastrukturë të përshtatshme për çiklizëm, rreth 17 të tilla.

Turizmi kulturor kulturor të njeh me traditat e historinë e këtij qyteti. Në Muzeun Etnografik gjendet veshja kalmetase dhe ajo e Pllanës të cilat janë unike dhe nuk gjenden në asnjë krahinë tjetër. Për shkak të lëvizjeve demografike të shumta në Lezhë gjenden masivisht edhe veshjet zadrimore, malësore, mirditore e shumë të tjera.

Prandaj thonë që Lezha i ka të gjitha, mjafton ta eksplorosh për të gjetur destinacionin e preferuar të pushimeve.

G.MO/LR/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gjini lazrit: 23/07/2023 19:36

    Plazhi I Shninit ka nje vecori qe nuk munesh me e nesh ne plazh tjeter.Perdit si ka fal zoti ne oren 11 paradite fillon era historikisht!

    Përgjigju
    • anna: 24/07/2023 08:56

      Duket se ke kohe qe paske shku tek gjiri i Lalzit dhe nuk ke info per Shengjinin Era ka ikur bashke me pyjet rreth kunes e ndertimet nuk e lene eren shume me depertu ne plazhe . Hajde se ska ma ere e pluhur ne Shengjin.

  • A. N.: 23/07/2023 18:21

    Plazh i bukur pjesa afer Ranes se Hedhun por per te te ardh keq kur sheh dhe nuhat detin plot me ere nga vaji/benzina e motorave te ujit. Gradualisht me ndertimin e rruges qe do lidhe velipojen me shengjinin do shtohet edhe forca shkaterruese dhe betonizuese e shqiptarit per te cilen nuk na e kalon askush ne rajon.

    Përgjigju
    • anna: 24/07/2023 08:57

      Me kete jam shume dakort

  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

Konsultimi publik, Manastirliu: Kemi vendosur bllokimin e TikTok, 90% e prindërve pro

Konsultimi publik, Manastirliu: Kemi vendosur bllokimin e TikTok, 90% e prindërve pro