Speciale/ Rrëfimi i veçantë i artistit
Shkëlzen Doli për Koncertin e Vjenës

Speciale/ Rrëfimi i veçantë i artistit<br />Shkëlzen Doli për Koncertin e Vjenës
Violinisti Shkëlzen Doli, që do të performojë për koncertin e 2 janarit 2017 së bashku me 36 filarmonistë të Vjenës në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ka rrëfyer për Report TV çaste nga jeta e tij.

Ky rrëfim është bërë pak muaj më parë kur Doli u rikthye në Tiranë për koncertin ‘Perlat më  bukura të Muzikës Popullore’. “Baresha”, “Valle e veriut”, melodi të këngëve arbëreshe ishin pjesë muzikore që e kanë lidhur violinistin me ëndrrën e tij të fëmijërisë.

Violinisti i shquar, i cili prej vitesh performon në skenat e Vjenës, Parisit, Spanjës e vende të tjera të botës na tregon me krenari që është bir i dy prindërve që simbolizojnë bashkimin e shqiptarëve. Ai gjithashtu ka rrëfyer sesi prej traditave të larmishme të muzikës shqiptare ka edukuar veshin muzikor dhe ka mësuar sekretet e interpretimit.
 
Intervista

Koncerti i juaj i Vjenës, natyrisht që ka bërë bujë, na bëri të famshëm si popull për muzikën, natyrisht të bëri edhe ty të famshëm. Si guxove të provoje për të dhënë këtë vlerë të artit shqiptar, në një skenë që janë shumë shijehollë për muzikën klasike?
 
-Unë e kam prezantuar atë si një pjesë multikulturale, se në Vjenë bashkohen kultura muzikore të ndryshme. Janë shumë të hapur për kultura të tjera dhe unë bëra prezantimin që në këtë pjesë të prezantohej kultura shqiptare. Insistova unë patjetër dhe natyrisht ngaqë ishte kualiteti i mirë, niveli i pjesës i pëlqeu shumë edhe Filarmonisë dhe televizionit shtetëror austriak, aq shumë sa e lanë edhe si pjesë të parë të programit në Koncertin e Vjenës.
 
Cilat nga këto perla të muzikës shqiptare, që shërbyen si frymëzim, si një gjë nga ato që ti i kishe tërë jetën në mendje, që të dhanë një siguri të madhe për t’ia falur edhe publikut vjenez?
 
-Nuk e di, unë mendoj që një artist vjen duke u pjekur patjetër, dhe këto kanë qenë duke u memorizuar, këto kanë qenë në memorien time si pjesë në muzikë, si pjesë që jam rritur me to, dhe duke ardhur dhe duke u pjekur unë në anën klasike edhe si instrumentist edhe si muzikant, kam arritur që edhe muzikën popullore ta shihja nga një perspektivë krejt tjetër, të jetë shumë avanguardë të jetë komplet tjetër, por duke mos i ikur kurrë origjinalitetit të tabanit autokton.
 
Ju jeni artist dhe natyrisht bota juaj është shumë emocionale. Keni një botë e një jetë interesante. Ka ardhur familja jote nga Gjakova dhe ju keni lindur në Elbasan dhe pastaj ju sërish keni shkuar në Gjakovë dhe u rritët atje. Çfarë është për ty ky udhëtim, është një arritje e bashkimit të larmisë së kulturave shqiptare?
 
 -Po në një mënyrë po, domethënë ne ishim të ndarë nga ana politike, por unë nuk i ndaj dot si Shqipërinë e Jugut si Shqipërinë e mesme, por edhe Kosovën. Un kisha fat që isha djalë i një bashkimi, domethënë nënën e kisha nga jugu i Shqipërisë dhe babanë e kam nga Kosova dhe kam pasur fat të jem biri i tyre. Kam pasur fat që të jenë të dyja......
 
Më fal, ju doni të thoni që ju jeni një bir i bashkimit të kombit shqiptar?
 
-Patjetër, ..sepse nuk do të luaja dot një muzikë të jugut që duhet t’i jepet aksenti i jugut ose të veriut, sepse nuk ka si të bëj muzikë të jugut një që është nga Llapi apo Veriu i Kosovës dhe ka të bëjë edhe me gjuhën pak.
 
Përmeti ku ka lindur nëna juaj dhe Gjakova ku lindi babai juaj, kanë disa elementë të përbashkëta të trashëgimisë, jo vetëm muzikën, por edhe kuzhinën që shërben si “një lloj afrodiziaku”, e shumë të tjera. Ti nuk ke qenë asnjëherë në Përmet?
 
-Jo. Tani do të shkoj patjetër. Po. Ka të bëjë edhe mënyra sesi gatuhet, sa kripë duhet t’i hedhësh, apo si duhet bërë një gjë, çfarë kënaqësie të jep, ashtu është dhe muzika.
 
Tani do kthehemi te muzika gjakovare, ajo është një element, që ju e keni trashëguar apo jo, si ka ndodhur më tregoni?
 
-Po muzika është e veçantë. Ka shumë orientalizma, patjetër, por me një ritëm që ka ndodhur ndoshta sepse s’kanë pasur shumë aftësi për të mbajtur ritmin dhe ka dalë një përzierje shumë interesante nga ana e ritmit, origjinale, kurse meloditë janë të njëjta si të Shqipërisë së Mesme.
 
“Baresha” ka një muzikë të peizazhit, të natyrës të ujërave, të burimeve, një peizazh shqiptar, por edhe një peizazh që zakonisht kompozitorët e muzikës klasike japin në repertor. Me kë të afron “Baresha” me klasikët e mëdhenj botëror që kanë bërë muzikë të peizazhit?
 
-Baresha më kujton Rugovën që më del përpara si peizazh, si natyrë. Çudi muzikë të ngjashme kanë bërë edhe bërë edhe Brahms, Mozart, Schubert. Të gjithë këta janë inspiruar si nga natyra dhe muzika popullore e vendeve të ndryshme.
 
Ka edhe elementë të romanit dhe ndjenja të dashurisë te “Baresha”?
 
Po sigurisht, është dashuria për natyrën, është emocioni për personin që dashuron. Është emocion në përgjithësi.

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)

 

 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre