SPECIALE/ Shqipëria dhe rreziku i vetmisë politike, diplomati Shaban Murati: Rëndësia e aleancës me Turqinë dhe antiamerikanizmi si ‘plagë’ për kombin

Me 55-vjet përvojë në fushën e politikës së jashtme. Ambasador i Shqipërisë në Suedi, Norvegji, Finlandë, Islandë dhe Maqedoninë e Veriut, studiuesi dhe analisti i diplomacisë Shaban Murati ka sjellë për lexuesin librin e tij më të fundit "Konteksti rajonal i Aleancës Strategjike Shqipëri-Turqi" .

“Me këtë libër unë mbyll të gjithë korpusin e veprave të mia kushtuar mendimit diplomatik shqiptar, i cili për fat të keq ka munguar. Ka lindur si nevojë gjatë ushtrimit të profesionit të diplomatit për 25 vjet. Dhe, jam përpjekur, që përvojën time të gjatë, mbi gjysmë shekulli në politikën e jashtme ta përfshijë në libër.

Në rastin e Turqisë, libri që mbyll ciklin, sjell një këndvështrim të ri. Bën zbërthimin ose shikimin e Aleancës Strategjike në plan gjeopolitik. Siç kam parë të gjitha marrëdhëniet me shtetet e tjerë në plan gjeopolitik. Është një këndvështrim që është neglizhuar, nga studiuesit, vëzhguesit diplomatët po e po. Pra janë parë në mënyrë sipërfaqësore elementet e tjerë. Kurse unë e shikoj në një plan më të gjerë, afatgjatë”, shprehet diplomati Shaban Murati, studiues i politikës së jashtme, publicist dhe gazetar".

Botimi doli në librari fundvitin që lamë pas në kuadër të 100-vjetorit të themelimit të Republikës së Turqisë, 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve e njëherazi një shekull nga nënshkrimi i "Traktatit të Miqësisë së Përjetshme dhe Bashkëpunimit" midis Shqipërisë dhe Turqisë. Diplomati tregon rëndësinë e ruajtjeve të raporteve dypalëshe dhe pse e konsideron Turqinë si faktor kryesor të Aleancës Strategjike të Shqipërisë në Ballkanin Kontinental.

“Si specialist, me sinqeritet dhe pa asnjë lloj emocioni më duhet të them se ne nuk kemi në Ballkanin Kontinental asnjë faktor tjetër që na mbështet në plan gjeopolitik dhe afatgjatë. Ju mund t’i merrni të 12 shtetet me të cilat ne kemi dhe traktate miqësie dhe bashkëpunimi, por Turqinë nuk e zëvendëson asnjëri prej tyre. Unë dhe në libër përmend disa elementë që kanë të bëjë me aktualitetin, pra raportin strategjik që është sot midis nesh dhe Turqisë, ku Turqia është i vetmi shtet që nuk rivendikon asnjë lloj territori shqiptar . E dyta, nuk ka asnjë centimetër tokë shqiptare dhe nuk ka asnjë problem që të shantazhojë

Shqipërinë me minoritetet, ose në probleme të hapura. Kurse me shtetet e tjera, që janë shtete që historia na i ka dhënë si fqinjë, ne kemi njëmijë e një probleme gjatë ekzistencës 110-vjeçare të shtetit shqiptar”, thotë ish-ambasadori.

Shkrimet analitike të ish-ambasadorit Murati, janë të lidhura ngushtë me zhvillimet në dekadat e fundit. Në to ai zbërthen ndër të tjera, faktorët e përjashtimit të Shqipërisë, në disa prej aleancave Ballkanike, dhe diplomacinë fetare, si një nga elementet kryesore të hartimit të platformave gjeopolike të këtyre shteteve, duke cekur trininë shtetëroro-fetare Greqi- Rusi-Serbi.

“Unë them ka një fenomen të ri negativ në Ballkan. Përveç faktit që të gjithë brohorasin për Bashkimin Evropian, që të bëhemi anëtarë  të BE-së, 90 për qind janë shtete anëtare të NATO-s. Nën dhe, shtete ballkanike kanë mbetur ato që kanë qenë. Vitet e fundit shohim që kemi aleanca  nga 4-5 shtete me njëri-tjetrin. Si për shembull Serbi-Rumani-Bullgari; Serbi-Bullgari -Rumani- Greqi; Greqi-Bullgari -Rumani; Serbi-Maqedoni -Greqi etj.

Cili është elementi që duhet të tërheqë vëmendjen e studiuesve apo diplomatëve, vëmendjen e gjeopoliticieni që sheh larg? Në asnjërën pre këtyre aleancave Shqipëria nuk u ftua të ishte anëtare. Por, gjysma e këtyre shteteve janë anëtarë të NATO-s, si ata thërrasin Serbinë dhe Shqipërinë nuk e ftojnë? Pse Shqipëria është përjashtuar? Është njësoj si në periudhën midis dy luftërave, kur na injoruan shtetet ballkanike. Dhe elementi tjetër shumë i rëndësishëm është që të gjithë këta janë shtete ortodokse. Por publiku, kolegët tuaj dhe të mijtë e shohin këtë në mënyrë shumë sempliste, mirëpo unë e theksoj se shenja e njëjtë fetare që Turqia ka me shumicën e popullit të Shqipërisë, është shenjë pozitive. Nuk kam pse ta fsheh, këtë shenjë fetare duhet ta shfrytëzojmë me Turqinë. Shtetet që përmendëm në këto aleanca janë shtetet ortodokse, pra kanë një bazë që nuk ka lidhje as me NATO-n dhe as me Bashkimin e Evropian. Kjo do të thotë që t’i mbetesh i vetëm në shkretëtirë. Atëherë, e përsëris, shenja e përbashkët fetare duhet të shfrytëzuar”, thotë më tej.

Në librin e tij diplomati argumenton se disa forcave të jashtme u intereson vetmia diplomatike e Shqipërisë. Në një prej analizave të shkruar në kuadër të zhvillimeve të tri viteve më parë ai tregon përmes fakteve pak të njohura "virusin antishqiptaro-turk" të shkaktuar nga Moska, ndër të tjera përmes shkrimeve të 2020-ës në gazetat ruse  ku propagandohej dhe shtrembëroheshin të vërtetat...

"Në datën 19 prill 2020 gazeta proqeveritare ruse "Izvestia" nën titullin provokativ "Shqipëria dhe Turqia bashkohen kundër Greqisë" shkruante se Shqipëria dhe Turqia kanë nënshkruar një marrëveshje të fshehtë për vendosjen e 30 mijë refugjatëve sirianë në rajonin e "Vorio Epirit", citon Murati në botimin e tij.

“E keqja është që një pjesë qoftë e medias qoftë e politikës në Shqipëri është ndikuar nga forca jashtë vendit, të cilat kërkojnë me çdo kusht që ta prishin miqësinë apo aleancën strategjike midis Shqipërisë dhe Turqisë.  Është ajo deviza e famshme për t’i lënë shqiptarët pa miq në Ballkan. Nëse ne do të bënim gabimin e madh strategjik që ta braktisim Turqinë, ku do të përplasemi? Do të përplasemi tek ata që na kanë plaçkitur territoret? Pra, na të gjithë këto elementë që janë të reja dhe duhet parë me syrin kontemporan, jo me sytë e Frank Bardhit para 4 shekujve, atëherë do të kuptojnë se aleanca strategjike me Turqinë, është një aleancë që duhet të jetë mbështetje e jona, faktori i jashtëm kryesor në Ballkanin Kontinental”, shprehet Murati.

Armiqësimi i Shqipërisë me Turqinë, siç shpjegon më tej, është në interes të Greqisë. Strategjitë e shtetit kufitar, shkojnë deri aty saqë në 2021-shin përmes një deklarate të Ministrit të Jashtëm, del me pretendimin si protektore e shteteve me shumicë myslimane në Ballkanin Perëndimor, nga rrjetet ekstremiste dhe pikëpamjet neootomaniste. Në këtë listë përfshihet Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja, por pa u përmendur Serbia e as Mali i zi.

“I ka shkuar aq thellë saqë mori përsipër të mbronte popullsinë myslimane në Ballkan a e kuptoni sa absurde , një shtet teokratik në fund të fundit që udhëhiqet nga kisha merr përsipër të mbrojë myslimanët? Gjithë problemi ishte që ta shkëpusim Shqipërinë nga Turqia. Pra ishte një thikë pas shpine për ne. Kjo në kuptimin diplomatik”, shton më tej.

Janë disa faktorët konfliktualë, të vjetër e të rinj, mes Greqisë e Turqisë që përmenden në libër si problemet e kufijve detarë në detin Egje, të kërkimeve energjetike në Mesdheun Lindor, të zonave ekonomike ekskluzive në pellgun e Mesdheut . Por me rëndësi të veçantë është edhe qasja e Shqipërisë, si në problemin e Qipros. Duke sjellë në vëmendje njoftimin e 31 marsit të vitit 2020 bërë nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian ku thuhej se Shqipëria është ndër shtetet partnere që iu është bashkuar sanksioneve të BE-së ndaj Turqisë për shkak të veprimtarive të saj eksploruese në Mesdheun Lindor, Murati tregon pse ky qe një hap diplomatik i gabuar nga ana e vendit tonë. Parë faktin se Turqia kish mbështetur Pavarësinë e Kosovës, si dhe Shqipërinë në momente kyçe si tërmeti i 2019-ës dhe epidemia e Covid 19.

“Në kuptimin strategjik, në parim, neve si Shqipëri na intereson që dy shtete anëtare të NATO-s ta gjejnë gjuhën e zgjidhjes për konfliktin midis tyre. Ne nuk na intereson armiqësia as me njërin, as me tjetrin shtet. Ne na intereson që dy shtete të NATO-s në konflikt të mos bëjnë luftë. Por në një moment kritik, në një moment strategjik unë nuk kam pse të mos them që kjo është e drejta kjo është e shtrembër. Kam një shembull unë për Qipron. Shqipëria nuk duhet të dëmtojë interesat e saj për ‘sytë e bukur’ të Qipros them unë. Çfarë interesi ka Shqipëria për Qipron, asnjë lloj interes! Shqipëria gjithmonë vendos sanksione kundër Turqisë, një absurditet diplomatik . Pse? Sepse kishte kërkuar Qipro. Pra është një absurditet sepse si mund të veprojë një shtet serioz për ‘sytë e bukura’ të Qipros. Qipro është është një ndër shtetet armiqësore ndaj Kosovës. Ka kundërshtuar Shqipërinë në të gjitha fushat. S’kemi asnjë lloj interesi  Sigurisht ai është një shtet satelit i grekëve, por ka dëmtuar interesat e Shqipërisë. Shteti, diplomacia, shkenca, mediat duhet të jenë shumë të vëmendshme, sepse për fat të keq ndikohemi shumë nga sponsorizmet e fqinjëve dhe ata ndikojnë që të na prishin raportet me miqtë që kemi.

Se kot nuk themi, nëse prishen raportet me Turqinë nuk mund të bëhesh aleat strategjik me një shtet që prej110-vjetësh ke probleme. Që kur je themeluar si shtet kur luftanijet greke bombarduan Vlorën e Ismail Qemalit dhe tani që flasim bashkë  që të ka dhënë veton e hapjes ndërqeveritare me BE-në. Pra ai që është largpamës në qeverinë përkatëse duhet të jetë më largpamës.

Nga përvoja ime e gjatë, meqenëse unë kam punuar me mbi 20 ministra të jashtëm, përvoja tregon që është një gjë e rrallë të gjesh një person ministër apo kryeministër që të ketë menduar në afatgjatë për interesat shtetërorë dhe politike shqiptare”, thotë më tej.

ANTIAMERIKANIZMI

Por nxitjet drejt vetmisë politike të Shqipërisë, kanë qenë të herëpashershme, nga forca të jashtme, e madje nga interesa të grupimeve politike dhe individëve të përveçëm, në një prej aleancave më kyçe të saj, atë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke çuar në atë që ish-diplomati e quan antiamerikanizëm

“Ky është një fenomen i shtatë viteve të fundit në Shqipëri. Dhe është për të ardhur keq, që vendi ynë që është shquar për pro amerikanizmin në kuptimin pozitiv të fjalës, shkon pas ideve të tilla. Shqipëria që në vitin 1915 me Hafiz Ibrahim Dalliun kërkonte proteksionin e Amerikës. Shiko sa largpamës, para 100 vjetësh poeti i famshëm kërkonte mbrojtjen e Amerikës! Por,  për fat të keq në Shqipëri ka dalë në skenë një antiamerikanizëm i ri i cili sponsorizohet nga jashtë. Ky mekanizëm në Shqipëri shfaqet edhe tek partia tradicionale komuniste, Partia Socialiste, dhe tek Partia Demokratike. Është ‘për të vënë duart në kokë’ që partitë tona politike kanë lejuar veten të bien në një ndikim të tillë. I intereson liderëve të partive përkatëse në një moment të caktuar, që ta mobilizojnë popullin rreth ideve të tyre: Ai lëshon antiamerikanizmin, kjo dëmton Shqipërinë !

Shaban Murati kthehet pas në kohë e kujton protestën e vitit 2013, ku aktivistë  e qytetarë, protestuan kundër ardhjes së armëve kimike siriane në Shqipëri, me qëllim shkatërrimin e tyre, para Ambasadës Amerikane në Tiranë.

“E para herë që në 30 vjet shqiptarët bënë demonstratë para Ambasadës Amerikane. Çdo diplomat ,çdo politicien, çdo vëzhgues largpamës, e kupton fare mirë që ajo nuk ishte për armët kimike, ajo ishte për të na armiqësuar ne me Amerikën! Është një fenomen i cili për fat të keq vijon sot e kësaj dite.

Pra, ne kemi forca politike me emër apo mbiemër, quajini si të doni të cilët kanë bërë platformë kryesore antiamerikanizmin. A e kuptoni në çfarë Shqipërie kemi arritur? Edhe komike që ky antiamerikanizëm ka marrë formë më komike edhe se ai i kohës së Enver Hoxhës. Se ajo ideologji e tillë ishte, por të jesh antiamerikan në të ashtuquajturën ideologji demokratike është një nonsens, është dëmtim i interesave kombëtare unë e quaj me ndërgjegje dhe i sponsorizuar nga jashtë".

Përgjegjësia për këtë ngërç në forcimin e aleancave të vendit tonë ndahet edhe mes përfaqësuesve diplomatik, shpesh anonim, por  dhe ministrave të jashtëm që pasojnë, edhe pa pasur një strategji konkrete.

“Më vjen keq ta pohoj, por ata s’kanë marrë asnjëherë asnjë nismë diplomatike. Për fat të keq ka ndërmarrë Maqedonia, një shtet i ri, një gjysmë shtet siç është Mali i Zi, ku sa gjysma e Tiranës e gjithë popullsia. Shqipëria s’ka marrë kurrë. E keqja është se udhëheqjet tona kanë vuajtur nga një kompleks inferioriteti dhe kanë shkuar pas berihasë së të tjerëve”, shprehet Murati.

B.K//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gjin Bue Shpata: 06/01/2024 21:30

    O shave, po si s'na lantirqia veç neve me levru gjuhën shqipe dhe të gjithë shteteve ortodokse po, a I ke bërë ndonjë herë pyetje vetes? Pse na lau me gjak 1909-1911, e 1912 për mos me na lënë me ike në punë tonë?

    Përgjigju
  • Eri: 06/01/2024 21:17

    Islamic komunisto

    Përgjigju
  • Alidemsi: 06/01/2024 20:08

    Bravo nje shkrim perfekt dhe analiza e perkryer POR KUR DO TA MORIN VESH KETO DJATHTAS DHE MAJTAS.......

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë