Në një kohë kur premtimet shkruhen në ekrane që fshihen me një të rënë të gishtit, historia e Tajar dhe Xhuliana Xhanarit duket si një sfidë ndaj kohës. Ata u martuan në vitin 1978, një epokë ku divorci nuk ishte opsion, por një dështim moral që peshonte mbi gjithë fisin. Sot, pas 48 vitesh, ata ulen në të njëjtën divan, duke mbajtur duart që mbajnë shenjat e dekadave të punës.Për ta, martesa nuk ishte një kontratë qejfi, por një kështjellë që mbrohej me sakrificë.

"Ne Shën Valentinin e kemi përditë," thonë ata. Sekreti i tyre është i thjeshtë: durimi. Xhuliana kujton se vështirësitë nuk ishin arsye për t'u larguar, por për t'u bashkuar më fort.

Ky kontrast bëhet therrës kur sheh shifrat e vitit 2026:

Raporti rekord: Sipas raporteve të fundit të bazuara në të dhënat e INSTAT, 1 në 3 martesa po përfundon në divorc. Ky është niveli më i lartë i regjistruar historikisht në vend.

Shkalla e divorcit: Në fillim të vitit 2026, shkalla e divorcit shënoi 29.8 divorce për çdo 100 martesa, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitet e kaluara (psh. në 2021 ky raport ishte 15.8).

Kërkesat në Gjykata: Janë rreth 12,000 padi për zgjidhje martese që trajtohen çdo vit në gjykatat shqiptare, një shifër që mbetet konstante ose në rritje edhe për 2026-ën.

Ndërsa Tajari dhe Xhuliana numërojnë përvjetorët, zyrat e avokatëve në Shqipëri numërojnë dosjet e dështimeve.

Sipas të dhënave të terrenit, numri i divorceve në Shqipëri është dyfishuar krahasuar me vitin 2025. Për shumë avokatë, fluksi i rasteve është rritur brenda një viti.

“Vetëm në zyrën time ka 2-3 fishin e rasteve që divorcohen krahasuar me një apo dy vite më parë. Çdo vit shumëfishohen. Ndërsa në Republikën e Shqipërisë janë dyfishuar divorcet krahasuar me vitin 2025.” tregon avokat Roland Islami.

Por pas këtyre shifrave fshihet një paradoks i dhimbshëm: shumë shqiptarë po martohen dhe ndahen vetëm për një mbiemër. Sipas avokatit Islami:

“Divorcet janë shtuar për dy arsye. E para që është edhe më kryesorja, vjen për shak të martesave fiktive. Shqiptarët janë të detyruar që të bëjnë martesa fictive për shkak të deportimeve dhe espulseve që kanë jashtë vendit duke zgjedhur këtë mënyrë për të ndryshuar mbiemrin.”

Ligji i ngurtë për gjendjen civile ka krijuar një treg të zi të emocioneve. Emigrantët shqiptarë, të gjendur nën presionin e dëbimeve nga vendet e Bashkimit Evropian, e shohin martesën si "vizen" e tyre të fundit. Një mbiemër i ri do të thotë një identitet i ri, një shans për t’i shpëtuar "espuls-it".

“Është e vetmja rrugë që i la ky shtet nga ndryshimi për gjendjen civile, ku në ligjin për gjendjen civile është përcaktuar që ti mbiemrin mund ta ndryshosh vetëm duke kaluar në një procedurë pothuajse të pamundur për t’u realizuar. Dhe gjejnë zgjidhje nëpërmjet martesës fiktive ku merr mbiemrin e bashkëshortit ose bashkëshortes që ta njeh ligji", tha avokati.

Ky është paradoksi i madh: njerëzit martohen për të mashtruar shtetin dhe divorcohen sapo "puna" mbaron. Por shpesh, ky pazar lë pas pasoja. Janë gratë ato që, pasi kanë "huazuar" mbiemrin e tyre, kërkojnë me ngulm lirinë sapo partneri fiktiv siguron dokumentet.

“Femrat e kërkojnë më së shumti divorcin. Si në rastin e martesave reale kur tradhëtohen edhe në martesat fiktive kur bashkëshortët marrin mbiemrin e bashkëshortes, janë gratë ato që kërkojnë zgjidhjen e martesës pasi burrit nuk i duhet më mbiemri i saj kur mbyll problemin e tij.” thotë avokati.

Gjykatat janë kthyer në stacione transiti ku dashuria nuk përmendet kurrë.

Por nuk janë vetëm letrat. Në muret e shtëpive shqiptare po hyn një armik i heshtur: izolimi digjital. Sociologia vëren se migrimi i brendshëm, lëvizja nga fshati në qytet, po shkatërron strukturën tradicionale. Integrimi i keqkuptuar po kthehet në "mollë sherri". Çiftet gjenden midis traditës së prindërve dhe lirisë kaotike të qytetit të madh.

“Ndonjëherë pjesa e integrimit kuptohet në mënyrën më të gabuar dhe kjo sjell më pas konflikte në jetën bashkëshortore ndërmjet çifteve.” shpjegon Arjana Muçaj, sociologe.

Dhe pastaj, janë rrjetet sociale. Dikur, tradhtia kërkonte një vend takimi, një orar, një fshehje fizike. Sot, ajo nis me një "like", me një mesazh miqësor në mesnatë. "Tradhëtia digjitale" është virusi i vitit 2026. Ajo nis si një lojë, por përfundon si një tërmet që rrëzon tryezën e bukës.

“Mos harrojmë divorci në vetvete ka dhe pjesën e tradhëtisë, që sot pak a shumë kemi një problematikë shumë të madhe që janë rrjetet sociale. në të cilat çiftet e fillojnë në formën e një bisede miqësore dhe më pas kalojnë në një marrëdhënie që fillon në një mënyrë jo shumë të guximshme nga palët por që i çon drejt konflikteve çiftet për sa i takon mënyrës se si komunikojnë me njëri tjetrin, se si nxitet marrëdhënia e tyre në vazhdimësi dhe kjo është një nga faktorët e ditëve të sotme ku rrjetet sociale janë bërë një faktor kyç.” thotë sociologia Arjana Muçaj.

Një tjetër kolonë që po rrëzohet është ajo e heshtjes. Gruaja shqiptare e vitit 2026 nuk pranon më dhunën si fat. Ndërgjegjësimi kundër dhunës fizike, por sidomos asaj psikologjike dhe ekonomike, ka bërë që kërkesat për divorc të vijnë kryesisht nga gratë. Ato kërkojnë lirinë nga një model patriarkal që ende prodhon burra të dhunshëm.

“Meshkujt shqiptarë janë shumë të dhunshëm dhe femrat shqiptare i drejtohen gjykatës për zgjidhjen e martesës për shkak të dhunës dhe fyerjeve të vazhdueshme që ato marrin nga burrat.” tregon avokati.

“Dhuna ka disa forma nuk mund ta kuptojmë vetëm në dhunën fizike, por ajo që është më e rëndësishme është dhuna psikologjike, dhuna ekonomike që e shoqëron çiftin dhe besoj që kemi një ndryshim të raportit. Megjithatë nëse i krahasojmë të dyja gjinitë në bazë të statistikave mbeten aty aty në shifra, por që shikohet se fundi një kërkesë më e lartë për divorc nga ana e vajzave.” sipas sociologes Muçaj.

Përveç dhunës, një faktor i ri po del në dritë: besimi fetar. Imponimi i bindjeve fetare nga njëri partner te tjetri po kthehet në një mur ndarës që nuk kalohet dot me dialog.

“Mos harrojmë pastaj që vitet e fundit është parë pak edhe ky problem fetar, në lidhje me sa i takon besimeve fetare. Ne themi që jemi një popull që e respektojmë besimin e tjetrit por në ditët e sotme ne po shikojmë që në shumicën e rasteve ndryshimi i fesë në mënyrë të imponuar nga njëri partner tek partneri tjetër, sjell edhe konflikte, çarje midis çifteve dhe që i çon ata drejt divorcit.” vazhdon shpjegimin e saj sociologia Muçaj.

Nga eksperienca e trajtimit të rasteve, avokatët vërejnë se shumica e divorceve ndodhin në vitin e tretë të martesës – koha kur "maskat" bien. “Është momenti kur njeriu i dhunshëm apo tradhtari shfaqet në origjinën e tij.” tregon avokay Islami. Ndërsa dikur tradhtia ishte e vështirë për t'u provuar, sot "ndihma" vjen nga teknologjia.

“Shtimi i dedektivëve privatë ka rritur numrin e ndarjeve, duke dokumentuar tradhti që nisin si biseda të pafajshme në rrjetet sociale.” sipas avokatit.

Por drejtësia në Shqipëri është një makinë e ngadaltë. Ndërsa njerëzit nxitojnë të ndahen, gjykatat zvarriten. Një proces zgjidhjeje martese mund të zgjasë deri në katër vite. Ky ngadalësim prodhon situata absurde. Njerëzit krijojnë lidhje të reja, bëhen me fëmijë të tjerë, por ligjërisht mbeten të lidhur me të kaluarën.

“Realisht të gjitha çështjet zvarriten. Nëse avokati nuk i shkon përditë gjykatës tek dera deri sa ta mërzisë për t’i nxjerrë një datë gjyqi, çështja zvarritet nga një deri në katër vjet. Dhe ka raste që personat kanë krijuar lidhje tjetër, kanë bërë edhe fëmijë dhe nuk arrijnë ta regjistrojnë në gjendjen civile se nuk është bërë zgjidhja e martesës së parë. Pra aq shumë vonon gjykata në Shqipëri, sa më shpejt martohesh dhe krijon familje të dytë. Nëse këtu tek ne pret gjykatën, ti mbetesh pa u martuar me atë që do se gjykata nuk të ndan.” shpjegon avokat Islami.

Dhe në fund, mbetet viktima e padukshme: Fëmija. Avokatët tregojnë raste tronditëse, si ai i një 8-vjeçari që mbeti i vetëm në zyrën e psikologut, pasi babai u largua jashtë vendit dhe nëna, e rimartuar, nuk guxonte të tregonte ekzistencën e tij në familjen e re.

“Unë mbeta aty me fëmijën dhe nuk dinim ç’të bënim së bashku me psikologun. Jemi detyruar që fëmijën ta çonim në polici dhe hoqa dorë nga çështja e zgjidhjes së martesës në atë lloj forme. Nga njëra anë kishim një nënë që e la fëmijën sepse nuk donte të tregonte të vërtetën në martesën e dytë, nga ana tjetër kishim një baba të papërgjegjshëm që ia la gjyshërve dhe ata ia dorëzuan psikologut sepse u larguan në shtetin ku jetonte i biri, dhe fëmija mbeti në këtë udhëkryq. Ky ka qenë një nga rastet më të dhimbshme të cështjeve të mia të divorcit.” tregon avokati.

Sociologia paralajmëron se papjekuria emocionale e çifteve të reja (shpesh nën moshën 20 vjeç) dhe shndërrimi i martesës në një "pengesë për karrierën", po e çon shoqërinë drejt një udhëkryqi të rrezikshëm. Bashkëjetesa po shihet si rrugëdalje për të shmangur bllokimin e lirisë, por kjo po sjell edhe një rënie drastike të popullsisë.

“Unë do të thoja që të rinjtë sot duhet të jenë të kujdesshëm për sa i takon moshës, sepse ne kemi një ulje të numrit të popullsisë dhe jo pa qëllim duhet ta përmendim edhe këtë për vetë faktin se është rritur mosha, mënyra se si e shikojnë një lidhje martesore dhe prurjen në jetë të një fëmije, por gjithmonë ka një moshë të caktuar si për djemtë dhe për vajzat.” thotë sociologia Muçaj.

Divorci në vitin 2026 është më shumë se një procedurë; është pasqyra e një shoqërie në tranzicion të dhimbshëm. Midis martesave për letra, tradhtive në celular dhe papjekurisë emocionale të të rinjve, familja po humbet shenjtërinë e saj.

“Divorci është një nga elementët që ne si shoqëri do të na shoqërojë për aq kohë sa ne zhvillohemi dhe për aq kohë sa përpiqemi të integrohemi me shoqëritë sepse globalizimi bën të vetën, edhe shoqëria shqiptare pak a shumë do të ketë të njëjtat problematika që kanë edhe shoqëritë e tjera.”

Ndërsa dritat e gjykatave fiken, diku në një lagje të vjetër të Tiranës, Tajari dhe Xhuliana pinë kafenë e radhës. Ata nuk njohin rrjetet sociale, as martesat fiktive. Ata njohin vetëm premtimin e vitit 1978. Ndoshta zgjidhja nuk fshihet te ligjet e reja, por te ajo pasuri e vjetër që quhet përgjegjësi. Sepse në fund, faturën e divorceve rekord nuk e paguajnë avokatët, por një brez që po rritet pa ditur se çfarë do të thotë "përgjithmonë".