Speciale/Triumfuesit dhe ngjarjet 
sportive të vitit 2017-të

Speciale/Triumfuesit dhe ngjarjet <br />sportive të vitit 2017-të<br>
Në futbollin vendas Kukësi fitoi për herë të parë titullin kampion ndërsa Tirana pësoi një tragjedi duke rënë një kategori më poshtë. Zhvillime të rëndësishme pati edhe në ekipin Kombëtar ku u largua Gianni De Biasi dhe u zëvendësua me Christian Panucci-n. Tekniku i Kombëtares Gianni De Biasi ka dhënë zyrtarisht dorëheqjen më 14 qershor. Vendimin për largimin e tij, e ka dhënë në një konferencë për mediat ku është shfaqur bashkë me Presidentin e FSHF-së, Armand Duka.

De Biasi ka komunikuar mes lotësh largimin. Ai tha se së bashku me stafin e Kombëtares dhe FSHF-në ka shënuar arritje të mëdha dhe i ka falenderuar për bashkëpunimin. Ai deklaroi se ky është fundi i një cikli, pasi tashmë kombëtarja mund të përmirësohet më tej, por jo nën drejtimin e tij. Ndërsa Presidenti Duka ka vlerësuar maksimalisht Gianni De Biasin për kontributin e dhënë më kombëtaren që kulmoi me paraqitjen shumë të mirë në Kampionatin Europian.

Mes shumë kandidatëve De Biasi u zëvendësua me një tjetër italian një ish futbollisht të famshëm Christian Panucci-n i cili ka për detyrë të dërgojë Shqipërinë në Kampionatin Europian të vitit 2020. Panucci në katër ndeshjet e mbetura të fazës kualifikuese të Botërorit të Rusisë grumbulloi 4 pikë pas fitores me Lihtenshtejnin ,barazimit me Maqedoninë dhe dy humbjeve me Spanjën e Italinë. Por Kombëtarja e mbylli më së miri vitin duke fituar në Antalia miqësoren me Turqinë 3-1 falë dygolëshit të Armando Sadikut dhe golit të Eros Grezdës.

Superligën në pjesën e parë të edicionit 2017-2018 po e dominon Skënderbeu. Por skuadra korçare bëri edhe një superparaqitje në Europë. Skëndërbeu kaloi katër ture eliminatore dhe u paraqit denjësisht edhe në fazën e grupeve të Europa League.Pavarësisht se e mbylli në vend të fundit në grupin B me 5 pikë Skënderbeu ishte i pamposhtur në Elbasan me një fitore dhe 2 barazime ndërsa jashtë fushe i humbi të treja ndeshjet ndaj Dinamos së Kievit, Partizanit të Beogradit dhe Young Boys.

Spektakël nga Romela Begaj në kampionatin Botëror të peshëngritjes. Në Anaheim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Begaj ka siguruar dy medalje, ari në stilin e shkëputjes dhe medalje argjendi në dygarësh duke u shpallur edhe nënkampione bote dhe ngritur flamurin shqiptar. Begaj ka bërë një garë thuajse perfekte duke kaluar me sukses 5 nga 6 provat. Në shkëputje ku Begaj siguroi edhe medaljen e arit bëri tre prova të suksesshme duke ngritur me radhë 103,105 dhe 107 kg dhe duke rrëmbyer medaljen e artë.

Gara ka qënë shumë e mirë për Begajn edhe në stilin e shtytjes së kategorisë deri në 69 kg në peshën trupore. Në provën e parë Romela Begaj ngriti 125 kg ndërsa në të dytën ngriti 128 kg dhe në të tretën nuk mundi dot të ngrite 131 kg . Me 235 kg në dygarësh Romela Begaj shpallet nënkampione Bote në dygarësh duke arritur një rezultat historik për të dhe për peshëngritjen shqiptare. Begaj kthehet nga Amerika me dy medalje të varura në qafe ari dhe argjendi.Triumfin e Romela Begajt në Botërorin e peshëngritjes e ka përshëndetur në rrjetet sociale edhe Presidenti Ilir Meta.

Ndërsa Erkand Qerimaj nuk arriti dot të futej në zonën e medaljeve pasi kaloi me sukses vetëm 2 nga 6 provat. Në dygarësh shkodrani u rendit në vend të 6-të me 342 kg. Në shkëputje Qerimaj u pozicionua më mirë në vend të katërt me 155 kg ndërsa në shtytje arriti të ngrinte 187 kg duke u poziciunuar vetëm i 9-ti. 2017-ta ishte një vit për tu vendosur në korrnizë për Real Madrid. Madrilenët fituan 5 trofe ndërsa janë kampionë të freskët të Botës duke triumfuar në fund të dhjetorit edhe në Botërorin e klubeve për të dytin vit radhazi. Në Abu Dhabi djemtë e Zidane e mbyllën vitin me një tjetër trofe duke mposhtur në finale brazilianët e Gremio 1-0 falë golit të Cristiano Ronaldo.

Në 3 qershor në finalen e Cardiff kundër Juventusit, Real Madrid kishin arritur një tjetër sukses historik duke fituar për herë të dytë radhazi edhe Champions League gjë që se kishte arritur kush më parë. Djemtë e Zidane mposhtën Juventusin e Allegrit 4-1 me një pjesë të dytë fantastike.
Më herët në 21 maj të 2017-tës Real Madrid kishte fituar titullin kampion të Spanjës të 33-tin në histori dhe rikthehej tek titulli kampion në La Liga pas 5 vitesh. Matematikisht djemtë e Zidane e siguruan kampionatin në ndeshjen ndaj Malagas të cilën e fituan 2-0.Por Real Madrid nuk u ndal me dy trofetë e fituar në edicionin 2016-2017 por edhe këtë edicion e nisi me dy trofe. Real Madrid fitoi Superkupën e Spanjës duke mposhtur Barcelonën dhe po ashtu siguroi Superkupën e Europës duke mundur 2-1 në Shkup Manchester United.

Nëse 2017-ta ishte viti i Real Madrid nuk ka se si të mos ishte edhe viti i Cristiano Ronaldos pasi golat e portugezit e dërguan skuadrën tek trofetë. Ronaldo u shpall si lojtari më i mirë duke fituar çmimin “The Best”. Faleminderit tifozëve të Real Madridit, lojtarëve, trajnerit, presidentit – që më kanë mbështetur gjithë vitin”, tha CR7. 

“Ky është çmimi i dytë me radhë dhe me të vërtet jam shumë i lumtur, kjo do të thotë shumë për mua. Është fantastike të jem këtu në mesin e lojtarëve të mrekullueshëm, jam shumë i lumtur dhe faleminderit”, deklaroi Ronaldo. Por më me rëndësi ishte “Topi i Artë”. Ylli portugez fitoi “Topin e Artë” për herë të pestë duke barazuar Leo Messin sukses të cilin e ndau me të gjithë shokët e skuadrës tek Real dhe Portugalia.

2017-ta në futbollin italian ishte sërish në ngjyrat bardhezi. Juventusi ka dominuar në kampionat duke fituar titullin e 6-të radhazi në fund të një sezoni triumfues duke vendsour një rekord absolut në Serinë A. Titulli ishte më shumë meritë e taktikave të trajnerit Allegri, golave të sulmuesit Gonzalo Higuan dhe të një mbrojtjeje bunker. Titulli kampion u shoqërua edhe me Kupën e Italisë por jo me Champions Leaguen. Juventusi nuk mundi dot të bënte tripletën pasi u mund nga Real në finalen e Champions.

Më 14 korrik 2017-të Milani zyrtarizon blerjen e Leonardo Bonuccit nga Juventusi për 42 mln euro që në fakt do të ishte thjesht qershia mbi tortë e një merkato të bujshme ku kuqezinjtë shpenzuan mbi 200 mln euro. Bonuccit iu besua edhe shiriti i kapitenit dhe u prit me entuziazëm të madh . Por mbrojtësi italian dhe të tjerët e afruar në skuadër në pjesën e parë të sezonit zhgënjyen pritshmëritë dhe tifozët me rezultatet e dobëta që sollën edhe largimin e Vincenzo Montellës dhe më pas në pankinë u ul Gennaro Gattuso.

28 maji i vitit 2017-të ishte dita e ndeshjes Roma-Genoa por në realitet për futbollin italian dhe atë botëror ka qënë një ditë e paharrueshme edhe pse në njëfarë mënyre e trishtë. Është dita e lamtumirës së Francesco Tottit nga futbolli, lamtumira nga Roma e njërit prej talenteve që ka prodhuar futbolli italian. 28 maji ka qënë edhe një ditë e mrekullueshme për emocionet që ka dhuruar për lamtumirën mes lotësh që Totti i dha tifozëve të Romës por edhe gjithë tifozëve në mbarë Botën. “Il Pupone” siç njihet ndryshe lexoi një letër lamtumire bëri xhiron e fushës dhe gjuajti topa në drejtim të tifozëve.

Në Angli ishte Chelsea fituesi i titullit kampion në sezonin 2016-2017. Për blutë e Londrës ky ishte titulli i 6-të në histori dhe meritën më të madhe e kishte trajneri Antonio Conte i cili udhëhoqi skuadrën drejt një suksesi mëse të merituar të siguruar matematikisht në fushën e West Bromuic Albion një javë nga fundi falë fitores 1-0. Ndërkaq ky edicion është në shenjën e Manchester Cityt që kryeson me diferencë të madhe dhe duket se ka vënë njërën dorë tek titulli kampion dhe triumfi i parë për Pep Guardiolën në ishull.

Në Gjermani Bayern i Mynihut ka vijuar diktatin duke u shpallur kampionë edhe për vitin 2017-të. Matematikisht bavarezët u shpallën kampion për herë të pestë radhazi me goleadë në një ndeshje ndaj Wolfsburg. Edhe trajneri i rekordmenëve gjerman Carlo Ancelotti vendosi rekord duke u shpallur kampion në katër nga ligat elitare në Itali,Angli, Francë dhe Gjermani. Por sezonin e ri Bayerni nuk e nisi si duhet dhe pas një humbje në Champions ndaj PSG-së Bayerni shkarkoi Carlo Ancelottin duke emëruar Jup Heynckes deri në fund të sezonit.

Ndërsa mbarë Bota është në pritje të goditjeve të bujshme në merkaton e janarit PSG-ja nuk ka pritur por gjatë merkatos së verës ka bërë blerje spektakolare. Me një investim mbi 400 mln euro kryeqytetasit kanë habitur mbarë Botë duke i rrëmbyer Barcelonës brazilianin Neymar për 222 mln euro dhe Monacos i morrën Kylian Mbappe në formë huazimi me të drejtë blerje për 180 mln euro.

Të dy Neymar dhe Mbappe së bashku me uruguajanin Edinson Cavani formojnë treshen më të fortë në Botë me synimin e qartë për të fituar Champions League pavarësisht se që në fazën e 1/8 do të kënë një mision shumë të vështirë përballë Real Madrid.Nëse Monaco surprizoi të gjithë duke fituar titullin kampion për edicionin 2016-2017-të PSG e yjeve këtë sezon është me njërën dorë tek titulli kampion pasi kryeson në pjesën e parë të sezonit me 50 pikë 9 nga vendi i dytë.

2017-ta arkivohet si viti më i keq në historinë e futbollit Italian. Për herë të parë që nga viti 1958-të Italia nuk mundi dot të kualifikohej për në Kupën e Botës. Ishte Suedia ajo që në play-off nxorri jashtë në mënyrë të pabesueshme të kaltërit. Në sfidën e dyfishtë vajtje ardhje Italia e Venturës u mund 1-0 në Stokholm dhe më pas nuk mundi dot të kthente rezultatin në Milano. Pas katastrofës trajneri Gian Piero Ventura nuk dha dorëheqjen por u shkarkua nga Federata. Me gjithë këto zhvillimi ai që u detyrua të dorëhiqej ishte Presidenti i Federatës Carlo Tavecchio.

Jo vetëm Italia por në Kupën e Botës Rusi 2018-të nuk do të jenë as Holanda, Kili, SHBA apo edhe Gana ndërsa shorti i fazës finale ka përcaktuar disa grupe interesante. Siç është ai D ku bën pjesë Argjentina, Islanda, Kroacia dhe Nigeria. Në grupin B do të jenë së bashku Spanja dhe Portugalia. Belgjika do të jetë në një grup me Anglinë ndërsa me fat kanë qënë Brazili, Franca dhe Gjermania.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Leverkusen bën për ‘Aspirina’ Milanin, Dortmund ‘tërmet 7 ballësh’! Barcelona me pesë yje, shkëlqejnë Inter, City dhe Arsenal

Champions League/ Leverkusen bën për ‘Aspirina’ Milanin, Dortmund ‘tërmet 7 ballësh’! Barcelona me pesë yje, shkëlqejnë Inter, City dhe Arsenal