Veshja tradicionale e Hasit të Prizrenit, e konsideruar si një prej pasurive etnografike të Kosovës, duket se ka nisur udhëtimin drejt UNESCO-s, si një prej veshjeve unike të trevave shqiptare. Shoqëria Kulturore Artistike “Malësori” në Prizren sapo ka nisur përpjekjet duke mbledhur materialet të cilat argumentojnë veçoritë e kësaj veshjeje për të qenë pjesë e UNESCO-s.
“Kjo do të ishte kulminacioni i këtij angazhimi, këtij koloriti të veshjes hasjane. Pse jo kjo veshje të mos zë vend në një kënd të UNESCO”, thotë Haziz Hodaj, Kryetar i SHKA “Malësori” Prizren.
Është pikërisht shoqëria kulturore artistike “Malësori” në Prizren që ka nisur përpjekjet duke mbledhur materiale të cilat argumentojne veçoritë e kësaj veshjeje për të qenë pjesë e UNESCO-s.
Nismëtarët janë të vetëdijshëm se rruga e nisur nuk është e lehtë, aq më tepër që Kosova nuk është pjesë e UNESCO-s dhe duhet mbështetja e një vendi anëtar. Ish-ministri i Kulturës në Kosovë, Kujtim Gashi, thotë se edhe në këtë rast kontributi pritet nga Shqipëria, ashtu siç ka ndihmuar edhe në procesin e futjes në UNESCO të disa veglave muzikore tradicionale të trevave kosovare.
“Disa herë Republika e Shqipërisë ka luajtur një rol të veçantë në këtë fushë. Ne kemi pasur raste të veçanta kur kemi pasur iniciativa për të futur në UNESCO, sidomos vegla të ndryshme artistike të vendit tonë“, shprehet Kujtim Gashi ish-ministër i Kulturës Kosovë.
Veshja tradicionale e Hasit të Prizrenit mbahet edhe në ditët e sotme nga shumë gra të zonës. Një prej tyre është Rabije Hodaj, e cila thotë se e mban këtë veshje prej 1975 dhe ka kaluar disa etapa të saj, pasi veshja hasiane ndryshon sipas moshës e ngjarjeve jetësore.
“Veshjet tona janë në bazë të moshës, mbi bazën e ngjarjeve si rastet mortore, për punë në bujqësi, dhe sidomos kur kthehej burri nga kurbeti, që ishte veshja më e bukur”, deklaron Rabije Hodaj, anëtare e SHKA “Malësori” Prizren.
Veshja e Hasit, përkatësisht veshja e grave me kollan, është veshja më specifike e të gjitha rajoneve të Kosovës, si nga pamja, funksioni, mënyra se si punohet, historia dhe në përgjithësi në ornamentikën e saj. Veshja e Hasit konsiderohet tanimë tradicionale, e cila në të kaluarën është përdorur si veshje e përditshme nga të gjitha gratë në Rajonin e Hasit. Sipas studiuesve konsiderohen tri funksione kryesore të kostumeve tradicionale: funksioni praktik, funksioni ceremonial dhe ai ritual, të cilat funksione këto veshja me kollan i ka pasur në të kaluarën dhe ornamentika e saj mund të kuptohet gjithashtu nëpërmjet motiveve kryesore që i ka paraqitur dizajni i veshjes; si ato gjeometrike, zoomorfe, kozmike, floreale etj.
Sot ekziston vetëm një formë e kësaj veshjeje, pra forma e veshjes për ditë festive dhe dasma, e cila veshet nga gratë e reja në moshë dhe dizajni i saj paraqet kryesisht motive floreale. Kjo veshje e merr emërtimin e saj nga brezi, i cili quhet ‘kollan’ në të folurit e Rajonit të Hasit. Në të kaluarën vajzat, para se të martoheshin kanë punuar disa forma të veshjes me kollan, si parapërgatitje për jetën e re martesore. Ato i kanë punuar veshjet duke i klasifikuar në bazë të destinacionit, stinëve, punëve, gjendjes emocionale etj, si me radhë; veshjet e përditshme, veshjet për ditë festive, dasma, veshje për punë, veshje për shëtitje e udhëtime.
Ndërsa format e veshjes me kollan për rast vdekjeje, i kanë huazuar nga gratë më të moshuara. Kollani shoqërohet me pjesët e tjera, por meqenëse kollani vendoset në bel dhe i lidh rrobat në pjesën e sipërme dhe të poshtme të veshjes, më përjashtim të të mbathurave, kollani mbetet pjesa kryesore dhe baza e veshjes, ku të gjitha rrobat tjera në tërësi emërtohen sipas kollanit.
Krahina etnografike e Hasit ka pësuar edhe fate jo fort të mira, të ndarjes së padrejtë ku gjysma e territorit të Hasit mbeti në Shqipëri dhe gjysma në Kosovë.
Antropologia amerikane, Janet Reineck, e cila merret me kulturën dhe trashëgiminë shqiptare, ka sjellë një përshkrim të detajuar të zonës së Hasit dhe kostumev tradicionale prej viteve 80 kur ka nisur kërkimet e saj:
“Në veri të Prizrenit, para se të arrini në Gjakovë, duhet kthyer majtas pas urës dhe arrini në një rajon magjepsës të Kosovës të quajtur Has. Ashtu si Opoja, Hasi është pjesë e një rajoni më të madh etnografik, Luma, i cili shtrihet nga Kosova në veri të Shqipërisë.
Vetëm 20 minuta nga qyteti i zhurmshëm i Gjakovës, në fund të viteve 1980, Hasi ishte një vend shumë i largët. Ndërsa asfalti u kthye në pisllëk pas urës, bota moderne u zbehë dhe tradita e mori vendin. Kur po bëja kërkime atje, familjet po rregullonin ende martesat për djemtë dhe vajzat e tyre në moshën 14 ose 15 vjeç. Pak vajza shkonin në shkollë të mesme, duke e kaluar kohën e tyre në thurje dhe punë me gjilpërë. Gjakmarrja ishte ende një mënyrë për t'u përballur me krimet.
Dhe më pas, ishte kostumi i grave që ishte vërtet unik në planet, me platformat e tij trekëndore, të mbushura prej druri që shtriheshin nga çdo ijë, të montuara në një parzmore të gjerë. Gratë e martuara e mbanin këtë parzmore gjithë ditën, duke e hequr atë vetëm për shtrat, kur hiqnin shtresat e jashtme të kostumit dhe flinin në këmishën e bardhë të punuar në shtëpi që mbanin poshtë. Nga koka te këmbët, çdo pëllëmbë e kostumit të Hasit ishte një vepër arti, me dizajne të ndërlikuara në mëngët, jelek, përparëse dhe dollakë. Këto dizajne nuk ishin vetëm të qëndisura; ato ishin punuar me mundim si një sixhade dhe vendoseshin në secilën pjesë.
Respekt për gratë e Hasit të Kosovës! Ka pasur postime në Facebook që tregojnë të rejat moderne të veshura për “ditën me kostume Hasi” duken shumë bukur me shumë grim. Dua të tregoj gratë që kam njohur në vitet 1980 në Has, të cilat kanë jetuar me këto kostume, që kanë pasur jetë shumë të vështirë, e që kanë punuar aq shumë dhe kanë qenë kaq të bukura në shpirt”
Si fillim i mbarë i veshjes hasjane drejt UNESCO-s konsiderohet dhe pjesëmarrja e kësaj veshjeje në një festival ndërkombëtar në Zvicër, ku krahas veshjeve fizike do të shpalosen dokumente dhe dëshmi të grave hasjane për mënyrën e ruajtjes, teknikat e punimit dhe simbolikën e saj.
Komente










