Kosovë/ Specialja arreston dy persona për pengim të drejtësisë

Kosovë/ Specialja arreston dy persona për pengim të drejtësisë

Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi të premten se i ka arrestuar dy persona në Kosovë, të dyshuar për pengimin e drejtësisë dhe frikësimin e një dëshmitari.

ZPS-ja theksoi se Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi u arrestuan në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe se ata janë dërguar në qendrën e paraburgimin të DHSK-së në Hagë, ku do të dalin para një gjykatësi të procedurës paraprake së shpejti.

Ata dyshohet se u përpoqën ta “bindnin një dëshmitar të mos dëshmonte” në gjyqin e Dhomave të Specializuara, sipas njoftimit.

“Bahtjari dhe Januzi u arrestuan për shkeljet e kryera kundër administratës së drejtësisë, përfshirë frikësimin gjatë procedurave penale…pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, thuhet në njoftim.

Në arrestimin e tyre ndihmuan edhe Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX) dhe Policia e Kosovës në përputhje me legjislacionin e Kosovës, tha ZPS-ja.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar e merr tejet seriozisht frikësimin e dëshmitarëve, hakmarrjen ndaj dëshmitarëve dhe pengimin e drejtësisë dhe do të vazhdojë ta ndjekë këdo që përfshihet në çdo instancë”, tha ajo.

Më 2015, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, e cila funksionon me ligje të Kosovës, por në territorin e Holandës. Në këtë institucion punojnë prokurorë dhe gjykatës të huaj.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Aktualisht, pranë Dhomave të Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./REL

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Elbasan, vodhi para përmes mashtrimit, kapet në flagrancë 32-vjeçari

Elbasan, vodhi para përmes mashtrimit, kapet në flagrancë 32-vjeçari