Fushë- Krujë _ Kastrioti ka arritur të fitojë përballë Skënderbeut në minutën e fundit falë brazilianit Roger, në stadiumin "Redi Maloku". Edhe pse sfida filloi me një shije të pakëndshme pasi ekipi korçar denoncoi dhunën ndaj lojtarëve të tyre nga tifozëria vendase (LEXO KËTU), sfida është mbyllur pa probleme por me spektakël. Pas një pjese të parë pa gola, Kastrioti gjen golin në pjesën e dytë me Esil Ymerajn ndërkohë Skënderbeu u zgjua në minutën e 81 kur me talentin Gripshi shënoi golin e barazimit i cili ngjalli shpresat në kampin e Ujqëeve të Dëborës. Kur dukej se sfida do të mbyllej në barazim do të ishte tentativa e fundit e krutanëve e cila ka rezultuar me gol nga sulmuesi brazilian i Kastriotit, Roger.
Sipas korrespodnentit të Report Tv në Fushë- Krujë, Jul Shota, trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi dhe lojtarët nuk janë prononcuar për mediat pas ndeshjes, as për dhunën dhe as për ndeshjen, ndërkohë ekipi i Skënderbeut është shoqëruar pas daljes nga stadiumi me forca të shumta policore dhe kanë hipur në autobus linje.
Me rezultatin e ditës së sotme, Skënderbeu regjistron humbjen e 6-të rradhazi në kampionat ndërkohë Kastrioti del nga kriza duke shënuar fitoren e dytë rradhazi pas asaj me Luftëtarin, duke shpresuar për vendin i cili do i sigurojë qëndresën në Superligë.