Ekipi i futbollit të Skënderbeut ka denoncuar se disa nga lojtarët e tyre janë dhunuar brenda stadiumit të Krujës para ndeshjes përballë Kastriotit, që është planifikuar për t'u zhvilluar sot në orën 14:00. Sipas denoncimit të klubit, lojtarët e dhunuar janë Oto John, Kristi Vangjeli dhe Idriz Toskiç.

"Skandal përpara fillimit të takimit të javës së 20-të, Kastrioti - Skënderbeu. Reth 25 persona të paautorizuar brënda stadiumit ‘Redi Maloku’ kanë goditur dhe dhunuar lojtarët bardhekuq, Oto John, Kristi Vangjeli dhe Idriz Toskiç. Asnjë forcë policie e pranishme në stadium për të ruajtur rendin dhe mbarëvajtjen e ndeshjes" thuhet në reagimin e klubit të Skënderbeut.

Por gazetari i Report Tv në Krujë, Julian Shota raporton se ka pasur vetëm një debat verbal mes tifozëve dhe disa lojtarëve të Skënderbeut, por situata është e qetë, ndërsa vijon nxemja para fillimit të ndeshjes.