Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, do të jetë nesër në Prishtinë për një vizitë zyrtare me një axhendë të ngjeshur takimesh me drejtuesit më të lartë të shtetit të Kosovës.
Vizita nis në orën 10:00 me takimin me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin për Punët e Jashtme dhe Diasporën, Glauk Konjufca. Pas këtij takimi, pritet të mbahet edhe një konferencë e përbashkët për media.
Më pas, Spiropali do të zhvillojë takime të veçanta me Presidenten Vjosa Osmani, Kryeministrin Albin Kurti dhe Kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Në axhendë janë edhe takime me drejtuesit e partive kryesore parlamentare: kryetarin e PDK-së Bedri Hamza, të LDK-së Lumir Abdixhiku dhe të AAK-së Ramush Haradinaj.
Sipas autoriteteve shqiptare, në fokus të bisedimeve do të jetë thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, riaktivizimi i mekanizmave institucionalë, përgatitjet për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura më herët.
Pjesë e diskutimeve do të jenë edhe projektet madhore kombëtare, si hekurudha Durrës–Prishtinë, shtimi i investimeve infrastrukturore dhe energjitike, si dhe koordinimi për mbështetjen e faktorit shqiptar në rajon dhe bashkëpunimi me diasporën.
Gjatë vizitës, Spiropali pritet të rikonfirmojë mbështetjen e Shqipërisë për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, sigurimin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin në organizatat rajonale e ndërkombëtare, si dhe për integrimin euroatlantik të saj.
Komente








