Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka zhvilluar ditën e sotme një vizitë në Kiev, ku është pritur nga homologu ukrainas, Andrii Sybiha.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spiropali ka ndarë pamje nga takimi, ku bashkë me ministrin Sybiha kanë zhvilluar edhe homazhe pranë ‘Murit të Kujtesës’, për të nderuar kujtimin e të rënëve për pavarësinë e Ukrainës.

Krahas pamjeve, Spiropali ka shkruar se te kujtimi i të rënëve për pavarësinë e Ukrainës gjen frymëzim qëndresa e sotme e popullit ukrainas përballë agresionit rus.

 

“Pritja në Kiev nga miku dhe Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, ku u ndalëm pranë Murit të Kujtesës, për të nderuar kujtimin e të rënëve për pavarësinë e Ukrainës, aty ku gjen forcën dhe frymëzimin, qëndresa e sotme e popullit ukrainas”, ka shkruar Spiropali.

Më herët Spiropali njoftoi se po zhvillonte vizitën zyrtare në Kiev për të rikonfirmuar mbështetjen e Shqipërisë në krah të Ukrainës, në kushtet e sulmeve masive që targetojnë infrastrukturën kritike dhe popullatën civile, në mes të një dimri të egër.