Spitalet, 12 mijë mjekë pa rroga:
“S'kemi ku të marrim as borxh”

TIRANE- Vetëm në Qendrën Universitare Spitalore "Nënë Tereza" janë rreth 2700 mjekë, infermierë, sanitare dhe administratë, të cilët duhet t'i kishin marrë pagat që me datë 3 ose 4 janar. Kësaj armate i shtohen edhe të gjithë spitalet rajonale të vendit, që edhe ata kanë mbetur pa rrogën e dhjetorit.

Bluzat e bardha ankohen se tashmë kanë mbetur pa lekë, duke qenë se para kishin edhe Vitin e Ri, dhe ata pak lekë që kishin hequr mënjanë i kanë prishur për festat e fundvitit dhe tani, ata thonë, se janë në pikë të hallit. Më vështirë duket se e kanë sanitaret dhe infermieret, të cilët jo vetëm që e kanë pagesën më të ulët, por në shumicën e rasteve, janë krahu i vetëm i punës dhe që mbajnë me bukë të gjithë familjen.

Por ndërkohë burime pranë drejtorisë së QSUT-së, shpjegojnë se listë pagesat janë bërë gati dhe janë dërguar në degën e thesarit që në fillim të muajit dhe pritet vetëm të kryhen veprimet nga thesari. "Edhe vitet e tjera janë vonuar dhe përgjithësisht i kalojnë pas datës 16 janar, ne i kemi bërë gati të gjitha. Listë pagesat janë dorëzuar me kohë, por fillimi i vitit të ri, ka edhe disa procedura shtesë. Jo lidhim kontratat e reja me ISKSH-në, dhe sa të rakordohen veprimet me ministrinë e Financave, me Institutin e Sigurimeve Shëndetësore, zgjaten procedurat. Tani mbetet vetëm çështje ditësh, askush nuk do të mbetet pa lekë", - na shpjegojnë specialistët e financave pranë QSUT-së.

Por mos marrja e pagës i ka demoralizuar krejtësisht mjekët e QSUT-së. Në katin e parë të spitalit të Sëmundjeve të Brendshme të "Nënë Terezës" (mbi ish-urgjencën e kardiologjisë) ku janë të shtruar ata që vuajnë nga sëmundjet e zemrës, bluzat e bardha ia kanë shtruar muhabetit, me kafe e cigare brenda në pavijon "duke harruar" të sëmurët.

Rreth orës 14:00, kur janë shkrepur edhe fotot, të cilat shoqërojnë këtë shkrim ata ishin ndarë në grupe dhe diskutonin me zë të lartë se si do u vente puna e rrogave. Sanitaret, të cilat po përpiqeshin të lanin korridorin, ndalonin hapat afër grumbullit të mjekëve, që se lëshonin cigaren nga dora, për të mësuar diçka më tepër. Ndërkohë që vetë të sëmurët dilnin e pinin cigaren jashtë pavijonit.

Dikush nga mjekët thotë se do u japin shpërblim dhe kaq mjafton që edhe sanitaret të lënë leckat e kovat, për të dëgjuar të rejat. "Po kemi ngelur keq fare, s'dimë se ku të kërkojmë ndonjë lek sa të marrim rrogën", - thotë njëra nga sanitaret, e cila nuk e beson këtë thashethemin e shpërblimit dhe i rikthehet sërish punës. Me sa duket, duke përfituar edhe nga orari i drekës, sanitaret janë të vetmet që punojnë në këtë pavijon, ndërsa mjekët kanë lënë mënjanë të gjitha parimet e bluzës së bardhë që mbajnë veshur dhe preferojnë të ankohen në kurriz të pacientëve për pagën që se kanë marrë dhe jo të bëjnë punën.
(shkrimi eshte botuar sot ne gazeten Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Profesionet e lira/ Administrata Tatimore: Janë rimbursuar 6,1 mln euro të 7688 tatimpaguesve, të deklarohen dhe 449 të mbeturit!

Profesionet e lira/ Administrata Tatimore: Janë rimbursuar 6,1 mln euro të 7688 tatimpaguesve, të deklarohen dhe 449 të mbeturit!