ELBASAN, 21 Nëntor /ATSH-Miranda Sadiku/.- Myftinia e Elbasanit ka organizuar një takim me kampionin e botës në peshëngritje, Daniel Godelli, si edhe kampionin e karatesë Abdulla Backa. Me moton "Takim kampionësh" qëllimi i këtij aktiviteti ishte për të sensibilizuar të rinjtë për vlerat që ka sporti.
Myftiu i Elbasanit, Agim Duka, tha se " Këshilla Hyjnore porositi njerëzit të merren me sport pasi ky i fundit largon veset e këqija si droga apo alkooli". Duke falenderuar sportistët për titujt e tyre që shkojnë në nder edhe të qytetit të Elbasanit, Duka i uroi atyre suksese edhe në të ardhmen dhe vetëm fitore për sportistët shqiptarë dhe ato të mbarë vendit.
Për presidentin e FSHP -së,  Elez Gjozaj, titulli kampion bote nuk është rastësi por një punë e madhe në ekip. Ai i bëri thirrje qeverisë t'i kushtojë vëmendje më të madhe sportit. Për këtë vizitë të përgatitur, Myftinia e Elbasanit kishte përgatitur edhe një stimulim monetar simbolik për kampionët që sot nderojnë Shqipërinë në botë. Dy sportistët kanë vlerësuar këtë takim ndërsa kanë premtuar se edhe në të ardhmen do ta nderojnë vendin e tyre . /a.ke/