ELBASAN, 8 Tetor / ATSH-Miranda Sadiku/ - Stadiumi "Elbasan Arena" është inauguruar sot pasdite me një ndeshje miqësore mes kombëtares sone dhe ekipit U 19  të Elbasanit. Ndeshjen miqësore e kanë ndjekur qindra tifozë elbasanas, ku ndryshe nga ndeshjet e tjera, një pjesë e tifozëve kanë qenë vajza, gra, madje edhe të moshuar.
Në fillim të ndeshjes, Kryeministri Edi Rama ka shënuar gol në portë, për të vijuar më pas edhe ministrja e Arsimit e Sportit, Lindita Nikolla, kreu i bashkisë, Qazim Sehjdini, si dhe përfaqëues të FSHF-së hde të pushtetit lokal.
Më pas ka nisur ndeshja miqësore, ku për herë të parë edhe pse kishte rënë muzgu fusha e stadiumit ndriçonte nga prozhektorët e mëdhenj, duke i dhënë një pamje mjaft te bukur fushës së stadiumit të ri, i cili të shtunën do të presë ekipin e Danimarkës per eleminatoret e Euro 2016.
Stadiumi qe ka një kapacitet prej rreth 12.500 vendesh, është rikonstruktuar në një kohë rekord dhe më 11 tetor do të jetë gati për sfidën me Danimarkën. /a.ke/