TIRANË- Sot në orën 20:45, në stadiumin "Loute De Lorient", të qytetit të Rennes, kuqezinjtë e Xhani De Biazit do të përballen në një miqësore luksi me Francën.
Timonieri Italian i përfaqësueses sonë të futbollit i ka të qarta idetë mbi atë çka pret nga të përzgjedhurit e tij. "Nuk do të shkojmë për shëtitje në Francë. Është një ndeshje prestigji, që do të na lejoje të testojmë veten në kuadër të përballjeve zyrtare", ishin fjalët e fundit të De Biazit përpara se 27 kuqezinjtë të merrnin avionin për në Francë.
Burime të ATSH-së pranë stafit kuqezi konfirmojne se kombëtarja jonë do të luaj evetëm me një sulmues, 5 mesfushorë dhe katër mbrojtës. Kjo, pasi skuadra rivale konsiderohet mjaft fizike dhe De Biazi kërkon që përmes numrit të lartë të mesfushorëve të bllokojë manovrat e "gjelave" franceze. Kjo skemë është përdorur nga De Biazi edhe në ndeshjet eliminatore të "France 2016". Ky modul po funksionon më së miri me Lenjanin, si mesfushor të majtë dhe njëkohësisht si sulmues i fshehur në ndihmë bomberit të vetëm, që ndeshjet e fundit ka qenë Bala.
Emri më i spikatur për rolin e bomberit mbetet sërish ai shkodranit Bekim Bala, ndërsa gati për t'u aktivizuar ne repartin e avancuar te 24-vjeçarit është dhe Sokol Çikalleshi. Por, në ndryshim nga ndeshjet e para të këtij edicioni, në takimin me Francën, me shumë gjasa do ketë vend edhe për Hamdi Salihin.
Bekim Bale gjate ndeshjes me Portugaline
Në mesfushë pritet rikthimi i Odise Roshit në krahun e djathtë, ndërsa do të testohet edhe Ledian Memushaj si orkestrues i sulmeve kuqezi. Lojtari që luan mesfushor organizator tek Peskara në Itali është një nga prurjret e reja të De Biazi. Në ndihmë të Memushajt pritet të jenë dyshja Abrashi-Kukeli, ndërsa në krahun e majtë në ndihmë të sulmuesit të vetëm pritet të jetë Ermir Lenjani. Mbrojtja nis me Etrit Berishën në portë, në të djathtë do jetë Hysaj, në qendër Cana e Mavraj dhe në të majtë Agolli.
Gjatë takimit pritet edhe aktivizimi i të rinjve. De Biazi ka bërë të qartë që e rëndësishme në këto miqësore është angazhimi i të gjithëve dhe krijimi i grupi me të cilin mund të punohet në vazhdim. /ATSH/