TIRANE -  Presidenti i Federates Shqiptare te Futbollit, Armand Duka, priti te merkuren në një takim pune ambasadorin e Republikës së Turqisë ne Tirane, Hidajet Bajraktar.
Gjatë takimit, ambasadori turk është njohur me disa nga arritjet e futbollit shqiptar gjatë kësaj periudhe. Ai ka vlerësuar disa nga rezultatet e fundit të ekipit kombëtar, të cilat kanë tërhequr vëmendjen e mediave dhe opinionit ndërkombëtar. "Futbolli shqiptar është bërë i njohur dhe rezultatet e tij tashmë janë të njohura nga të gjithë" theksoi diplomati turk.
Më pas, ai bisedoi me presidentin Duka në lidhje me mundësinë e organizimit të një ndeshjeje miqësore me kombëtaren turke këtë vit ose në vitin e ardhshëm. Në fund të takimit, ambasadori turk është njohur me një pjesë të historisë së futbollit shqiptar nëpërmjet muzeumit të Federatës Shqiptare të Futbollit. "Ishte një vizitë, e cila rikonfirmon edhe njëherë marrëdhëniet e mira që kemi me Turqinë dhe Federatën Turke të Futbollit. Ideja për zhvillimin e ndeshjes miqësore është përkrahur nga ne dhe mund të programohet për t'u zhvilluar në datat e lira, këtë vit ose në vitin e ardhshëm", deklaroi pas përfundimit të takimit presidenti i FSHF-se, Armand Duka. /ATSH/