Sezoni i 77-të i Formula 1 starton më 8 mars 2026 me 'Australian Grand Prix' në Melbourne, duke hapur një kapitull të ri për sportin e shpejtësisë me ndryshime të mëdha teknike dhe organizative. Kampionati i ri vjen pas një sezoni dramatik në 2025, ku Lando Norris fitoi titullin pas një beteje të fortë me Oscar Piastrin dhe Max Verstappen.

Organizatorët e kësaj gare (FIA), kanë miratuar një paketë të gjerë ndryshimesh që synojnë gara më të shpejta dhe më spektakolare.

Ndër ndryshimet kryesore janë: Makina më të lehta, më të shkurtra dhe më të ngushta. Goma më të holla për të reduktuar rezistencën aerodinamike. Sistemi “Active Aero”, që zëvendëson DRS dhe rregullon këndin e krahëve sipas situatës në pistë.

“Overtake Mode”, që ofron energji elektrike shtesë për parakalime kur një makinë është brenda një sekonde nga rivali përpara. Njësi të reja fuqie me rreth 300% më shumë energji elektrike krahasuar me formatin e mëparshëm.

Botërori i Formula 1 gjatë këtij viti do të shënojë një rritje të numrit të makinave në pistë për herë të parë që nga viti 2017. Me hyrjen e Cadillac, numri total i makinave do të shkojë në 22, duke e çuar kampionatin në një format me 11 ekipe. Sezoni i fundit kur Kampionati Botëror u zhvillua me 11 skuadra ishte viti 2016, kur Mercedes dhe Nico Rosberg shpalleshin kampionë bote. Cadillac nuk do të jetë e vetmja risi, pasi Audi do të debutojë gjithashtu në Formula 1, duke zëvendësuar ekipin Sauber.

Skuadrat e mëdha hyjnë në sezon me dyshe shumë konkurruese:

McLaren garon me Lando Norris dhe Oscar Piastri

Red Bull Racing garon me Max Verstappen dhe Isack Hadjar

Mercedes-AMG Petronas garon me Andrea Kimi Antonelli dhe George Russell

Skuderia Ferrari garon me Charles Leclerc dhe Lewis Hamilton

Skuadra të reja dhe debutues

Cadillac Formula 1 debuton si skuadra e 11-të me Sergio Perez dhe Valtteri Bottas. Audi hyn në Formula 1 pasi bleu Sauber F1. Debutuesi i vetëm i sezonit është Arvid Lindblad me Racing Bulls.

Kalendari i vitit 2026 përfshin 24 gara, me disa ndryshime të rëndësishme: Dy gara në Spanjë, në cirkuitin e Barcelonës dhe në pistën e re të Madridit. Garat në pistën e 'Enzo e Dino Ferrari' në Imola dhe në 'cirkuitin Zandvoort' nuk janë më pjesë e kalendarit. Gara e Azerbajxhanit zhvillohet më 26 shtator për të respektuar Ditën e Kujtesës në vend.

Disa gara kryesore të sezonit

Gara e Australisë - Melbourne, 8 mars

Gara e Kinës - Shanghai, 15 mars (me Sprint)

Gara e Japonisë - Suzuka, 29 mars

Gara e Bahrein - Bahrain International Circuit, 12 prill

Gara e Abu Dhabit - Yas Marina, 6 dhjetor

Sistemi i pikëve

Gara kryesore; 25 pikë për fituesin, 18 për vendin e dytë, 15 për të tretin dhe pikë deri në vendin e 10-të.

Gara Sprint, fituesi merr 8 pikë dhe disa pikë shpërndahen deri në vendin e 8-të.