Sportelet fizike ose 1.3 miliardë euro dëm

Sportelet fizike ose 1.3 miliardë euro dëm

Foto ilustruese

Në dy dekadat e fundit, qytetarët dhe sipërmarrësit kanë humbur mbi 1.3 miliardë euro dhe 10 mijë e 500 vjet në vonesa të shërbimeve publike, korrupsion dhe abuzim. Kalvari i rradhëve të gjata pa fund, i sekserëve që gumëzhinin përpara zyrave të hipotekave, apo sporteleve përpara Ministrisë së Jashtme, etj, (në tërësi, kudo ku kishte zyra Shteti), janë imazhe të shëmtuara që janë ngulitur fort në kujtesën tonë dhe nuk shqiten dot edhe për shumë vjet. 

Shteti mes shpërdorimit të sporteleve

Vërtetimet e pronësisë (kartelat e pronesise, çertifikata e pronesise, etj.) kane qene dhe janë nder shërbimet nga Shteti që kërkohen më shumë, së bashku me vërtetimet nga gjendja civile, Instituti i Sigurimeve Shoqerore(ISSH), etj. Edhe kur ishe ne te drejten tende dhe kerkoje vertetimin nga Shteti sipas te gjitha rregullave, ishte punonjesi nga ana tjeter e xhamit te sportelit, qe bente te veshtirin dhe te detyroje si qytetar ta paguaje nen dore. Per nje çertifikate pronesie, ne varesi te siperfaqes qe do te merrje si vertetim, çertifikata shkonte nga 1-5 mije euro para nen dore. Tani mbi një milionë qytetarë i marrin çertifikatat e tyre individuale apo të familjes nga portali “e-Albania”. Ndërkohë, ka mbi 1 milionë prona të rëndësishme në Shqipëri. Janë 490 mijë apartamente dhe shtëpi banimi pronë private, 275 mijë ngastra toke dhe mbi 108 mijë dyqane, magazina, kafe, restorante, etj. Deri pak kohë më parë, vepronin rreth 1 mijë e 100 sekserë në zyrat e ish-hipotekave.

Çfarë ndodh pas 1 majit 2022 ?

Nga sot 1 maj 2022, 95 përqind e shërbimeve publike do të ofrohen vetëm nga kompjuteri dhe interneti, dhe jo nga sportelet e Shtetit. Deri tani jemi mësuar një jetë të tërë të marrim një çertifikatë, një vërtetim pronësie apo vërtetim tatimesh nga një sportel, nga një nëpunës i Shtetit që qëndron pas xhamit të sportelit. Të marrim letra me vulën e njomë të Shtetit. Nga 1 maji kjo do të ndodhë shumë rrallë. Duhet të mësohemi me ndryshimin, me realitetin e ri. Do të jetë shumë e vështirë. Për shembull, 17 mijë qytetarë gjatë këtij viti, që do t’u vijë koha për pension, do të aplikojnë për pension pleqërie. Qindra mijëra të tjerë pensionistë mund të kenë nevojë për vërtetime dhe 52 shërbime të tjera të Institutit të Sigurimeve Shoqërore gjatë këtij viti dhe më vonë. Duhet të mësojnë të aplikojnë nga interneti. Me ndihmën e mbesës apo nipit, djalit apo vajzës. Është një gjë shumë e mirë që gati gjysma (46 përqind) e 680 mijë pensionistëve tashmë përdorin portalin “e-Albania”. Eliminimi i rryshfetit në zyrat e Institutit te Sigurimeve Shoqërore përllogaritet gati 1 milion euro në vit. Shërbimet ofrohet nga portali “e-Albania”, pas kërkesës së qytetarit pensionist ose në pritje të pensionit. Në dy vjet(janar 2020-dhjetor 2021) ju drejtuan portalit mbi 340 mijë qytetarë-pensionistë. Përgjigjen e marrin në 5 minuta ose maksimumi 5 ditë. Qasja përmes internetit ju eliminoi qytetarëve rendjen me ditë të tëra pas 14 dokumenteve shoqëruese që duheshin më parë për të fituar statusin e pensionistit. Tani gjithshka bëhet pas një aplikimi dhe kërkese nga interneti.

Shteti në celularin tënd

Shteti vjen në celularin dhe kompjuterin tonë dhe me aplikimet për kartela pronësie, si dhe 24 shërbime të tjera nga kadastra. Me kartelat e pronësisë online eliminohet një sasi rryshfeti prej mbi 18 milionë euro në vit rryshfete, që qytetarët kanë qenë të detyruar të japin për vërtetimet e tyre të pronave edhe me nisjen e shërbimeve elektronike të pjesshme. Gjithshka nëpërmjet internetit kalon dhe për shërbimet ndaj biznesit nga organet tatimore dhe në rregjistrimet në Qendrën Kombëtare të Biznesit(QKB). Do mbyllen sportelet fizike për biznesin.

Nuk do të ketë kontakt fizik me punonjës të tatimeve apo të QKB. Nuk do të ketë kontakt fizik me punonjës të Gjendjes Civile, me përjashtim të martesave në bashki dhe shërbimeve të kartës së identitetit dhe pashaportave.

Në tërësi, ju kursehen qytetareve mbi 23 milionë euro pagesa rryshfeti në vit. Ju kursehet kohë dhe harrohen qindra e mijëra vite në rradha dhe pritje të gjata. Ju kursehen lodhje, stres dhe marrje sëmundjesh në kohë të ftohtë apo vapë, sidomos nga të moshuarit.

Sfida e shërbimeve shtetërore pa sportele fizike

Të gjitha të mirat ndaj qytetarëve me mungesën e sporteleve fizike kanë një sfidë të madhe përpara. Duhet që qytetarët ta kuptojnë dhe të përshtaten me qasjen e re.

Që vonesat nga procesi me kompjuter të mos përdoren politikisht dhe anatemohen si papërgjegjshmëri e pafalshme e administratës publike nga puna me dosjet elektronike të të dhënave të qytetarëve.

Do të ketë shumë gabime dhe vonesa. Të gjitha strukturat shtetërore duhet të bëjnë durim dhe të mos lodhen kurrë së komunikuari dhe së shpjeguari me hollësi qytetarëve.

Nga ana tjetër, duhet që të dhënat personale të qytetarëve të mbrohen me profesionalizëm dhe jo të keqpërdoren si në rastin e skandalit me publikimin e pagave dhe targave të makinave të qytetarëve. Dhe që qytetarët, sidomos të moshuarit, të mos tremben dhe të thonë: “Bo, bo! Nga 1 maji nuk ka më sportele ku të marr shërbimin!”. Duhet një fushatë e gjerë shpjegimesh dhe informacioni që asnjë shërbim nuk do të mungojë, por do të bëhet thjesht dhe vetëm nëpërmjet internetit dhe celularit tënd inteligjent. Për këtë, institucionet vartëse të ministrive dhe strukturat në bashki duhet të informojnë përditë qytetarin, përmes mediave dhe në çdo kontakt me qytetarin. Ja, erdhi 1 maji, kur 95 përqind e shërbimeve do të kalojnë online dhe nuk do të ketë më sportele. Të nxitojmë të informojmë, që qytetarët ta kuptojnë Shtetin e tyre, dhe jo keqkuptojnë!

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë