Ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të të gjitha gradave dhe nga të gjitha komandat, njësitë dhe repartet e Forcave tona të Armatosura morën pjesë në ”Ditën e vrapimit të CISM-it 2018” në kodrat e liqenit artificial në kryeqytet, aktivitet i cili u zhvilluan në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës dhe Federatën e Atletikës.
Gara u zhvillua në dy disiplina, 10 km për vrapuesit djem dhe 6 km për vrapueset vajza. Në vendin e parë për djem u rendit kapiten Bledar Mesi, i ndjekur nga ushtar Alban Faslliu nga Forca e Sigurisë së Kosovës. Në vendin e tretë u rendit toger Renato Dordi nga Forca Ajrore.
Në kategorinë e vajzave, vendin e parë e zuri kadete Xhuliana Tahillari nga Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes. Në vendin e dytë u rendit ushtare e tretë Sadete Popshini, ndërsa në shkallën më të ulët të podiumit u pozicionua Artemisa Axhami nga Policia Ushtarake.
Trofetë simbolikë dhe certifikatat për tre vendet e para në të dyja disiplinat u dorëzuan nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku. Pasi uroi fituesit dhe përgëzoi pjesëmarrësit në garë, ministrja Xhaçka theksoi rëndësinë e meritokracisë, për të cilën tha se do të jetë
themelore për karrierën në Forcat e Armatosura. “Ne jemi plotësisht të angazhuar që edhe karriera juaj t’i përngjajë kësaj gare të bukur sportive. Dhe po punojmë që kjo garë të jetë e pastër, e ndershme dhe e shëndetshme. Një garë ku secili prej jush të vlerësohet dhe promovohet në bazë të meritave dhe të performancës së treguar gjatë punës.
Kjo garë e ndershme do t’ju krijojë mundësinë të gjithëve që të shprehin sa më mirë që të jetë e mundur, nivelin e përgatitjes profesionale, në shërbim të Forcave tona të Armatosura dhe do të rrisë nivelin profesional të saj, si rrjedhim edhe cilësinë e realizimit të detyrave.”- u shpreh ministrja Xhaçka.
Dita e vrapimit të CISM zhvillohet çdo vit nga vendet anëtarë të kësaj organizate duke u kthyer në ditën ku ushtarakë dhe civilë vrapojnë së bashku në gjithë botën nën flamurin e sportit dhe paqes. Ky aktivitet ka si qëllim promovimin e sportit masiv në Forcat e Armatosura.
CISM (International Military Sport Council) është Këshilli Ndërkombëtar i Sporteve në ushtri me 136 vende pjesëmarrëse, midis tyre edhe Shqipëria.
d.c./shqiptarja.com







