Trillime dhe gënjeshtra i quan kreu i PD-së, Lulzim Basha akuzat e ardhura në drejtim të tij lidhur me rolin që ka pasur gjatë luftës së Kosovës. Në përgjigje të kryeministrit Edi Rama, Basha tha se e gjitha është e orkestruar nga qeveria me qëllim të që zhvendosin fokusin nga ekonomia, që sipas tij është në kolaps.
"Ndërsa Rama merret vetëm me trillime dhe gënjeshtra kundër meje, ekonomia jonë është në kolaps. Studimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar tregon se Shqipëria është ekonomia më pak e kredituar në Ballkan.
Për 7 vite me radhë Rama e shkatërroi ekonominë. Kjo është arsyeja pse Rama nuk jep ndihmë financiare për familjet që vuajnë nga kriza. Shqipëria është vendi që u jep më pak ndihmë ekonomike qytetarëve të saj!
Ne do ta ndryshojmë këtë. Ne do ndihmojmë të gjithë qytetarët, biznesin, të vetëpunësuarit, dhe do të sigurojmë ndihmë financiare për çdo familje. Bashkë do sjellim shpresë të re për Shqipërinë", shkruan Basha.
Lajmi kryesor: