Tridhjetë vite më parë, në 26 shtator 1983, bota shpëtoi nga një luftë bërthamore. Në orët e para të mëngjesit, sistemi i alarmit të Bashkimit Sovietik, zbuloi një raketë të lëshuar në drejtim të tyre nga SHBA-ja. Të dhënat e kompjuterit tregonin se disa raketa u lëshuan. Protokolli i ushtrisë sovjetike ishte se nëse sulmoheshin, ata do të kundërpërgjigjeshin më një sulm bërthamor.

Por oficeri në detyrë, Stanislav Petrov, detyra e të cilit ishte të regjistronte raketat e lëshuara nga armiqtë, vendosi të mos i raportonte ato tek eprorët e tij. Ai vendosi t'i injoronte ato si alarm fals. Vendimi i tij mund të ketë shpëtuar botën.

“I kisha të gjitha të dhënat për të provuar se po sulmoheshim me raketa. Nëse do t’a kisha kaluar lart në komandë raportin tim, asnjë nuk do t’a kishte kundërshtuar”-tha Petrov për BBC 30 vite pas ngjarjes.

“Menjëherë pas lëshimit të raketës së parë, alarmi ra sërish për një raketë të dytë, pastaj të tretë, pastaj të katërt dhe sërish për herë të pestë. Nuk kishte rregull se sa na lejohej të mendonim para së të raportonim sulmin. Por e dinim që mund të ishim duke humbur kohë të çmuar, ushtria e Bashkimit Sovjetik dhe lidershipi politik duhej informuar direkt. Mjaftonte vetëm të kapja telefonin dhe të flisja me linjën direkte të komandës, por nuk mund të lëvizja”.

Me gjithrë rrezikun që i kanosej vendit të tij, Stanislav Petrov kishte dyshime. Ai vendosi të telefonojë oficerin në detyrë në zyrat qëndrore të ushtrisë Sovjetike për të raportuar një problem në sistem. 23 minuta më vonë ai kuptoi se asgjë nuk kishte ndodhur. Një defekt i satelitit, kishte lëshuar një alarm fals që mund të niste Luftën e Tretë Botërore.

Ai qëndroi i heshtur për 10 vjet. Por pas rrënies së Bashkimit Sovjetik, historia doli në lajme. Pertov mori disa çmime ndërkombëtare. Por ai nuk mendon se është hero. “Ajo ishte vetëm puna ime. Por ishin me fat që isha unë në detyrë atë turn natën”.


Redaksia online
(v.gj/shqiptarja.com)