Starova: Duron e desha te Partizani
të mbyllë gojën dhe të lërë thumbat

Starova: Duron e desha te Partizani<br />të mbyllë gojën dhe të lërë thumbat
Mes Sulejman Starovës dhe Shpëtim Duros ka nisur një ‘luftë’ e ashpër me deklarata dhe kundërdeklarata duke shpjeguar mjaft qartë dhe situatën në kampin e kuq në përfundim të kampionatit, që u pasua më pas edhe me largimin e Duros në drejtim të Shkëndijës së Tetovës.

E ndërsa gjithçka mund të ketë nisur më parë dhe ziente, në sipërfaqe doli pas humbjes së Partizanit në ndeshjen e parë në Norvegji, teksa Duro deklaroi se e priste humbjen e të kuqve pas ndryshimeve në formacionin e parë, që sollën stolin për Nexhipin dhe Mazrekajn. Ndërkohë që dy teknikët përmes intervistave për gazetën “Shqiptarja.com” sqarojnë gjithçka.

Profesor Starova, cilat janë arsyet e precipitimit të situatës në raport me Duron, kur deklaruat se ai duhet të mbyllë gojën, pasi Partizani pati shortin më të vështirë prandaj humbi?
Në fakt nuk jam unë ai që e nisa këtë histori. Ishte Duro nga Shkëndija që filloi të më thumbonte duke deklaruar se prisja humbjen e Partizanit, pasi ka pasur shumë ndryshime në skuadër. Më pas erdhi edhe përgjigjja ime. Nuk e di se cila është arsyeja e thumbave të tij. Partizani ka bërë ndryshime të detyrueshme në formacion, pasi u larguan dy nga lojtarët bazë si Cuculi dhe Rahmani.

Kaq shumë e nxehtë ka qenë situata brenda Partizanit në fund të edicionit, që u pasua me largimin e Duros?
Jo, madje kam qenë unë ai që i kam kërkuar Duros që duhet të qëndrojë te Partizani dhe të mos largohet, pasi për pjesëmarrjen në Europë, por edhe në Kupë dhe kampionat do të ketë premio për ecurinë. I propozova qëndrimin tim edhe presidentit për të mbajtur Duron, por në fund ai vendosi që të largohej.

Por, si është gjendja brenda ekipit, pasi humbja në Norvegji, lënia jashtë e Nexhipit, por edhe deklaratat me Duron duket se kanë përzier paksa ambientin e kuq?
Media ka fryrë shumë situatën, pasi grupi është në gjendje të mirë dhe shumë larg këtyre që fliten. Përsa i përket humbjes, të gjithë duhet të dinë që përballë kishim një ekip me histori në Europë dhe jo dosido, nga ato që ndeshen të tjerët. Megjithatë dua të them se zhvilluam një lojë shumë të mirë dhe na mungoi fati në shumë raste.

A ka te Partizani një çështje “Nexhipi-Mazrekaj” dhe si ndiheni pas presionit të tifozëve, a do të ndryshoni mendim ndeshjen e kthimit?
Te Partizani gjithçka është në rregull dhe nuk ka asnjë çështje. Te Partizani asnjë lojtar nuk do të vendoset para ekipit dhe në fushë do të zbresin vetëm ata që janë në gjendje optimale. Te Partizani nuk e bën formacionin vetëm Starova, por janë disa legjenda nga Perlat Musta dhe deri te Dalipi.  Nexhipi është kapiteni i Partizanit dhe krahu i djathtë i trajnerit, por në formacion do të luajë ai që e meriton dhe kjo gjë do të ndodhë edhe në vazhdim.

Si është gjendja e portierit Hoxha dhe si e shikoni ndeshjen e kthimit me Stromsgodset në Tiranë?
Sot kemi stërvitjen e parë dhe do të shikojmë gjendjen e Albanit, shpresoj që të jetë gati për ndeshjen e kthimit. Përsa i përket ndeshjes, shpresoj dhe besoj që do të bëjmë një paraqitje të mirë për të përmbysur rezultatin e ndeshjes së parë dhe për të kaluar në turin e dytë.

Reagimi i Duros
Ndërsa në reagimin e tij pas deklaratës së Starovës, Shpëtim Duro për gazetën “Shqiptarja.com” u shpreh se “nuk dua të komentoj asnjë nga deklaratat e Starovës. Se çfarë kam bërë unë në drejtimin e Partizanit e dinë të gjithë dhe nuk dua që të vazhdoj këtë histori, prandaj nuk dua të flas më gjatë dhe të komentoj asgjë” tha ai.

Përsa i përket rikthimit te Shkëndija, zërave për afrimin e Nexhipit dhe Mazrekaj dhe objektivat ai tha se”Nuk bëhet fjalë që dy lojtarët të jenë pjesë e Shkëndijës, pasi unë e kam kompletuar ekipin. Synimi unë është titulli kampion dhe të shkojmë sa më larg në Europë”.

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Klinika 24/ Neurokirurgu: Mjekësia është e vështirë, por që të jep shumë sadisfaksion

Klinika 24/ Neurokirurgu: Mjekësia është e vështirë, por që të jep shumë sadisfaksion