‘Pa gjurmë’/ Historia e Artur Lleshit i zhdukur 6 muaj më parë, gruaja: Fëmijët po e presin

Ka startuar mbrëmjen e sotme në ekranin e Report Tv, emisioni “Pa gjurmë”. Në puntatën e parë të këtij emisioni, gazetarja dhe moderatorja Odeta Duma, ka intervistuar bashkëshorten e Artur Lleshit, një person i denoncuar i zhdukur 6 muaj më parë, që pas largimit të tij në Gostivar për të punuar si çoban. ”Pa gjurmë” kontaktoi me familjen, ish-pronarin e Lleshit në Gostivar, gazetarë që punojnë në Maqedoni, por edhe autoritetet maqedonase. 

Artur Lleshi, nga Bulqiza ka humbur kontaktet më 10 prill 2018 me familjen e tij nga Gostivari. Ai iku të punonte si çoban në Maqedoni. I vëllai dhe familjarët shprehen se ka punuar prej 3 vitesh në Maqedoni. Arturi u rikthye më 2 prill, për të sjellë paratë në shtëpi dhe për t’u çmallur me familjarët. Më 10 prill, ai u largua nga shtëpia për t’u rikthyer në punën e tij, por që prej asaj dite nuk ka më informacion. Policia maqedonase hedh poshtë pistën e një arrestimi të mundshëm për kalim të paligjshëm të kufirit, por ekziston mundësia që Arturi të jetë arrestuar me një mbiemër tjetër. Ish-pronari i tij, Xhevail Osmani, tha se kishte ndërprerë kontaktet me të, por se kishte konsideratë për Arturin si një djalë punëtor.

Artur Lleshi, shqiptari i zhdukur më 10 prill 2018

Bashkëshortja ka thënë për “Pa gjurmë” se Artur Lleshi ka patur një konflikt të vetëm me një maqedonas, pasi ka dalë një detaj i ri nga një dëshmitar se Artur Lleshi është konfliktuar me një maqedonas.

Leonora Lleshi: Ai ka ikur në Gostivar. Tha që do iki sërish si çoban, por jo tek ai pronar, tek një tjetër. Tha që për një javë mos u bëj merak, sa të gjej pronar tjetër. S’kishte qenë hera e parë, prandaj nuk u bëra merak. Denoncuam në policinë shqiptare më 15 maj, ndenja me shpresë se do kishte ardhur për dasëm. E pamë që s’erdhi dhe denoncuam. Thonë që e kanë parë, por nuk është gjetur, s’kemi patur informacion. Pronari i parë lekët ia ka dhënë, por ai më tha që nuk shkojë më tek ai pronar, se punoj shumë dhe kam kaluar keq. Mesa di unë s’kishte konflikte. Ka dalë një dëshmitar që thotë se ka patur konflikt me një Senan Nuriaj, maqedonas, për punë bagëtish. Ka vjedhur 30 kokë bagëti dhe është zënë me Arturin. Kemi bërë edhe denoncim për të në Maqedoni.

Gazetarja Odeta Duma: Policia thotë që është tërhequr kallëzimi dhe keni thënë se burri është gjetur dhe ndodhet në burg.

Leonora Lleshi: Ndoshta kam firmosur, por s’di gjë për këtë gjë. Firmën mund të ma kenë marrë për këtë gjë.

Gazetarja Odeta Duma: Ne nisëm investigimin për Arturin, por mësuam që ju e keni tërhequr denoncimin. Prokurorët thonë se dosja nuk ekziston.

Leonora Lleshi: Unë nuk e kam tërhequr denoncimin.

Bashkëshortja e Artur Lleshit, ka folur edhe për gjendjen e rëndë ekonomike të familjes së saj. ajo thotë se është e vetme dhe me 3 fëmijë, plus një qira për të paguar.

Leonora Lleshi: Jam me qira, jetoj e vetme, kam ardhur në Bulqizë, ndërrova banesë pasi iku Arturi. Me llaf të Arturit. Ai e di, më tha shko në Bulqizë. Jam e vetme, me 3 fëmijë dhe me qira. Punova nja 2 muaj në një lokal dasmash, tani s’mundem më të punoj sepse janë fëmijët në shkollë. Të ardhurat i sillte Arturi. Ishte shumë i lidhur me vajzën 14 vjeçe.

Vëllai i Artur Lleshit, Lulëzim Lleshi në një lidhje telefonike gjatë emisionit ka thënë se Artur Lleshi ka hyrë më 14 prill në Maqedoni, por gjithashtu ka thënë se një person i cili punon si taksixhi, që thotë se e ka parë dhe e ka ushqyer pasi nuk ka patur para.

Lulëzim Lleshi: Më 14 ka hyrë në Maqedoni.

Gazetarja Odeta Duma: S’kemi asnjë dëshmi për këtë gjë.

Lulëzim Lleshi: Mua më mori në telefon njëri nga Kumanova, taksixhi dhe më tha që e kam parë 3-4 muaj tek stacioni i autobuzave, dhe i kishte dhënë bukë për të ngrënë, por që s’e kishte pyetur për emrin.

Leonora Lleshi: Ka qenë në rregull edhe nga ana mendore, s’ka qenë në këtë gjendje.

Lulëzim Lleshi: Ka fjalë se mund të ketë ndërruar shtet, se mund të ketë ikur edhe në Greqi. Punonte për bukën e gojës, për fëmijët. I punonte... për 1 euro në ditë.

Djali i Arturit: Më ka marrë malli për babin.

Leonora Lleshi: S’kam parandjenjë të keqe, zemra ma ndjen se është mirë.

Gazetarja: Mund të jetë marrë peng?

Leonora: Po, mund të jetë marrë peng, kjo është aty ku dyshojmë.

Gazetarja: Pronari s’kishte dijeni?

Leonora: Jo, na tha që s’kishte dijeni.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:51
Shqiptarët e humbur, ja zhdukjet e bujshme plot mister dhe pa informacion (Emrat)

Emisioni “Pa gjurmë” ka filluar mbrëmjen e sotme, duke rikujtuar dhe sjellë në qendër të vëmendjes së opinionit publik, disa nga rastet më të bujshme të shqiptarëve të zhdukur ende pa adresë. Njerëz për të cilët familjarët nuk dinë asgjë, për të cilët dyshohet se kanë vdekur, se janë marrë peng, e se të tjerë janë mbytur.

Zhdukjet e bujshme

1.Adriano Jaho, i zhdukur më 3 korrik 2017, është ende mister. Kontakti i fundit i biznesmenit ka qenë me një mik nga Durrësi. Policia dyshon se skafit të biznesmenit i kanë rënë tapat në ujë. Bashkë me të është zhdukur edhe miku i tij, Ariseld Maze, 28 vjeç, por për të dy s’ka të dhëna.

Biznesmeni Adriano Jaho

2. 28 vjeçari, Ariseld Maze, ishte bashkë me biznesmenin. Ai ishte mik me të dhe dyshohet se janë mbytur në det. Familjarët thonë se janë zhdukur pasi janë nisur nga Vlora drejt Durrësit.

Ariseld Maze, i zhdukur me Adriano Jahon

3.Elvis Troqe 23 vjeç, i zhdukur më 19 korrik 2018. Report Tv transmetoi edhe pamjet ekskluzive të zhdukjes së tij. Ai ishte mik me Albano Xhaferrin.

Elvis Troqe, i zhdukur në Vlorë

4.  34-vjeçari, Albano Xhaferri, ishte mik me Troqen. Ata ishin bashkë në Belgjikë. I njohur me pseudonimin “Ciqja”, i zhdukur më 17 qershor 2018. U zhduk në një makinë gri me portobagazh. Personi i fundit që dyshohet se e ka parë, e mohon kontaktin me të.

Albano Xhaferri, i zhdukur në Vlorë

5. Shpëtim dhe Teuta Pasho, të zhdukur më 2 nëntor 2015. Ata shkonin çdo tre muaj në Vlorë, ktheheshin në Itali. Ata shkuan në 2015 për disa kontrolle mjekësore. Më 1 nëntor, Teuta ka folur me motrën në telefon, por më 2 nëntor, ata s’u përgjigjën më në telefon. Thuhet se kanë patur debate me të dashurën e djalit, por s’kanë më të dhëna për ta. Policia s’ka të dhëna, ndërsa në një program në Rai 3 në Itali, familjarëve iu tha se kishte të dhënat e fundit nga Genova, por  ende s’dihet asgjë.

Shpëtim dhe Teuta Pasho, të zhdukur në Firence, Itali
Ora 20:09
I zhdukuri Artur Lleshi, ish-pronari flet për ‘Pa gjurmë’: Ishte djalë punëtor, se di çfarë ka ndodhur

Ish-pronari i Artur Lleshit, 31-vjeçari i denoncuar si i zhdukur në Gostivar, Xhemail Osmani, në një bisedë telefonike në emisionin “Pa gjurmë”, ka thënë se Artur Lleshi ka punuar me të dhe se ka qenë një djalë punëtor.

U kthye në Shqipëri, më tha që do të kthehem prapë. Më 2 prill ndodhi. Megjithatë tek unë s’u kthye, sepse miku i tij, Sinani, mori në telefon dhe më tha që bisedoi dhe tha mos më prisni. Llafi qe që mos më prisni se nuk do vij. Më kanë thënë se është në Maqedoni, se di sa është e vërtetë. Më vjen keq, se ai ishte djalë punëtor. Se di çfarë ka ndodhur me atë djalë.

Xhemail Osmani, ish-pronari i Artur Lleshit

Ora 19:50
Gojëdhëna maqedonase/ Artur Lleshi i zhdukur, gazetari për “Pa gjurmë”: Iu marrin telefonat, një shqiptar u gjet i varur në mal

Gazetari Nevrij Ademi i kontaktuar nga emisioni “Pa gjurmë”, ka folur lidhur me të dhënat e fundit për Artur Lleshin, i zhdukur në Gostivar. Ademi ka thënë se sipas policisë maqedonase, Arturi nuk ndodhet në burg.

31-vjeçari nga Shqipëria nuk gjendet në Gostivar, sipas policisë maqedonase, si edhe nuk ndodhet i burgosur. Policia thotë se ka kërkuar dhe nuk ka gjetur asnjë të dhënë për të.

Jo, policia nuk na e konfirmon diçka të tillë se mund të jetë në burg. Për këtë informacion duhet të presim ende. Jam munduar të kontaktoj të tjerë, por nuk e njohin këtu në Gostivar. Ata që e njohin, thonë se ishte tip i qetë dhe i heshtur.

Nevrij Ademi, gazetar

Ademi ka thënë se në Gostivar ekziston një “legjendë urbane”, se shqiptarët që shkojnë të punojnë si çoban ose me punë krahu në këtë zonë, shumë prej tyre iu heqin telefonat, dhe iu japin paga të majme.

Ka një gojëdhënë, një lloj legjende maqedonase, shqiptarëve që vijnë këtu iu marrin telefonat, dhe i çojnë për të punuar me dru në mal. Iu japin një pagë të majme. Vitin e kaluar u gjet një shqiptar i varur në mal. Nuk e di cili shqiptar është, por ai u gjet i vetëvarur në mal, në stanin e tij. Ata mbahen peng, pasi pronarët e tyre nuk i lejojnë që të qendrojnë me telefonave. Uroj që ky të mos jetë rasti i Arturit.

Nevrij Ademi, gazetar

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Shpërndanin kokainë me makinë dhe tentuan arratinë, arrestohet 24-vjeçari shqiptar, nën hetim shoku! Të dy me disa precedentë penalë

Itali/ Shpërndanin kokainë me makinë dhe tentuan arratinë, arrestohet 24-vjeçari shqiptar, nën hetim shoku! Të dy me disa precedentë penalë