Me rishikimin e buxhetit të shtetit, është dyfishuar financimi që do të shkojë për projektet e bizneseve të reja inovative të këtij viti. Shtimi i buxhetit për këtë ‘ekosistem’, thotë ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, erdhi për shkak të numrit të lartë të aplikimeve.
“Shuma e financuar për startup-et është 16.5 mln euro. Janë 1219 aplikime për skemën e këtij viti, ose 3 fish më shumë se në vitin e kaluar. Vetëm përmes inovacionit ne do të arrijmë që Shqipëria të jetë konkurruese. Vetëm nëse e shtrijmë inovacionin në sipërmarrjen private do mundësojmë rritjen ekonomike”, tha Ibrahimaj.
I pranishëm në shpalljen e projekteve fituese nga Innovation4Albania, kryeministri Edi Rama shpalosi synimin e qeverisë për financimin e ideve inovative.
“Jemi në 6 milionë dhe ambicia jonë është që deri në 2030-ën të shkojmë 20 milionë euro për mbështetjen e startup-eve, natyrisht do të varet nga cilësia e aplikimeve”, tha Rama.
Më tej kryeministri u ndal edhe tek ofendimet që sipas tij, po marrin të rinjtë që kanë fituar grante përmes projekteve të tyre.
“Algoritmi ka kaluar në një fazë histerie. Dikur i përgjigjesha komentuesve intensivisht, i nisur nga ideja që meritojnë respekt dhe përgjigje por e kuptova që ishte e gabuar dhe në vend se minimumi të merrja respektin për përgjigjen vetëm rrisja angazhimin dhe sasinë e baltës që më kthehej. Qysh atëherë jo vetëm që ju ktheva më përgjigje, nuk shoh më çfarë thuhet. Po e bëtë këtë do kuptoni që bota është ajo që ju jetoni, dhe jeni ata që ju doni të jeni. Injorojini komentet bullizuese”, tha Rama.
Që kur nisi projekti i Startup Albania e deri më tani nga idetë inovative që janë mbështetur me grante, 42 prej tyre tashmë funksionojnë si ndërmarrje të suksesshme në treg brenda dhe jashtë vendit.
Komente











