
Të enjten në orën 20:45 kombëtarja shqiptare e futbollit luan në Andorra për sfidën e parafundit kualifikuese në Grupin K të Kupës së Botës 2026. Një fitore e tanëve nesër, kombinuar me humbjen e Serbisë në Angli, do të thoshte që kuqezinjtë do ishin zyrtarisht në vendin e dytë dhe do merrnin biletën për play-off, pa pritur ndeshjen e fundit me Anglinë në Tiranë (16 nëntor, 18:00).
Statistikat kundër Andorrës
Ndeshja e të enjtes do jetë e nënta mes dy skuadreve. Shqipëria mban vendin e 61-të në renditjen e FIFA-s, duke u ngjitur me pesë pozicione pas fitores së një muaji më parë në Serbi. Nga ana tjetër Andorra është në vendin e 172-të në këtë renditje.
Në përballjet kundër Andorrës në gjithë historinë, Shqipëria e futbollit ka gjashtë fitore, një barazim dhe një humbje. Dueli i parë mes dy skuadrave është luajtur më 6 shkurt të vitit 2000 në Maltë për turneun "Rothmans" dhe tanët fitonin 3-0 me golat e Edmond Dalipit, Rudi Vatës dhe Johan Drizës.
Ndeshja e dytë më 17 prill 2002, një miqësore zhvilluar në Andorra, përfundonte me fitoren 2-0 të vendasve. Më pas tanët kanë dy fitore radhazi, para se në 14 nëntor 2019 skuadrat të barazonin 2-2 në "Elbasan Arena" për kualifikueset e Euro 2020.
Më pas Shqipëria numëron edhe tre fitore kundër Andorrës, më 2021 në dy takime, si edhe më 24 marsin e këtij vitit për kualifikueset e Kupës së Botës 2026.
Në total, Shqipëria i ka shënuar 14 gola Andorrës në tetë takime, kundrejt katër të pësuarve. Rumuni Horatiu Mircea Fesnic do jetë arbitri kryesor i duelit të të enjtes mbrëma.
Lajmi kryesor:
VIDEO/ Kombëtarja mbërrin në Andorra, Shqipëria zhvillon sot stërvitjen gjenerale para ndeshjes





