SPANJË - Nga Barcelona, ku Kombëtarja qëndroi në grumbullim prej të hënës, kuqezinjtë udhëtuan këtë të mërkurë drejt Andorrës, aty ku të enjten në orën 20:45 përballen për sfidën e parafundit në Grupin K kualifkues të Kupës së Botës 2026.
Në stërvitjen e një dite më parë trajneri Sylvinho e kishte të gjithë grupin në dispozicion. Futbollistët u stërvitën së pari në palestër dhe më pas zhvilluan skema taktike dhe goditje standarde.
Forma e skuadrës është e mirë dhe stafi mjekësor nuk ka vënë re asnjë shqetësim. Edhe Gjimshiti dhe Hoxha u bashkuan me grupin, pasi stërvitjen e parë të të hënës e zhvilluan të diferencuar.
Këtë të mërkurë ekipi ka lënë Barcelonën dhe ora 12:45 i gjeti në Andorra, ku në orën 17:00 për mediet do flasë trajneri Sylvinho. Më pas në orën 18:00 kuqezinjtë do zhvillojnë stërvitjen gjenerale në stadiumin "Encamp".
Sfida e nesërme mund të jetë më deçizivja për tanët, pasi një fitore e Shqipërisë në Andorra, kombinuar me një humbje të Serbisë në Angli, do bënte që ekipi ynë zyrtarisht të merrte vendin e dytë në grup dhe të garonte në play-off e Kupës së Botës 2026, turne që zhvillohet verën që vjen në Amerikën e Veriut.
Tifozët - Për duelin kundër Andorrës, Federata e Futbollit të këtij vendi bëri me dije se gjithë biletat për tifozët ishin të shitura dhe në impiant do ketë diçka më shumë se 5 mijë mbështetës. Shumica e stadiumit pritet të jetë me ngjyrat kuqezi, pasi tifozët e Shqipërisë u 'infiltruan' si vendas për t'u pajisur me një biletë. Vetë rëndësia e ndeshjes ka bërë që shumë tifozë të udhëtojnë drejt Andorrës për të qenë dëshmitarë të një mbrëmjeje që mund të rezultojë historike për tanët.
Anglia - Veç Andorrës, të diel në orën 20:45 në Tiranë ekipi ynë pret Anglinë e kualifikuar, ndeshje kjo e fundit për Grupin K.
Renditja në Grupin K
Pak pas mesditës së sotme, kombëtarja shqiptare e futbollit mbërriti në Andorra la Vella, qytetin më të madh të Andorrës dhe kryeqendrën e saj. Ekipi kuqezi dhe stafi u vendosën menjëherë në hotel.
Në orën 17:00 të kësaj të mërkure, trajneri Sylvinho do dalë para medieve dhe në orën 18:00 skuadra do zhvillojë stërvitjen gjenerale.

Të enjten në orën 20:45 kombëtarja shqiptare e futbollit luan në Andorra për sfidën e parafundit kualifikuese në Grupin K të Kupës së Botës 2026. Një fitore e tanëve nesër, kombinuar me humbjen e Serbisë në Angli, do të thoshte që kuqezinjtë do ishin zyrtarisht në vendin e dytë dhe do merrnin biletën për play-off, pa pritur ndeshjen e fundit me Anglinë në Tiranë (16 nëntor, 18:00).
Statistikat kundër Andorrës
Ndeshja e të enjtes do jetë e nënta mes dy skuadreve. Shqipëria mban vendin e 61-të në renditjen e FIFA-s, duke u ngjitur me pesë pozicione pas fitores së një muaji më parë në Serbi. Nga ana tjetër Andorra është në vendin e 172-të në këtë renditje.
Në përballjet kundër Andorrës në gjithë historinë, Shqipëria e futbollit ka gjashtë fitore, një barazim dhe një humbje. Dueli i parë mes dy skuadrave është luajtur më 6 shkurt të vitit 2000 në Maltë për turneun "Rothmans" dhe tanët fitonin 3-0 me golat e Edmond Dalipit, Rudi Vatës dhe Johan Drizës.
Ndeshja e dytë më 17 prill 2002, një miqësore zhvilluar në Andorra, përfundonte me fitoren 2-0 të vendasve. Më pas tanët kanë dy fitore radhazi, para se në 14 nëntor 2019 skuadrat të barazonin 2-2 në "Elbasan Arena" për kualifikueset e Euro 2020.
Më pas Shqipëria numëron edhe tre fitore kundër Andorrës, më 2021 në dy takime, si edhe më 24 marsin e këtij vitit për kualifikueset e Kupës së Botës 2026.
Në total, Shqipëria i ka shënuar 14 gola Andorrës në tetë takime, kundrejt katër të pësuarve. Rumuni Horatiu Mircea Fesnic do jetë arbitri kryesor i duelit të të enjtes mbrëma.
Komente





