Kombëtarja shqiptare e futbollit siguroi për herë të parë fazën play-off të një Kupe Bote. Kuqezinjtë e Sylvinhos fituan 0-1 në Andorra dhe do e mbyllin Grupin K në vendin e dytë, me Anglinë si kryesuese që e ka siguruar tashmë kreun dhe një biletë për në finalet e Kupës së Botës 2026.
Sot në Tiranë kalendari përplas Shqipërinë me Anglinë në orën 18:00. Me dy skuadrat që i kanë siguruar objektivat, kjo sfidë luksi më shumë i ngjan një miqësoreje për tifozët, por jo për futbollistët dhe stafet.
Tanimë UEFA ka vendosur që në Tiranë të gjykojnë arbitrat nga Italia. Kryesori Marco Guida do mbështetet nga ndihmësit Giorgio Peretti, Alessio Berti dhe Simone Sozza. Në VAR do jenë Marco Di Bello dhe Valerio Marini.
Shqipëria dhe Anglia janë përballur shtatë herë më parë. Në të gjitha rastet ka fituar Anglia, ndërsa ne i kemi shënuar 'Tre Luanëve' vetëm një herë, në humbjen 1-3 në 'Qemal Stafa' më 28 mars 2001, me gol nga Altin Rraklli. Ndërkohë që Anglia na ka shënuar 21 gola.
Takimi i fundit mes skuadrave është më 21 mars 2025, kur në Londër, Anglia fitonte 2-0. Kjo është edhe ndeshja e fundit që Shqipëria ka humbur këtë vit, teksa më pas Kombëtarja ka gjashtë fitore (pesë radhazi) dhe dy barazime. Anglia, në shtatë ndeshjet e kësaj fushate kualifikuese ka shtatë fitore. 'Tre Luanët' nuk kanë pësuar asnjë gol, duke shënuar 20-të. Misioni i Shqipërisë në "Air Albania" duket i vështirë.
Lajmi kryesor:
Botërori 2026/ Anglia shumë e fortë në Tiranë, Shqipëria mposhtet 0-2 nga dopieta e Harry Kane! 'Tre Luanët' tetë fitore kundër kuqezinjve











