ITALI - Këtë të dielë në orën 20:45 në mitikun 'San Siro' të Milanos luhet derbi numër 230 mes Milanit dhe Interit. 'Derbi i Madoninës' sot vlen për raundin e 28-të në Serie A, me Interin që kryeson renditjen me 67 pikë, dhjetë pikë më shumë se Milani i vendit të dytë.

Përballja mes tyre është shumë e rëndësishme pasi pritet të shënjojë sezonin në elitën e futbollit italian. Në 229 sfidat e mëparshme mes tyre, Interi kryeson me 85 fitore, kundrejt 75 fitoreve të Milanit. Në 69 raste dy skuadrat janë ndarë në barazim. Edhe sa i takon golave të shënuar Interi është më mirë se 'kushërinjtë' e Milanit me 311 gola të shënuar, kundrejt 296 të pësuarve.

Megjithëse zikaltërit janë më mirë në statistika, Interi ka gjashtë ndeshje radhazi pa fitore kundër Milanit. Ishte 22 prilli i vitit 2024 kur Interi fitonte 1-2 dhe prej asaj kohe katër ndeshje kanë folur për Milanin dhe dy të tjera janë mbyllur në barazim.

Në konferencën për mediet, trajneri i Interit, Cristian Chivu foli për rëndësinë e takimit dhe formën e lojtarëve të tij, duke cekur se Thuram është me një gjendje gripale ndërsa vijon të mungojë kapiteni Lautaro.

"Patëm disa probleme me Thuram, ka ethe dhe nuk u stërvit. Por shpresojmë që të jetë 100% në formë për ndeshjen", deklaroi Chivu. Ai shtoi se mesfushori Hakan Calhanoglu është në dispozicion dhe po tregon shenja të mira rikuperimi. Duke folur për aspektin psikologjik para derbit, Chivu theksoi se skuadra e tij është rritur shumë që nga fillimi i sezonit.

"Jemi gati mendërisht dhe mendoj se jemi rritur shumë që nga fillimi i sezonit. Nuk nënvlerësojmë dhe as nuk mbivlerësojmë askënd. E dimë se po përballemi me një ekip të fortë që mund të na shkaktojë probleme", tha rumuni.

Sipas trajnerit të Interit, një fitore në këtë derbi do ta afronte shumë skuadrën drejt titullit të 21-të në Serie A. Chivu pati edhe fjalë të mëdha për talentin e ri Francesco Pio Esposito, duke e cilësuar sezonin e tij si fantastik.

“Pio është me fat që ka shokë skuadre që i japin besim. Ai ka një etikë të madhe pune dhe po kalon një sezon shumë të mirë. Di të menaxhojë momentet dhe presionin”, u shpreh ai.

Ndeshja pritet të hyjë në histori si sfida më fitimprurëse që është luajtur ndonjëherë në kampionatin italian.

Sipas raportimeve të 'Gazzetta dello Sport', përballja në 'San Siro' pritet të gjenerojë mbi 8.7 milionë euro të ardhura, duke thyer rekordin e mëparshëm të vendosur pikërisht nga derbi i fundit mes dy skuadrave milaneze.

Shifra përfundimtare do të konfirmohet vetëm në orët e fundit para ndeshjes, por tashmë është e sigurt se do të tejkalohet rekordi prej 8,649,494 eurosh, i regjistruar në derbin e parë të këtij sezoni që përfundoi me fitoren 0-1 të Milanit. Arritja e kufirit prej 9 milionë eurosh duket e vështirë, megjithatë të ardhurat pritet të kalojnë ndjeshëm shifrën 8.7 milionë euro.

Interesi për këtë përballje ka qenë jashtëzakonisht i madh. Biletat janë shitur pothuajse plotësisht prej disa ditësh, ndërsa në tribunat e 'San Siros' priten mbi 75,500 tifozë, duke krijuar një atmosferë spektakolare për një nga derbet më të mëdha të futbollit evropian.

Para këtij takimi, rekordi i fundit i të ardhurave për Milanin datonte nga 2 shkurti 2025, kur po në një derbi ndaj Interit kuqezinjtë regjistruan 7,344,878 euro nga shitja e biletave.

Ndeshjet më fitimprurëse në historinë e Serie A

8 mars 2026: AC Milan - Inter Milan / 8,700,000 € (e parashikuar)

23 nëntor 2025: Inter Milan - AC Milan / 8,649,494 €

14 shkurt 2026: Inter Milan - Juventus / 8,587,129 €

22 shtator 2024: Inter Milan - AC Milan / 7,626,430 €

27 tetor 2024: Inter Milan - Juventus / 7,614,585 €

2 shkurt 2025: AC Milan - Inter Milan / 7,344,878 €