BRUKSEL -Një sprint final për një marrëveshje mes maxhorancës dhe opozitës për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe funksionarëve të tjerë publik, para publikimit të raportit të tetorit mbi zgjerimin. Është kjo thirrja që i drejtohet politikanëve shqiptarë nga drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sannino gjatë një tryeze të rrumbullakët të organizuar në Bruksel.

Sipas agjencisë italiane të lajmeve “Ansa”, Sannino ka theksuar se reforma në sistemin e imuniteteve është një element shumë i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit, ndërsa shtoi se “ është një hap drejt rrugës së duhur”.

Pas suksesit të reformës zgjedhore, shpresojmë që të ketë përpjekje të mëtejshme gjatë dy javëve të ardhshme”, është shprehur Sannino gjatë takimit në Bruksel.

“Shqipëria ka arritur rezultate të ndjeshëm, tha Sannino, por mbetet ende problem fakti që çdo vendim shoqërohet me luftë politike dhe ajo që mbetet në fund është më shumë kjo betejë , sesa rezultati”.

“Në procesin e integrimit në BE, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet "themba e Akilit" për vendet e Ballkanit, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Për këtë arsye Brukseli, i mëshon kësaj çështjeje, edhe për faktin se publikimi i raportit mbi zgjerimin në tetor mund t’i japë vendit mundësinë për marrjen e statusit kandidat”, ka përfunduar Stefano Sannino.

(Gre.M/Shqiptarja.com)