Statusi, Bregu: Të miratojmë 3
kërkesat e vëna nga Brukseli

Statusi, Bregu: Të miratojmë 3 <br />kërkesat e vëna nga Brukseli
TIRANE - Nuk kanë humbur të gjitha shpresat për të përfituar statusin e vendit kandidat për në BE nga ana e Shqipërisë. Qeveria shqiptare është optimiste, se me miratimin e vetëm tre ligjeve nga ana e Kuvendit të Shqipërisë, ligje që kërkojnë shumicën e cilësuar të Kuvendit, mund të kapen afatet në limitet e fundit në mënyrë që të merret një opinion pozitiv për këtë qëllim. Mes këtyre tre ligjeve është dhe ndërhyrja në Kushtetutë për kufizimin e imunitetit, për të cilin, pavarësisht se palët politike janë dakord që të miratohet, nuk ndajnë të njejtin qëndrim për rrugën e miratimit të këtij ligji.

Kështu, ndryshimi i Kushtetutës për çështjen e kufizimit të Imunitetit nuk do të diskutohet në Parlament sëbashku me propozimet e PS për reformën në drejtësi. Ministrja e integrimit Majlinda Bregu thekson ky është një kusht që duhet të plotësohet. “Detyrimi i klasës politike shqiptare është të votojë kufizimin e Imunitetit sa më shpejt që të jetë e mundur, por kjo nuk ka lidhje me kërkesën e opozitës për ndryshimin e ligjit themeltar për institucionet e pavarura”, ka qënë deklarata e ministres së Integrimit, Bregu. Për të cilën opozita nuk ka përse të vendosë kushte që e bllokojnë tejkalimin e këtij ngërçi, duke këmbëngulur se kërkesat e opozitës do të realizohen në një kohë më të vonë, pasi për qeverinë shqiptare reforma në drejtësi dhe garantimi i institucioneve të pavarura është një prioritet. Nga ana tjetër ministrja Bregu thekson se si afat i fundit për realizimin e kushteve është 20 shtator.

“Klasa politike shqiptare ka afat deri më 20 shtator për të miratuar tre kërkesa të Brukselit: kufizimin e imunitetit, ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë dhe reformën parlamentare për të rritur kështu shanset e Shqipërisë që më 10 tetor Komisioni Evropian t’i japë OK marrjes së statusit të kandidatit”, ka deklaruar dje ministrja e Integrimit. Sipas Bregut nuk ka asnjë mospërputhje mes deklaratës se ministrit Panariti për Imunitetin dhe qëndrimit të kryeministrit Berisha, pasi zhveshja nga mbrojtja ligjore është përfshirë tek prioriteti nr. 8 për luftën ndaj korrupsionit. Një sqarim të tillë Bregu është munduar ta bëjë për vetë faktin se ministri i Jashtëm, menjëherë pas kthimit nga Brukseli disa ditë më parë deklaroi se kufizimi i imunitetit nuk është një nga kushtet e vëna nga Brukseli për statusin por vlerë e shtuar e vetë politikës shqiptare. Një deklaratë e cila ka ngjallur debat, pasi deri më tani mazhoranca, përmes kryeministrit Berisha por dhe eksponentëve të tjerë ka akuzuar opozitën se nëse dështon për herë të tretë marrja e statusit të vendit kandidat për në BE, do të jetë ajo fajtore, pasi ka bllokuar votimin e imunitetit.

(Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com)

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Divjakë/ Hidhet lëndë plasëse në oborrin e një shtëpie, nuk ka të lënduar

Divjakë/ Hidhet lëndë plasëse në oborrin e një shtëpie, nuk ka të lënduar